E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tirana, aty ku njerëzit ndjehen të kurthuar

Prof. asc. Sazan GURI 

Njëzëri mund të pranosh se Tirana sot nuk është ajo e kioskave, as ajo ku makinat humbitnin në gropat pellgaçe, por ka shumë për të diskutuar për një Tiranë, ku njerëzit jo vetëm të banojnë, por të jetojnë, për një Tiranë, ku njerëzit jo vetëm të jetojnë, por të mbushen me frymë dhe për një Tiranë, ku njerëzit jo vetëm të marrin frymë, por të thithin atë që askush nuk ka të drejtë t‘ja u triskojë. Natyrisht, që të bësh pyetje dhe të kthesh përgjigje në kohët që jetojmë, kur pothuaj të gjithë kanë të drejtë të nxitojnë “të bëjnë lekë”, mund të shkaktojë pak marramendje, por mbase është një çmim, që një ditë të gjithë ne e sidomos ata që vendosin edhe për ne do ta paguajmë, dhe ndoshta është më e rëndësishme, që përgjigjet të mos jenë përsëri po ato të vjetruara banale apo qaramane, që të përgjumin dhe që na kanë përgjumur.
Që të mos vazhdojmë të ngelemi të mashtruar, t’i vendimmarrës mos guxo të ngresh më planëzim urban pa atë të gjelbër, mos guxo të bësh zhvillim ekonomik pa atë të qëndrueshëm, mos guxo të krijosh qëndrueshmërinë e plotë pa tre përbërësit e saj (social, ekologjik dhe ekonomik), mos guxo të sajosh partneritetin e tipit klanor, por atë të tre “P-ve” (publik, privat dhe partneritet reciprok), mos guxo të projektosh zonat e zhvillimit urban pa zonat e menaxhimit, pa zonat e ruajtjes, pa atë të konservimit dhe pa ato industriale.
Që të mos vazhdojmë të ngelemi të shushatur, ti politikbërës më parë përcakto se cila është zona me dendësi të ulët, po zona e pastër e banimit, po zona e zakonshme e banimit, po zona e veçantë e banimit, po zona e fshatit, po zona e përzierë, po zona e qendrës, po zona e biznesit ose e njësive të vogla të prodhimit, po zona industriale. Ti politikbërës, më parë vlerëso sa duhet të jetë numri i kateve, po koeficienti i bazamentit, po koeficienti i ndërtimit, po koeficienti i vëllimit të ndërtimit, po harta e ndjeshmërisë ndaj rrezikut, po kanalet e ujërave të zeza. Ndaj dhe ndodh, si askund tjetër në botë, që ndërtimi të kapë 80-90% të territorit, nga 40-50% e parashikuar me ligjet e viteve ‘70, por për ndërtesa deri në pesë kate. Ndodh zënie mbi 50%, si në Bullgari p.sh., por për ndërtesa jo më të larta se 5-6 kate. Ndërsa ne jemi të përveçëm, më saktë të hatashëm, si për zënie në sipërfaqe dhe për zënie në lartësi. A nuk do të thotë kjo të banosh i kurthuar dhe jo të jetosh në liri. Por, që të vazhdojmë të ngelemi të shëndetshëm, ti kryebashkiak mbaj premtimin që mbetjet urbane të mos bashkëjetojnë në simbiozë, sikur me qenë gjenetike me njeriun tiranas, sepse ato nuk merren, por lihen 24 orë për 24 orë, sepse ato nuk vendosen, por hidhen, sepse ato nuk sistemohen, por digjen, sepse ato nuk trajtohen, por mbi 600.000 kg në ditë përhapen, mbi 90.000 kg në ditë plastikë flaken, mbi 1.000.000 qeska në ditë përflaken, mbi 200.000 shishe në ditë hidhen, mbi 20% e koshave digjen, mbi 80% e plehrave i aviten jashtë koshave pa këmbë, mbi 99% e plehrave digjen apo i djegin nëpër damp-a. Ti kryebashkiak mësohu të punosh, që para se të ngresh një ngrehinë mbi dhe ndërto një ujësjellës nën dhè, më parë se të ndërtosh vepra mbi sipërfaqe ndërto ato të ujërave të zeza nën sipërfaqe. Ti kryebashkiak kur ndërton një apo disa vila mos ia nëpërkëmb frymën me rrokaqiell dhe kur ndërton një rrokaqiell mos i stërkëmb në mes një vilë.
