E Diel, 1 Nëntor 2026

Berat, vidhen pllakat dekorative të rrugës hyrëse

Pavarësisht se po punohet për shtrimin e rrugës, gjatë natës pllakat dekorative shkulen nga trotuaret, duke i lënë bosh


Rruga hyrëse në qytetin e Beratit, e cila ndodhet në fazën intensive, përveç ritmeve të kënaqshme po shoqërohet edhe me disa probleme shqetësuese për investuesin dhe komunitetin e lagjes "Kombinat" e "Çlirim".


Tashmë komuniteti ka denoncuar disa raste të devijimit të projektit, të cilat kanë të bëjnë me ngushtim tortuaresh, mungesë nënkalimesh e mbikalimesh etj. Madje, për këto probleme janë bërë edhe protesta të grupuara e peticione deri tek kryeministri Sali Berisha.


Gjithsesi, këto probleme mbeten teknike, para problemit konkret me të cilin po përballet realizuesi i investimit. Ajo që i shqetëson teknikët, inxhinierët dhe punëtorët e firmës ka të bëjë me vjedhjen sistematike të pllakave dekorative të gurit, me të cilat po realizohet shtrimi i trotuareve nga ish - kombinati deri tek Ura e Re.


"Këto pllaka, - thotë njëri nga furnitorët, - vidhen jo vetëm në baleta, por edhe shkulen nga trotuari, çka do të thotë se vjedhja bëhet me qëllim të caktuar. Më të dëmtuarit në këtë mes jemi ne, pasi kontrata me pronarin e firmës është e tillë që inventari i pllakave do të bëhet kur të përfundojë komplet shtrimi, gjë që na ka vënë në vështirësi. Me gjithë kontrollin tonë, nuk mund të garantojmë ruajtjen e tyre, ndaj kërkojmë të sensibilizojmë opinionin, sepse në të vërtetë po vidhen dhe dëmtohen vetë ata".


Sipas pronarit që bën furnizimin me pllaka dekorative guri, kësaj i thonë "të ndërtosh ditën e të vjedhësh natën". Zgjidhja e vetme qëndron në kapjen e autorëve që kryejnë këtë veprim, por kjo nuk varet nga ata që punojnë këtu. I vetmi që mund të kontribuojë që situata të stabilizohet, si gjithmonë është shteti me strukturat e tij.

 

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›