E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dështim për Elbasanin, nëse mbetet jashtë 5-shes së parë

Nga Elton Karaj

Endri Dalipi

Mesfushori verdheblu mendon se ekipi i fazës së dytë do të jetë krej ndryshe dhe do të ngjitet në vendin që i takon

Elbasani do të luajë sot një tjetër ndeshje miqësore në stadiumin  Ruzhdi Bizhuta, ku kundërshtar do të jetë Laçi i superligës. Do të jetë miqësorja e tretë për verdheblutë në kuadrin e përgatitjeve për  fazën e dytë, pas asaj me Shkumbinin në Peqin dhe Gramshin në Elbasan. Edhe ndeshja me laçianët do të luhet në orën 14:00 dhe trajneri File pa dyshim do të aktivizojë gjithë lojtarët e gatshëm për të parë gjendjen e tyre fizike.

Dalipi Mesfushori Endri Dalipi thekson për Sportin shqiptar se këto miqësore i shërbejnë mjaft ekipit për të parë defektet që ka dhe për ti korrigjuar ato para se të nisë faza e dytë. Ai u shpreh se Elbasani po plotësohet dhe do të jetë gati për të zhvilluar një fazë të dytë shumë më rezultative. Miqësoret që kemi zhvilluar deri tani dhe ato që do të zhvillojmë na shërbejnë shumë për të parë gjendjen, në mënyrë që stafi te veprojë aty ku do të shohë probleme.

Elbasani po kompletohet nga dita në ditë dhe mendoj se starti i fazës së dytë do të na gjejë plotësisht gati. Na takon të jemi protagonistë në 15 ndeshjet e mbetura të kampionatit, duke dhënë atë që duhet të japë një ekip me traditë si Elbasani. Objektivi ynë mbetet po ai, pra rikthimi në superligë, edhe pse jemi prapa rivalëve dhe do të na duhet shumë punë në vazhdim. Çdo gjë është e arritshme, kështu që ne do ti bëjmë të gjitha përpjekjet që Elbasani ta mbyllë kampionatin në 5-shen e parë të tabelës së renditjes.

Të paktën për zonën e play-off-it i kemi të gjitha mundësitë. I siguroj tifozët tanë se do të bëjmë maksimumin që Elbasani të ngjitet në vendin që takon. Nëse nuk do të shkojmë në play-off, do të jetë një dështim i plotë për ne. Kam shumë besim se faza e dytë do të jetë krejtësisht ndryshe për Elbasanin, që është në gjendje të fitojë edhe jashtë, jo vetëm në fushën e tij, tha dje mesfushori verdheblu, Endri Dalipi.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›