Dhe le të vijmë tek ajo që e bën njeriun tiranas të ndjehet i kurthuar. A e keni vënë re, kur mbasi keni zgjedhur një shtëpi për të banuar, fillimisht edhe me një territor për të jetuar, të proftasen nga prapa e anash po se po, por edhe nga para ca karabina, që ti frymë e diell kurrë mos të marrësh. Dhe nuk vonon kur dendësia e lagjes tënde arrin 100.000/km2 ose 1000 banorë/ha, në një kohë që qytete si Parisi e New York-u arrijnë 20-30 banorë/ha dhe qyteti më i dendur në botë Honkong-u arrin të ketë 140 banorë/ha. Ka dhe lagje si Komuna e Parisit të ketë deri në 2000 banorë/ha. Çdo të thotë kjo? Kjo do të thotë, që në ditët e verës sikur nuk mjafton, që një pjesë e oksigjenit fluturon drejt lartësive për shkak të gjendjes së thatë të ajrit, por një pjesë e mirë nga ajo që ngelet do të thithet nga dendësia e popullsisë. Kjo do të thotë sekuestrim i oksigjenit nga një grup njerëzish kundrejt një grupi tjetër. Kjo do të thotë, që temperaturën 310 ta ndjesh për 410. Kjo do të thotë të ndjehesh as më pak e as më shumë se në një burg të madh.
Dhe le të vijmë tek ajo, që e bën njeriun tiranas të ecë i kurthuar. Dihet se Tirana ka rreth 140.000 makina për një popullsi rreth 1.000.000 banorë me gjithë ata që hyjnë, ndërsa po të marrim një kryeqytet tjetër të Evropës, Vjenën p.sh. që ka 500.000 makina për 2.000.000 banorë dhe po t‘i krahasojmë për gazrat që emetojnë në ajër, Tirana e kalon shumëfish atë. Dhe e dini pse? Thjesht për gabime njerëzore apo gabime vendimmarrësish. Për të njëjtën gjerësi rrugësh, si në Tiranë dhe në Vjenë, këtu dalin nga një semafor 10-17 makina, ndërsa atje 120-170 makina. Për të njëjtin distancë rruge këtu janë vendosur 3-4 semaforë, ndërsa atje një i tillë. Për të njëjtën hapësirë rrugore këtu kemi mesatarisht një fidan për çdo 12-15 m, madje me degë të thara, atje kemi një pemë për çdo 3-4 m, madje “evergreen”, pra përherë të gjelbëruara. Rezultati?! Radha në semafor me makina ndezur është mesatarisht 100-150 m, ndërsa atje mesatarisht 20-30 m. Shpejtësia e lëvizjes së mjetit këtu tek ne është jo më tepër se 5-10 km orë, ndërsa atje jo më pak se 40-50 km orë. Pra, ne na rezultojnë ndalesa automjetesh shumë herë më tepër se atje, që e thënë ndryshe do të thotë shfryrje të gazrave në skrapamentot tona pa filtër në sasi shumë më të larta. Pra, ne disponojmë pesë herë më pak makina se Vjena, por ndotim për shkak të shkaqeve të mësipërme pesë herë më tepër se ajo.  Të gjithë mjekët e vitit 1918 ishin pjesëtarë në dështimin më të madh të mjekësisë në shekullin e njëzetë, e po të bazohemi në numrin e të vdekurve, në dështimin më të madh të të gjitha kohërave. Ata dinin si të kuronin shumë pneumoni me origjinë bakteriale, që linte gripi i asaj kohe, dhe dhanë këshilla për shëndetin publik se si mund të ishin shpëtuar dhjetëra mijë jetë, por politikanët i shpërfillën këto këshilla.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›