Lule Elezi përfaqëson Kosovën në "Frederik Chopin"
E vetmja shqiptare që merr pjesë në festivalin e Vjenës
Pianistja nga Kosova, Lule Elezi, ka mbyllur dje natën e fundit të festivalit me muzikë dhome, "Frederic Chopin".
Kishin kaluar plot 9 vjet që kur ajo interpretoi për herë të fundit për publikun shqiptar, e shoqëruar nga Orkestra e RTSH-së. Në festivalin "Frederic Chopin" ajo vinte me ftesë të ish-pedagoges, njëkohësisht edhe presidente e shoqatës "Frederic Chopin" në Shqipëri, Anita Tartari.
Pjesëmarrjen në këtë ngjarje e cilëson të rëndësishme. "Ky festival mund të krahasohet me festivale të niveleve evropiane", - thotë pianistja.
Recitali që zgjati pak më shumë se një orë kishte një program që përmbante vetëm Chopin, Nocturn dhe Balada.
Elezi tregon se me Shqipërinë ka një lidhje të veçantë. Në vitet 1993-1995 ajo erdhi në Tiranë për të kryer studimet pasuniversitare me pedagogen Anita Tartari, për të cilën ruan një kujtim të veçantë.
"Pedagoge Anita ka qenë një pedagoge e përkryer. Ajo është precize. Pothuajse çdo tast e analizon dhe të mëson si të bëhesh artist i pavarur. Për mendimin tim, një pianist i mirë duhet të luajë me shpirt, pasi teknikisht mund të ushtrohesh 7-8 orë në ditë, por interpretimi është diçka tjetër", - shton ajo.
Lulja ka nisur të studiojë piano në moshën 6-vjeçare, jo rastësisht. Nëna e saj ishte pedagoge pianoje në shkollën fillore në Prizren, aty ku ndoqi edhe mësimet e para. Më pas do të studionte në Universitetin e Prishtinës.
Në vitin 1993 vjen në Shqipëri.
Gjatë kohës që kryente specializimin, në vitin 1994, ajo realizon edhe koncertin saj të parë recital, në skenën e Teatrit të Operës dhe të Baletit, me një nga orkestrat më të mëdha të vendit, atë të RTSH-së. Rast që do t'i jepej sërish në vitin 2000.
Nga gjithë skenat ku ka interpretuar, Elezi veçon ata shqiptare. "Shqipëria di t'i nderojë artisët", - thotë.
Megjithatë, nuk e fsheh entuziazmin për ftesën që shoqata "Frederic Chopin" në Vjenë, i ka bërë për të marrë pjesë në festivalin e përvitshëm. "Ky vit është një nga vitet më të suksesshëm pianistikë për mua.
Në muajin gusht do të marr pjesë në festivalin ndërkombëtar "Frederik Chopin" në Vjenë. Jam e vetmja shqiptare nga Ballkani që jam ftuar të marrë pjesë në këtë festival me traditë 25-vjeçare", - thotë Lule Elezi. Por jo vetëm kaq, ky është edhe evenimenti i parë ku ajo nuk do të përfaqësojë flamurin kombëtar, por atë të Republikës së Kosovës.
Një mbrëmje me Swing
Trioja italiane, "The Blu Dolls", propozon një mbrëmje në shoqërinë e muzikës Swing. Nesër, në orën 20:00, në Akademinë e Arteve, Erika Celesti, Federica Pallante dhe Viviana Dragani, interpretojnë pjesët më të zgjedhura të kësaj muzike, që nga fillimet e saj në vitet '30-të, e deri në ditët e sotme.
Në këtë udhëtim muzikor ato shoqërohen nga Marco Parodi, (kitarë), Paolo Volante, (piano), Riccardo Vigore, (kontrabas) dhe Lica Rigazio, (bateri).