E Shtunë, 31 Tetor 2026

Musical që ndërthur folklorin me bashkëkohoren në TKOB

TIRANË- Teatri Kombëtar i Operas dhe Baletit do të sjellë për publikun mbrëmjen e 10 qershorit një musical që ndërthur folklorin shqiptar me elemente bashkëkohore, ideuar nga Zhani Ciko.

"Rituali i jetës" titullohet shfaqja, e cila do të bazohet në tre linja kryesore si lindjen, dasmën dhe vdekjen, por që do të vijnë invers për publikun. Sipas koreografit dhe regjisorit të shfaqjes Arian Sukniqi, kjo zgjedhje, pra që shfaqja të fillojë me vdekjen dhe të mbarojë me lindjen, është bërë në mënyrë që publiku të mos largohet nga salla me brengë.

"Shfaqja edhe pse është trajtuar në një aspekt bashkëkohor, është totalisht shqiptare në çdo koncept dhe element", tha sot Sukniqi gjatë një konference për shtyp.

Etnomusicali bashkon artistët e trupës së baletit të TKOB-së me solistët e Ansamblit të Këngëve dhe Valleve Popullore, të cilët do të interpretojnë nën muzikën e Klodian Qafokut. Ky i fundit, gjatë konferencës, tha se ky musical insipirimin e ka nga folklori shqiptar, por që këngët, si p.sh të dasmave apo vajet, do të sillen me një kompozim i ri.

Ideja për këtë shfaqje ka qënë e drejtorit të TKOB, Zhani Ciko, i cili e cilësoi këtë projekt si të paprecedent në TKOB-në.
"Dëshira ka qënë për të sjellë jetën e Ansamblit dhe të folklorit shqiptar, për të sjellë etnosin tonë të lidhur ngushtë me jetën, me ciklet, lindja, zhvillimi i jetës dhe mbyllja e ciklit”, tha Ciko. Sipas tij, modernia vjen në këtë shfaqje sepse tashmë jeta shqiptare është moderne, ngjarjet e shfaqjes përjetohen në kontekstin e sotëm.

Shfaqja vjen si një zinxhir ritesh, që e kanë piknisjen në gjëmën njerëzore, vdekja, për të kaluar më pas tek dasma dhe në fund musical-i mbyllet me optimizmin e lindjes, për të dhënë mesazhin se jeta është e bukur.
"Rituali i jetës" do të shfaqet mbrëmjen e datave 10, 11 dhe 12 qershor.
(e.m/ata/BalkanWeb)

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›