“Lulja e Kaktusit” nga Vlora shpallet fituese në Mitrovicë
Festivali i Komedisë që u zhvillua në qytetin e Mitrovicës në Kosovë ka shpallur fituese trupën e Vlorës me shfaqjen “Lulja e Kaktusit”. Pas suksesit që kjo trupë pati në skenën e teatrit “Petro Marko”, ajo udhëtoi drejt Mitrovicës për të marrë pjesë në Festivalin e Komedisë, që u mbyll të dielën. “Në shfaqjet në teatrin “Petro Marko”, ne kemi patur testimin e publikut dhe ajo është pritur mirë, në të gjithë komponentët e vet, zgjedhjen e pjesës, punën regjisoriale si dhe interpretimin e aktorëve”.- tha drejtori i teatrit, Dhimitër Furxhi. Ndërkohë që për regjisorin e shfaqjes, Roland Minga, suksesi i shfaqjes qëndron te personazhet e veprës, që janë jetësorë, i përjetojmë dhe i shohim në përditshmërinë tonë. Mesazhi i veprës është i gjithkohshëm. Rolet dhe personazhet janë dashuruar edhe nga vetë aktorët dhe kjo reflektohej edhe në skenë. Në Festivalin e Komedisë morën pjesë trupa teatrore nga Kosova dhe Shqipëria. Gjatë këtij edicioni u shfaqën komedia “Ëndërr për një karrige”, nga teatri Drenica; komedia “Gruaja e burrit tim”, luajtur nga Teatri i Podujevës; “Mirëmëngjesi Interes”, të autorit Kristo Floqi nga teatri “Hasan Prishtina” nga Vushtrria; komedia “Ëndrra amerikane”, nga trupa e Teatrit të të Rinjve të Prishtinës; komedia “Lulja e kaktusit”, nga teatri “Petro Marko” Vlorë; dhe komedia “Më e vërtetë se e vërteta”, nga trupa e Teatrit të Metropolit në Tiranë. Me çmim të dytë u nderua Teatri i Metropolit, me komedinë “Më e vërtetë se e vërteta” dhe në vend të tretë teatri “Hasan Prishtina”, nga Vushtrria. Aktorja dhe aktori më i mirë më e mirë u shpallën aktorët e komedisë fituese “Lulja e kaktusit”, Desantila Kristo dhe Astrit Mamaj.