Luftëtari, sot testi serioz me Vllazninë
Stafi teknik do të gjykojë se në çfarë gjendje janë futbollistët që kanë në dispozicion. Në merkato synohen Grami dhe Kaja
Luftëtari, që vazhdon përgatitjet për fazën e dytë të kampionatit të 65-të të kategorisë së parë në Mal të Zi, pretendon të shpallet kampion i saj dhe, rrjedhimisht, sezonin tjetër të luajë në superligë. Sipas informacionit të marrë nga donatori Qazim Muho, rezulton se ditën e enjte, ekipi i Luftëtarit zhvilloi një ndeshje miqësore, por që nuk rezultoi si e tillë. Me të rinjtë e Vllaznisë, gjirokastritët barazuan 1-1, kurse sot është progarmuar një ndeshje miqësore me Vllazninë e madhe.
Është një test mjaft serioz, ku natyrisht që trajnerët Dede-Novi-Kristidhi do të gjykojnë më saktë se në çfarë forme është ekipi i tyre dhe çfarë duhet të bëjnë ende deri në përballjen zyrtare me Kukësin në Gjirokastër, ndeshje e prapambetur nga java e 14-të për shkak të dëborës. Pa dyshim që në këtë takim ata do të provojnë 21 futbollistët që kanë në dispozicion, pasi, sikundër pohon donaroti Muho, Hithi nuk është më pjesë e këtij ekipi, ndërkohë që Strati dhe Nino janë më afër qëndrimit në të.
Merkato e hapur Luftëtari nuk e ka mbyllur ende merkaton dhe është në bisedime me disa futbollistë, siç janë mbrojtësit Ervis Kaja dhe Elton Grami, perkatësiht tëTomorit dhe Kastriotit, por edhe me të tjerë. Ndeshja miqësore me Vllazninë vërtet do jetë më se miqësore, përderisa te Luftëtari janë katër shkodranë, portieri Selimaj, mbrojtësit Baci dhe Ramadani, si dhe sulmuesi Raboshta, por lufta sportive nuk mund të shmanget, sepse ligjet e futbollit profesionist e kërkojnë një gjë të tillë.
Rezultati patjetër që ka efekt psikologjik, që lidhet me vetë imazhin që ka krijuar Luftëtari gjatë fazës së parë dhe, shumë njerëz, madje edhe specialistë futbolli, e konsiderojnë si ekip superlige, edhe pse ka përpara edhe 16 beteja, për tu konfirmuar si i tillë.
Në Gjirokastër e presin me kureshtje rezultatin e këtij takimi, edhe pse më tepër do të jetë për të provuar futbollistët, të cilët janë në kërkim të përmirësimit të parametrave të tyre.
