Sejdini-Laze gjejnë gjuhën e bashkëpunimi, gati Superiorja
Sqapi: Kjo ishte mirë për të gjithë, sepse do të jemi të garantuar për në Superiore, me financa të shëndosha, që do të jenë të tilla dhe për disa sezone më pas. Mendojmë se i kemi gati lojtarët e këtij kampionati
Kryetari i Bashkisë së Elbasanit, Qazim Sejdini, dhe presidenti i verdhebluve, Arben Laze, kanë nisur bashkëpunimin mes tyre për ringritjen e shpejtë të kësaj skuadre në Superiore.Në takimin që është zhvilluar mes tyre të premten ka qenë i pranishëm dhe presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka, i cili jo vetëm që ka përshëndetur bashkëpunimin e rinisur mes dy drejtuesve, por, mbi të gjitha, ka premtuar dhe ndihmë për stadiumin Ruzhdi Bizhuta.
Ndihmë e cila lidhet me fillimin e rregullimeve të ambienteve të stadiumin “Rruzhdi Bizhuta”, që do të rikonstruktohet dhe do të bëhet një stadium model dhe tepër cilësorë.Menjëherë pas takimit, shefi i klubit të Elbasanit, Erion Sqapi, ka dhënë dhe një deklaratë për shtyp.
Ne jemi vërtet të kënaqur, pasi si Bashkia, me kryetarin e saj Qazim Sejdini, ashtu dhe presidenti Arben Laze kanë rënë dakord që ta financojnë fuqishëm skuadrën, jo vetëm këtë sezon, që do të shënojë ngjitjen në Kategorinë Superiore, por dhe në kampionatet e tjera, duke shpresuar që shpejt të kthehemi dhe te trofetë.
Ky është një lajmë i mirë për të gjithë, pasi kishte kohë që ne e prisnim këtë takim të madh, nëse mundë ta quaj kështu, pasi ky zbardhi përfundimishtë objektivin tonë dhe i hapi rrugën Elbasanit që të synojë tashmë ngjitjen e shpejt në Superiore.
Falënderoj me gjithë zemër dy donatorët kryesorë të Elbasanit, zotin Sejdini dhe zotin Laze, të cilët kanë bërë gjënë më të mirë, teksa vendosën jo vetëm bashkëpunimin, por mbi të gjitha dhe financimin e madh për këtë skuadër.
Tani e tutje ekipi verdheblu nuk do të vuajë nga problemet ekonomike, pasi ato tashmë u zgjidhën një herë e përgjithmonë, kurse ne do të vazhdojmë të përgatitemi seriozisht për një sezon të gjatë dhe tepër ambicioz, me qëllimin e mirë për të qenë në Superiore, ka thënë Sqapi, që nuk ka harruar të thotë që skuadra e re e Elbasanit është gati e projektuar.
Do të fillojmë që me grumbullimin dhe fillimin e përgatitjeve, që shumë shpejt do të startojnë, ndërsa do të hedhim grepat për ato lojtarë, të cilët do të na garantojnë ngjitjen në Superiore. Dhe për këtë do të bëjmë dhe një periudhë përgatitore jashtë vendit, ka përfunduar Sqapi.
Mariglen Miraka