Lulet në rrezik nga temperaturat ekstreme – Ekspertët në Elbasan parashikojnë tharje masive

Në ditët me temperatura përvëluese, nuk janë vetëm njerëzit që vuajnë, por edhe lulet, sidomos trëndafilat, që kërkojnë kujdes të posaçëm për të mbijetuar. Ekspertët këshillojnë vaditje të rregullt herët në mëngjes dhe vonë në darkë për të shmangur tharjen dhe dëmtimin nga dielli.
Temperaturat e larta po ndikojnë ndjeshëm tek lulet sezonale, të cilat kërkojnë përkujdesje të dyfishtë në këtë periudhë.
“Kujdesi duhet të jetë shumë i lartë, sidomos në orët e mëngjesit dhe të mbrëmjes. Nëse nuk vaditet në kohë, trëndafili thahet brenda ditës”, u shpreh agronomi Ferdinat Hankja.
Përveç vapës ekstreme, një tjetër kërcënim është edhe breshkëza e Kalifornisë, që mund të dëmtojë trëndafilat, rrushin dhe agrumet.
“Po marrim masa me trajtime të kombinuara, sepse kjo sëmundje mund të dëmtojë frutat dhe lulet në mënyrë të pariparueshme”, tha ai.
Ndërkohë, shërbimet e gjelbërimit të Elbasanit janë në gatishmëri për të shmangur tharjen masive të bimëve dekorative dhe për të mbrojtur hapësirat publike nga temperaturat përvëluese.
/rtsh.al/