Lulzim Basha: PD do të ecë drejt një ringritjeje, për rikthimin e shpejtë në mazhorancë

Kryebashkiaku i Tiranës, Lulzim Basha bëhet pjesë e garës për kreun e ri të Partisë Demokratike, duke prezantuar platformën që synon ringritjen e shpejtë të Partisë Demokratike dhe fitoren e saj në zgjedhjet e ardhshme. Në përpjekjen e tij për të drejtuar demokratët, ai sheh si mbështetje vizionin e themeluesit Azem Hajdari, por edhe trashëgiminë e Sali Berishës, liderit historik të së djathtës
Kryesia e PD administron sot kandidaturat dhe shpall procedurat e fushatës për kreun e partisë
Dy vjet pasi solli fitoren e Partisë Demokratike në Bashkinë e Tiranës, Lulzim Basha shpall zyrtarisht kandidaturën për kreun e kësaj force politike. Përmes një deklarate për mediat, z.Basha zyrtarizoi kërkesën e tij për të qenë pjesë e garës për zgjedhjen e kreut të ri të Partisë Demokratike. Kryetari i Bashkisë së Tiranës e vlerësoi si të pamundur zëvendësimin e liderit të PD-së, Sali Berisha, kur tha se ai do të mbetet lideri historik i demokratëve. Megjithatë, sipas tij, nisur nga fakti se PD është një trashëgimi e vyer, nevojitet një të ecet drejt një ringritje me qëllim që nesër ajo të jetë shumicë, me synim, tha ai, “rikthimin tonë si mazhorancë zyrtare”. “Këto kanë qenë ditë reflektimi të thellë për ne demokratët dhe gjithë mbështetësit tanë anembanë vendit. Kam parë dhe prekur hidhërimin për humbjen në sytë dhe duart e qindra mbështetësve tanë të palodhur. Kam dëgjuar dhe ndjerë tronditje, zhgënjim dhe madje edhe zemërim për një rezultat të cilin askush prej nesh nuk e përfytyronte vetëm pak ditë më parë. Por kam ndjerë po kështu në shtrëngimin e çdo dore vendosmërinë për t’u ringritur, kam lexuar në sytë tuaj forcën për tu përballur me sfidat që na presin, dhe kam dëgjuar nga zemrat tuaja thirrjet për të nisur të gjithë së bashku, plot shpresë, besim dhe energji, një fillim të ri në rrugën drejt rikthimit si mazhorancë!” - u shpreh z.Basha.
Në gjykimin e tij, familja e madhe e demokratëve duhet të jetë më e bashkuar se kurrë dhe tani është momenti që çdo anëtar i saj, çdo demokrat dhe demokratë të jetë i gatshëm të japë kontributin e vet maksimal për këtë fillim të ri. “Pas një reflektimi të gjatë, pas mijëra mesazheve të anëtarëve dhe militantëve të Partisë Demokratike dhe pas një bisede me kryeministrin Berisha jam sot para jush për t’ju komunikuar një nga vendimet më të vështira dhe të kthjellëta të jetës time. Vendimin për të kandiduar për kryetar të Partisë Demokratike. Jam thellësisht i vetëdijshëm se sa përgjegjësi e madhe është të kandidosh për kreun e një partie që ka lindur nga lëvizja historike e dhjetorit 1990, të një partie që ka ndryshuar historinë e Shqipërisë së re, që është udhëhequr nga Sali Berisha, që ka patur në krye të saj që prej fillimit elitën e mendjes, shpirtit dhe kurajos për ta bërë Shqipërinë të lirë dhe demokratike, me gjithë anëtarët dhe mbështetësit e saj, me gjithë popullin shqiptar. Askush nuk e zëvendëson dot Sali Berishën, ai është lideri ynë historik, dhe burim i pashtershëm force, energjie dhe krenarie për çdo demokrat. Ai është më shumë se një simbol, vetë ndërgjegjja e Partisë Demokratike. Por misioni i lirisë dhe Shqipërisë së zhvilluar europiane nuk duhet të ndalojë për asnjë moment” - theksoi Basha. Por, detyra që e pret nuk është e lehtë, sfidat janë të mëdha dhe për këtë kryebashkiaku vjen në garë për kryesimin e PD me një projekt për fillimin e ri të kësaj partie. “I vetëdijshëm për trashëgiminë tonë të vyer, plot bindje në vlerat