E Shtunë, 31 Tetor 2026

Leonard Cohen, “Princi i Asturias” në letërsi

SHKRUAN: Aida Tuci 07-06-2011 12:15

Kantautori, shkrimtari dhe poeti kanadez Loenard Cohen, 77 vjeç, është fitues i çmimit letrar ‘Princi i Asturias’ për vitin 2011. Kantautori kanadez, edhe pse nuk arriti ta fitonte këtë çmim pak muaj më parë në kategorinë Arte (çmim që u fitua nga dirigjenti italian Riçardo Muti), ai la pas kandidaturat e 32 shkrimtarëve që ishin shpallur finalistë, duke marrë çmimin ‘Princi i Asturias’ në kategorinë e Letërsisë. Juria e fondacionit ‘Princi i Asturias’ shpalli dje në Madrid fituesin, duke theksuar se kantautori kanadez Cohen është shpallur fitues “për vlerat në veprat e tij letrare dhe për poezinë në këngët e tij”. Lonard Cohen duket se ka qenë i preferuari i jurisë deri në votën e fundit, duke lënë pas shkrimtarin anglez Ian McEwan dhe shkrimtaren kanadeze Alice Munro. Edicioni i një viti më parë i çmimit të ‘Princit të Asturias; që ka vlerën e një ‘Nobeli’ për spanjollët, iu dha shkrimtarit franko-libanez Amin Maalouf. Në vitin 2009 ky çmim i është dhënë dhe shkrimtarit shqiptar Ismail Kadare. Fondacioni ‘Princi i Asturias’ thotë se çmimi i tij për letërsi i jepet “një personi, një institucioni, një grupi të njerëzve apo një grupi të institucioneve, vepra apo hulumtimet e të cilëve përbëjnë një kontribut ndaj kulturës universale në fushën e letërsisë apo linguistikës”. Jose Hierro, Miguel Delibes, Mario Vargas Llosa, Camilo Jose Cela, Doris Lessing, Susan Sontag, Paul Auster, Amos Oz dhe Margaret Atwood janë gjithashtu në mesin e laureatëve të mëhershëm të këtij shpërblimi.

Kantautorit-shkrimtar Leonard Cohen-it do t’i dorëzohet çmimi, bashkë me çekun prej 50 mijë eurosh dhe statujën e realizuar nga skulptori Joan Miro, në muajin tetor, në teatrin Campoamor në Oviedo, qyteti i fonacionit të ‘Princit të Asturias’, në prezencën e princit Filipe de Borbon dhe princeshës Letizia Ortiz, trashëgimtarë të kurorës spanjolle. Çmimi ‘Prini i Asturias’ konsiderohet si ekuivalent iberiko-amerikan i çmimit ‘Nobel’. Sipas jurisë së çmimit, Cohen “me muzikën, poezinë dhe publicistikën e tij ka ndikuar në tri gjenerata njerëzish në mbarë botën. Çmimi i jepet për shëmbëlltyrën emocionale në të cilën poezia dhe muzika janë bashkëshkrirë në një vepër me vlera të përhershme. Ikja e kohës, marrëdhëniet sentimentale, traditat mistike të Lindjes dhe Perëndimit dhe jeta e kënduar si një baladë e papërfunduar, e përbëjnë krijimtarinë e tij të shoqëruar me momente të veçanta të ndryshimit vendimtar në fund të shekullit të 20-të dhe fillim të shekullit të 21-të”, ka thënë ndër të tjera juria. Loenard Cohen ka arritur të fitojë mes 32 kandidaturave që ishin përzgjedhur paraprakisht nga juria si finalistë. Leonard Cohen ka qenë gjithashtu edhe kandidat i këtij viti për çmimin ‘Princi i Asturias’ në art, i cili u fitua nga dirigjenti italian Riçardo Muti.

Kantautori-shkrimtar

Përmbledhja e parë me poezi e kantautorit është botuar në vitin 1956, ndërsa romani i parë sheh dritën e botimit në vitin 1963. Pjesa më produktive e krijimtarisë së tij letrare u shkrua në vitet ’70, por “babai” i kantautorëve botërorë ka vazhduar të shkruajë deri në vitin 2006, kur publikoi “Book of Longing”, ndërsa albumi i tij i fundit i përket vitit 2004, me titull “Dear Heather”. Ai është autor i përmbledhjeve me poezi “Flowers for Hitler”, “Parasites of Heaven” dhe “Let Us Compare Mythologies”, të frymëzuara nga poeti dhe dramaturgu spanjoll Federico Garcia Lorca. Ai gjithashtu ka shkruar romane, si “The Favorite Game” dhe “The Beautiful Losers”. Ndërsa si kantautor, më të suksesshmet janë: “Suzanne”, “Last year's man”, “So long Marianne” dhe “I'm your man”.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›