E Diel, 1 Nëntor 2026

Lul Berisha nën akuzë për vrasje, pas ekstradimit nga Spanja në gjyq për ekzekutimin e Klodian Saliut

Me drejtësinë shqiptare, ish- kreu i bandës së Durrësit, Lulzim Berisha ka dy llogari të hapura.

Tashmë që u ekstradua nga Spanja, orët e vona të mbrëmjes së djeshme, pritet që Prokuroria e Posaçme t’i dërgojë Gjykatës Antikorrupsion kërkesën për rivlerësimin e masës së sigurisë, “arrest në burg”.

Masa ndaj tij është vendosur për vrasjen e biznesmenit Klodian Saliu, pas rrëfimeve të të penduarit të drejtësisë, Luftar Reçi.

Ai u ekstradua megjithë përpjekjen për ta ndaluar këtë proces, pasi humbi betejën ligjore me shtetin spanjoll.

Lulzim Berishës, tashmë, do t’i duhet të përballet me akuzën e vrasjes si grup i strukturuar kriminal ndaj armikut të tij të dikurshëm, Klodian Saliu, ngjarje kjo e ndodhur në 2005, në autostradën Tiranë – Durrës.

Për këtë arsye shteti shqiptar e shpalli atë në kërkim në vitin 2020, ndërsa për mungesë provash i rrëzoi akuzën për vrasjen e biznesmenit tjetër, Vajdin Lame, krime që kanë ndodhur në një hark të ngushtë kohor nga njëra tjetra.

Dosja tjetër për të cilën drejtësia e ka kërkuar Lul Berishën lidhet me shlyerjen e një dënimi, të cilin ai e uli nga të përjetshëm në 25 vjet.

Mirëpo, Gjykata e Apelit të Durrësit i fali atij 5 vjet, gjë që i dha atij lirinë në 2014. Gjykata e Lartë nga ana tjetër, prishi vendimin, ndaj ish kreut të Bandës së Durrësit, e atij do t’i duhet të vuajë vitet e falura nga shkalla e dytë.

I shumëkërkuari Lulzim Berisha, u kap në mes të dhjetorit të dy viteve më parë me identitet bullgar dhe pamje fizike tërësisht të ndryshuar./vizionplus.tv

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›