e të sotmes ju ftoj të ecim së bashku drejt projektit të së ardhmes tonë, drejt fillimit të ri, projektit të ringritjes dhe fitores. Në projektin tonë të Fillimit të Ri, Partia Demokratike duhet dhe do të mbështetet fort tek ju anëtarët dhe militantët e saj të përkushtuar në vite. Burra dhe gra gjigantë në kontribute dhe sakrifica, modestë dhe të heshtur në kërkesa dhe përfitime. Për mua, në pikënisje dhe themel të Fillimit tonë të ri duhet dhe do të jetë ndjeshmëria absolute për zërin tuaj dhe përgjegjshmëria e lartë për ta dëgjuar, respektuar dhe kthyer atë në moto të veprimit tonë politik. Partia Demokratike duhet dhe në pikëpamjen time do të ndërtojë një sistem të qartë dhe transparent të meritës dhe kreditimit për kontributet e çdo anëtari. Kësaj duhet ti paraprije një analize e drejtë, e vërtetë dhe me përgjegjësi, para dhe pas çdo procesi zgjedhor”, deklaroi ai. Për funksionimin e këtij projekti, Basha do të mbështet pikërisht tek tradita e kësaj partie. “Kjo kërkon evidentimin e plotë të të gjithë potencialit tonë njerëzor, të të gjithë kontributit historik të anëtarësisë tonë në vite, dhe angazhimin pa asnjë hezitim, pa asnjë pengesë të këtij potenciali i cili i vënë në punë me eficensë, përbën një forcë të pathyeshme njerëzore siç demonstrojnë edhe fushatat tona fituese. Dhe në përpjekjen time për ta drejtuar këtë fillim të ri unë do të mbështetem fort tek vizioni, kurajoja dhe qëndresa e themeluesve, e Azem Hajdarit, dhe qëndrestarëve të tjerë. Do të mbështetem tek përvoja e çmuar e dhjetëra drejtuesve te Partisë Demokratike sot, dhe ndër vite. Do të mbështetem tek lidershipi historik i Sali Berishes që është një pasuri e paçmueshme për Partinë Demokratike dhe projektin tonë të Fillimit të Ri”, nënvizoi Basha. Ai jep garancinë e PD për kursin europian të Shqipërisë, kur thotë se, finalizimi i projektit europian është porosi dhe objektiv gjenetik i Partisë Demokratike. “Pa hezituar të japim kontributin e opozitës në procesin e reformave për integrimin e vendit ne Bashkimin Europian, Partia Demokratike do të angazhohet për marrjen e këtij statusi dhe hapjen e negociatave sot. Dhe do të jetë Partia Demokratike nesër në drejtim të vendit që do ta finalizojë këtë proces që qëndron si një porosi dhe objektiv gjenetik i saj, anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian” - deklaroi z.Basha.
Ai foli edhe për projektet strategjike që mbajnë firmën e qeverisë së Partisë Demokratike dhe kryetarit të saj, Sali Berisha. “Do të mbrojmë arritjet tona dhe do të luftojmë në parlament dhe me çdo mjet tjetër për avancimin dhe përfundimin në afat të të gjitha projekteve që ne nisëm. Mirëqenie përmes punësimit, punësim përmes investimeve, investime përmes një klime pozitive dhe më të favorshme, kjo është trashëgimia jonë. Do luftojmë me çdo mjet të ligjshëm për të mbrojtur kuadrin ligjor që mundësoi kthimin e Shqipërisë në një vend konkurrues dhe me klimë te favorshme biznesi. Do të kontribuojmë që projekti i gazsjellësit TAP, ky sukses historik i kryeministrit Berisha i barabartë për nga impakti ekonomik dhe strategjik me një pavarësi të dytë të vendit, të nisë sa më parë nga zbatimi” - tha më tej z.Basha.
Kandidatura e Lulzim Bashës vjen pas asaj të depozituar nga ministri i Transporteve dhe Punëve Publike, Sokol Olldashi. Dorëzimi i dokumenteve të kandidatëve që do të garojnë për kreun e Partisë Demokratike mbyllet sot në orën 24:00. Ndërsa do të jetë kryesia ajo që do të shqyrtojë kandidaturat dhe do të vendosë nëse janë në përputhje me statutin.