E Diel, 1 Nëntor 2026

Fatos Klosi: Mund të largohemi nga partia

25/08/2009  Kundërshtarët e bashkëpunimit LSI-PD, presion ndaj aleancës së re

Mohohet formimi i një partie të re dhe bashkëpunimi me PS-në

Aleanca e re e Lëvizjes Socialiste për Integrim me Partinë Demokratike, mund të sjellë një tronditje në radhët e partisë, e cila konsiderohet si forcë politike e spektrit të majtë. Disa nga anëtarët e lidershipit të LSI-së prej disa ditësh kanë ngritur zërin kundër bashkëpunimit të partisë së tyre me demokratët e Kryeministrit Sali Berisha. Por, ditën e djeshme reagimi ka qenë akoma më i fuqishëm. Oponentët më të fuqishëm të aleancës së re LSI-PD, e cila do të shfaqet tërësisht në qeverinë e re, kanë deklaruar se mund të largohen përfundimisht nga LSI, partia që drejtohet nga Ilir Meta. Anëtari i kryesisë së Lëvizjes, Fatos Klosi, ka deklaruar ditën djeshme për mediat se në qoftë se LSI do të bëhet pjesë e qeverisë së ardhshme, duke bërë aleancë me PD-në, atëherë do të ketë largime nga kjo parti. “Në qoftë se Lëvizja Socialiste për Integrim do të futet në qeveri ne nuk e ndjejmë më veten brenda saj. Ne bëmë një thirrje të cilën po e lidhin me Kongresin e Partisë Socialiste. Por, nuk ka asnjë lidhje. Personalisht kam marrë shumë mbështetje në bazë për qëndrimin që mbajta”, ka deklaruar ai. Klosi bën me dije se anëtarë të tjerë të kupolës së LSI-së kundërshtojnë aleancën e re me PD-në dhe ato mund të largohen nga LSI nëse një gjë e tillë do të ndodhë. Ai flet për nënkryteratin e partisë Pëllumb Xhufi dhe anëtarët e kryesisë Sabit Brokaj dhe Ndre Legisi. “Edhe Xhufi, edhe Sabiti, edhe Ndre Legisi, Ilir Meta i futi në atë kategori që nuk do vlerësoheshin nga votat që do merrnin. Pa Xhufin, pa Sabitin, pa Ndre Legisin etj., Iliri do ishte atëherë partia me të shoqen”, thumbon Fatos Klosi. Duke përcjellë reagimin e fortë ndaj aleancës mes LSI-së dhe PD-së, Klosi akuzoi kreun e partisë, Ilir Meta, se duke bërë marrëveshje me Kryeministrin Berisha, tradhtoi idealin kryesor të Lëvizjes, me të cilën kjo forcë politike kishte marrë mbështetjen e shqiptarëve në pesë vitet e ekzistencës së saj. Ai sqaroi se pesë përfaqësuesit e LSI-së që kundërshtojnë lëvizjen e Ilir Metës nuk do të krijojnë në rast të largimit nga LSI-ja ndonjë parti tjetër. Fatos Klosi, gjithashtu, ka mohuar kategorikisht mundësinë e bashkëpunimit të anëtarëve të kryesisë së LSI-së me Partinë Socialiste.

Aleanca e PD-së me LSI-në për të bashkëqeverisur vendin në katër vitet e ardhshme erdhi si pasojë e rezultatit të zgjedhjeve parlamentare të 28 qershorit. Rezultati që PD-ja dhe koalicioni i drejtuar prej saj morën në zgjedhje i diktuan nevojën për të zgjeruar këtë aleancë, me qëllim krijimin e një qeverie të qëndrueshme. Për këtë arsye, lideri demokrat Sali Berisha i drejtoi një ftesë publike kreut të LSI-së Ilir Meta, për të qenë pjesë e koalicionit qeverisës me PD-në, ftesë e cila u prit pozitivisht nga ky i fundit, por edhe nga Konventa Kombëtare e Jashtëzakonshme e LSI-së. Por gjatë mbledhjes së këtij forumi dolën zërat e parë kundër këtij bashkëpunimi. Janë pikërisht këtë persona, pjesë e lidershipit të LSI-së që tani bëjnë presion duke deklaruar mundësinë e largimit nga LSI-ja.

Reagimi: Kundërshtarët prej kohësh të vetpërjashtuar

Drejtori i Zyrës së Shtypit pranë Lëvizjes Socialiste për Integrim, njëherësh dhe anëtar i kryesisë së përgjithshme të kësaj force politike, Dritan Ylli, ka reaguar menjëherë ndaj deklaratës së Fatos Klosit. Duke përcjellë qëndrimin zyrtar të Lëvizjes, Ylli ka deklaruar se oponentët e bashkëpunimit mes partisë që përfaqëson dhe Partisë Demokratike janë prej kohësh të vetëpërjashtuar nga LSI-ja. Sipas tij, grupi prej pesë anëtarësh të kryesisë s partisë, Pëllumb Xhufi, Sabit Brokaj, Mustafa Muçi, Fatos Klosi dhe Ndre Legisi janë larguar vetë nga kjo forcë politike, duke ndërmarrë aktin e vëtëpërjashtimit. Ylli ka kujtuar se vendimi për bashkëpunimin me PD-në ka kaluar përmes vendimmarrjes së forumeve më të larta të partisë. Në këtë reagim, por edhe në qëndrimet e pak ditëve më parë, Ylli ka theksuar se vendimet kanë qenë krejtësisht unanime dhe transparente, në mbështetje të plotë të qëndrimit të LSI-së për aleancën qeverisëse të integrimit. Ai ka kujtuar se programi i LSI-së ka prioritet madhor integrimin e vendit në strukturat e Bashkimit Evropian dhe se do të veprojmë gjithmonë vetëm në funksion të interesave të mëdha të vendit.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›