“Rama gënjen për hyrjen në BE”, Berisha: Vendi i Dash Sulës është në Partinë Demokratike

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, e cilësoi mashtrim, premtimin e kryeministrit Edi Rama që Shqipëria do të jetë anëtare e Bashkimit Evropian në vitin 2030.
Në një konferencë me gazetarët, Berisha deklaroi se qeveria socialiste ka që në në vitin 2017 që feston hapjen e negociatave, edhe pse vetëm pak muaj më parë u hapën faktikisht bisedimet për anëtarësim.
“Shiko ku e ka mashtrimin, ai nuk thotë dot në vitin 2029, se e di që nuk do të ndodhë, sepse e di që nuk do ndodhë, e çon në vitin 2030 përtej mandatit që përpiqet të grabisë vetëm për të mashtruar shqiptarët. Kur unë kam deklaruar këtu para jush dhe para botës se Shqipëria nuk plotëson asnjë kriter, veç kriterit gjeostrategjik, e kam bërë me përgjegjësinë më të plotë dhe unë do t’ja faktoj kujtdo, edhe shqiptarëve dhe ndërkombëtarëve se kjo është një e vërtetë e pamohueshme”, tha Berisha.
Për të dytën herë, Berisha i doli në mbrojtje kryebashkiakut të arrestuar, Erion Veliaj.
“ǒpunë ka Mazniku aty? ǒpunë ka Ulsi Manja aty? Pse bëhen këto gjëra? Se janë botë krimi. Se normalisht ata duhet të thonë, të lëmë prokurorinë. Ai vetë është një delinkuent shumë i rrezikshëm. A mund të imagjinoni që ai të japë porosi që të kërcënohet djali i këtij dhe atij? Ai vetëm për këto meriton një dënim suplementar shumë të fortë me udhëzimet që jep nga qelia. Po prapë, implikimi i gjysmës së qeverisë në proces është i papajtueshëm me rregullat e një shteti normal. Por ky është narkoshtet”, tha Berisha.
Berisha iu kundërpërgjigj kryeministrit Rama edhe në lidhje me deputetin Dashnor Sula, duke theksuar se vendi i tij është në PD.
“Dashnor Sula është një eksponent i PD-së me investime reale në këtë parti dhe vendi i tij është në PD. Eksplorimi, se njeri të pagabueshëm nuk ka, ideja e tij për të gjetur strehë tek Lapaj, e mori përgjigjen sot nga Rama. Rama i thotë atij, sa shkon tek Lapaj, hajde tek unë se është njëlloj, po unë të paktën jam unë padroni. Pra, në këto deklarata shihet se sa e gabuar ka qenë përzgjedhja që bëri Dashi me Lapajn. Sepse ata janë njëlloj. Ata janë paterica të Edi Ramës”, shtoi kreu i PD-së.
Deputeti Sula u distancua nga Partia Demokratike në 13 mars, pasi emri i tij nuk u vendos në listën e mbyllur të kandidatëve për deputet. Më pas, ai iu bashkua Partisë së Adriatik Lapajt, por sërish u largua pasi sipas tij, nuk ka garanci për zbatimin e parimit “kush merr më shumë vota hyn në parlament”, dhe në këtë situatë, Dashnor Sula nuk do të garojë në 11 maj./vizionplus.tv