E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Lulëzojnë” sërish grabitjet me dhunë

25/08/2009  Në Kavajë kapen të tmerrshmit e Golemit, grabitnin shtëpitë e pushuesve dhe emigrantët

Në Tiranë u regjistruan dy grabitje me armë, hajdutët terrorizuan viktimat e tyre

TIRANË- Shtatë hajdutë mundën të bënin kërdinë në Tiranë e Kavajë, kur grabitën pushues, emigrantë, hotelierë apo njerëz që shkëmbenin paratë. Policia ka arrestuar vetëm 3 prej tyre, teksa 4 të tjerët janë shpallur në kërkim. Kështu, shërbimet e komisariatit të policisë së Kavajë kryen ndalimin e shtetasve Alban Gosa, 22 vjeç, Klajdi Hasani, 25 vjeç dhe Armand Mustafa, 23 vjeç, të tre të lindur dhe banues në Rrogozhinë të Kavajës. Kapja e tyre u bë në orët e para të mëngjesit, sepse bazuar në informacionet e marra në rrugë operative dhe të punës së organizuar nga komisariati Kavajë në bashkëpunim me forcat e Drejtorisë së Policisë së Tiranës, u finalizua operacioni me synim dokumentimin dhe goditjen e këtij grupi kriminal, të cilët dyshohet se në bashkëpunim me njëri-tjetrin, në kohë dhe vende të ndryshme, kanë ushtruar aktivitet kriminal në drejtim të vjedhjes së lokaleve të tregtisë, vjedhjes së banesave si dhe vjedhjes me armë në bashkëpunim. Më datë 21 korrik 2009, në komunën Gosë Kavajë, dyshohet se kanë realizuar vjedhjen e një lokali në pronësi të një shtetasi. Më datë 22 gusht 2009, në Bishtin e Zhurit Rrogozhinë, dyshohet se nën kërcënimin e armës, kanë realizuar të vjedhin një shtetas emigrant, i cili po kthehej nga Greqia me autobusin e linjës Selanik-Tiranë. Gjatë momenteve të zbritjes së emigrantit nga autobusi, autorët e sipërcituar e kanë rrëmbyer me automjetin e tyre tip Benz Mercedes, dhe më pas e kanë goditur atë duke i marrë sendet personale si (çantë brezi, telefon celular dhe shuma e parave prej 500 euro). Për ta u kryen veprimet hetimore dhe procedurale, ndërsa në cilësinë e provës materiale u sekuestruan sendet e vjedhura si 2 automjete, 5 telefona celular, 2 aparate fotografike dixhitalb dhe një kamerë dixhitale. Ndërkohë, në sajë të një hetimi në ngarkim të tyre, dyshohet se janë autorë edhe të një sërë vjedhjesh banesash, kryesisht të ndodhura në zonën e plazhit Golem. Në Tiranë kanë ndodhur dy grabitje në harkun kohor të 60 minutave mesditën e së hënës. Një person që sapo kishte dalë nga një pikë e këmbimit valutor është grabitur nga dy të rinj në “Rrugën e Durrësit”. Ndërkohë që një tjetër grabitje ishte regjistruar më parë në afërsi të ambienteve të doganës së Tiranës. Sërish dy të rinj ishin autorët, por këtë radhë pa maska kanë grabitur një punonjës të hotelit “Akropol” në Tiranë dhe janë larguar.

Rastet e regjistruara

Grabitjet e kryera nga 3 hajdutët

Më konkretisht në ngarkim të tyre është dokumentuar tërësisht implikimi i tyre në vjedhjet si më poshtë: Më datë 21 korrik 2009, në komunën Gosë Kavajë, dyshohet se kanë realizuar vjedhjen e një lokali në pronësi të një shtetasi. Më datë 22 gusht 2009, në Bishtin e Zhurit Rrogozhinë, dyshohet se nën kërcënimin e armës, kanë realizuar vjedhjen një shtetas emigrant, i cili po kthehej nga Greqia me autobusin e linjës Selanik-Tiranë. Gjatë momenteve të zbritjes së emigrantit nga autobusi, autorët e sipërcituar e kanë rrëmbyer me automjetin e tyre tip Benz Mercedes, dhe më pas e kanë goditur atë duke i marrë sendet personale si (çantë brezi, telefon celular dhe shuma e parave prej 500 eurosh). Për shtetasit e lartpërmendur u kryen veprimet hetimore dhe procedurale, ndërsa në cilësinë e provës materiale u sekuestruan sendet e vjedhura si: 2 automjete, 5 telefona celular, 2 aparate fotografike dixhitalb dhe një kamerë dixhitale.

Grabitja në kryeqytet

Me maska grabitin klientin tek agjencia valutore

Grabitja e parë ka ndodhur në afërsi të Ministrisë së Ambientit rreth orës 13 e 15 minuta. Grabitësit me maska i kanë zënë pritë një personi, i cili sapo kishte këmbyer paratë e tij në një agjenci valutore dhe po dilte prej saj. Hajdutët i morën 1 milionë lek. Nën kërcënimin e armës ata i kanë rrëmbyer të hollat dhe janë larguar me shpejtësi. Policia tha se rezulton t’i kenë marrë personit në fjalë të paktën 1 milion lekë. Edhe pse grabitësit janë vënë në ndjekje nga policia, ende nuk ka të dhëna për identitetin e tyre. Pikat e këmbimit valutor në Tiranë dhe njerëzit që këmbejnë paratë e tyre në këto pika janë bërë shpesh objekt i sulmeve me qëllim grabitjen.

I ndoqi për t’i kapur

Hotelieri plagoset me thikë nga hajdutët, i morën paratë

Sakaq, një tjetër grabitje ishte regjistruar më parë në afërsi të ambienteve të doganës së Tiranës. Sërish dy të rinj, por këtë radhë pa maska kanë grabitur një punonjës të hotelit “Akropol” në Tiranë dhe janë larguar. Policia tha se 26-vjeçari Genci Domi e ka kuptuar se është vjedhur prej tyre dhe është vënë në ndjekje të dy grabitësve. Në momentin që i ka kapur dhe ka kërkuar t’i kthehen paratë e grabitura, ai është qëlluar me thikë. Për fat të mirë 26-vjeçari Domi ka marrë plagë në një pjesë të trupit që nuk rrezikon jetën. Ai ndodhet i shtruar në Spitalin Ushtarak, ndonëse është jashtë rrezikut për jetën.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›