E Hënë, 2 Nëntor 2026

Sfidat e invalidëve të punës – Takim për zgjedhjet, përfaqësimin dhe problemet që kërkojnë zgjidhje

Në qytetin e Korçës është zhvilluar një takim me invalidët e punës të qarkut, i cili kishte në fokus mbajtjen e zgjedhjeve të reja për përfaqësinë vendore dhe trajtimin e problematikave që prekin këtë kategori.

I pranishëm në këtë aktivitet ishte edhe presidenti i Shoqatës së Invalidëve të Punës së Shqipërisë, Abdulla Omuri, i cili ngriti shqetësimin për mungesën e një zyre funksionale për shoqatën pranë Bashkisë Korçë, e vetmja bashki në vend ku kjo zyrë mungon.

“Çdo vend, degët e Shoqatës së Invalidëve të Punës janë të pajisur me zyra vetëm në Korçë nuk ka”, tha Omuri.

Omuri gjithashtu ndaloi edhe te problematikat ekonomike që përballojnë invalidët e punës, duke e konsideruar të pamjaftueshme masën aktuale të pensionit për të përballuar jetesën. Ai kërkoi vëmendje më të madhe institucionale dhe përfshirje në politikat sociale për këtë kategori.

“Sot një invalid pune merr një pension mujor nga 9-16 mijë lekë të reja në muaj, të cilët kanë 4 persona në familje dhe pensioni është i ulët. Ky është diskriminim dhe ne e kemi bërë të qartë qeverisë dhe jemi në negociata për ta diskutuar këtë problem”, u shpreh ai.

Aktualisht, në Bashkinë Korçë janë rreth 3,500 invalidë të punës të përfshirë në shoqatë, ndërsa në nivel qarku numri i anëtarëve shkon në mbi 7,000.

Gazetare: Eftjola Fili

/rtsh.al/

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›