Luftëtarit po i kthehen ish lojtarët në prag të sezonit
Florian Braho, Elton Zholi dhe Bledar Devolli, tre emra që po stërviten me skuadrën dhe që mund ti shërbejnë qëllimit të skuadrës së Arjan Bellait për tu ngjitur në Kategorinë Superiore
Ditën e shtunë, në kuadrin e ndeshjeve përgatitore në prag të kampionatit të Kategorisë së Parë, Luftëtari ka luajtur ndeshjen e parë miqësore, teksa është mundur 1-0 në Fier, ndaj një rivali si Apolonia në luftën për tu ngjitur në Superiore.
Pas kësaj miqësoreje, skuadra, nën drejtimin e trajnerit Arjan Bellai, është kthyer në stërvitje. Nga burime brenda skuadrës mësohet se te Luftëtari po kthehen ish-futbollistët, njëri prej të cilëve është edhe mesfushori Florian Braho, i biri i legjendës së futbollit bluzi, Sefedin Braho. Sezonin e kaluar në fazën e parë luajti me Partizanin, kurse në të dytën u aktivizua në Zvicër.
Dhe duke parë qëllimet e Luftëtarit që kërkon ngjitjen e shpejt në Kategorinë Superiore, atëherë Braho ka vendosur që të kthehet te ish-skuadra. E jo vetëm kaq, ai ka ditë që po bën stërvitje. Dhe veç tij, dje në skuadër është paraqitur dhe mesfushori i majtë, Elton Zholi, ndërsa në ekip po stërvitet edhe Bledar Devolli. Për Gazeta e Sportit, Florian Braho do të deklaronte:
Kam ditë që jam kthyer te ekipi im mëmë, duke parë se ka dhe objektiva të larta, që është kthimi në Kategorinë Superiore. Edhe në miqësoren e parë, që ne luajtëm me Apoloninë, skuadra tregoi karakter në fushë. Veçse ka akoma punë për tu përgatitur dhe besoj se gradualisht grupi po formohet. Nuk mund të flas ende për afrime, sepse atë e kanë në dorë drejtuesit e skuadrës.
Por deri në startin e kampionatit, kam mendimin se skuadra do të marrë formë, kurse futbollistët e rinj do të jenë e ardhmja e Luftëtarit. E them me bindje se do të jemi një ndër pretedentët kryesor për tu ngjitur në Kategorinë Superiore. Sa për firmën time mbi kontratë, jam duke pritur presidentin Flamur Bime, që është me pushime.