Te Gramozi vonojnë blerjet, por Qirjako qetëson
Trajneri i kolonjarëve beson se ekipi i fazës së dytë do të jetë i kompletuar, pavarësisht se ende nuk kanë ardhur përforcimet
Për kolonjarët këto ditë janë të ngarkuara me stërvitje, edhe pse kushte atmosferike janë të vështira. Por Gramozi është prekur nga largimet, dhe deri tani shkojnë në 7, duke krijuar një boshllëk të madh në ekip. Në fakt, drejtuesit kishin llogaritur vetëm 4 largime, konkretisht portierin Dervishi, mbrojtësit Fasko dhe Shehu dhe mesfushorin Bilibashi, por nga Gramozi kanë ikur edhe jabanxhinj të tjerë.
Lamaj, Nelaj dhe Omeraj, të cilët ishin në planet e trajnerit Qirjako për fazën e dytë, kanë vendosur ta mos kthehen në Ersekë. Këto largime e vënë në vështirësi të madhe trajnerin Qirjako, i cili kërkon me çdo kusht përforcime. Deri tani është afruar vetëm pogradecari Çelaj, i cili është pëlqyer nga stafi teknik. Drejtuesit e Gramozit janë vënë në lëvizje dhe pretendojnë të huazojnë lojtarë nga Skënderbeu dhe Pogradeci.
Madje, ata kanë rënë dakord me drejtuesit pogradecarë që, lojtarët që nuk mund të aktivizohen gjatë fazës së dytë, të huazohen te Gramozi. Disa lojtarë po vonohen, por mund të them se ata janë pjesë e Gramozit. Ata nuk janë paraqitur, pasi ende nuk kanë marrë lejen e kalimit nga ekipi ku kanë luajtur gjatë fazës së parë. Megjithatë, po përpiqemi të afrojmë të paktën dhe dy lojtarë të tjerë, në mënyrë që të rritet cilësia e grupit, por edhe konkurrenca në ekip.
Gramozi është në kompletim e sipër dhe tani jemi ende në fazë seleksionimi. Duam të bëjmë një përzgjedhje sa më profesionale dhe kam besim të plotë se Gramozi i fazës së dytë do të jetë më i forte, pavarësisht se deri tani nuk keni parë ndonjë lojtar me peshë, ka thënë mes të tjerash trajneri i Gramozit, Qirjako.
