E Shtunë, 31 Tetor 2026

Lulzim Basha takon qytetarët e njësisë bashkiake nr 7 në Tiranë, premton hipotekimin e apartamenteve brenda 6 muajve

07-04-2011 / Gazeta 55

Kandidati i “Aleanca për Qytetarin” për bashkinë e Tiranës, Lulzim Basha, përfundon turin e tij të dëgjesave me banorët e njësive bashkiake në kryeqytet


Kandidati i mazhorancës për Bashkinë e Tiranës, Lulzim Basha i premtoi sot qytetarëve të njësisë bashkiake nr 7 se pas marrjes së detyrës së re, atë të kryetarit të bashkisë së kryeqytetit, do të çlirohen 700-800 milionë euro kapital i ngrirë, që vje si pasojë e mungesës së hipotekimit të apartamenteve në këtë zonë. Edhe pse kanë paguar kursimet e jetës për të pasur një shtëpi, shumica e banoreve të Tiranës nuk kanë ende të hipotekuara apartamentet e reja. Ky ka qenë pikërisht dhe një nga shqetësimet që ka dëgjuar kandidati për bashkinë e Tiranës, Lulzim Basha gjatë bashkëbisedimit me banorët e njësisë numër 7. Duke iu përgjigjur interesit të një banoreje, Basha tha se ky problem do të gjejë zgjidhje brenda 6 muajve të mandatit tij. “Shtëpitë e pahipotekuar do të thotë të paktën 700-800 milion euro kapital i ngrirë në këtë qytet. Unë brenda gjashtë mujorit të parë ju jap fjalën që ky kapital do të shkrihet dhe banorët do të marrin hipotekimin e banesave”- tha Basha. Krahas kësaj, Basha është njohur edhe me problemin e 8 familjeve të strehuara në një godinë shtetërore por që rrezikojnë të mbeten në rrugë të madhe pasi aty është vendosur në mënyrë abuzive, sipas banorëve, të ndërtohet një pallat. “Kemi 20 vjet këtu kemi paguar qira, i kemi paguar Bashkisë së Tiranës qiranë dhe ky objekt është objekt shtetëror si ndërtesë”- thanë banorët. Edhe në këtë njësi bashkiake, Basha ka dëgjuar se shqetësim mbetet infrastruktura rrugore, mungesa e gjelbërimit, këndeve të lojërave për fëmijë dhe niveli i lartë i ndotjes. “Kjo është një lagje që ka nevojë për rrugë, sistemim dhe kazanë plehrash. Shkolla është jashtë standardit sepse është e mbipopulluar. Në këtë shkollë bëhet mësim me dy turne. Kjo pjesa këtu është betonizuar komplet, nuk ka asnjë ambient për fëmijët, as për të moshuarit, nuk ka asnjë pemë. Pastrimi dhe gjelbërimi është për faqe të zezë”, thanë banorët e njësisë nr 7. Një grup fëmijësh kërkuan nga Basha ndërtimin e një fushe lojërash, pasi ajo ku luanin përdorej më shumë për parkim. Bizneset e vogla të zonës kërkuan uljen e taksave si të vetmen mundësi për të vijuar aktivitetin e tyre. Kandidati Basha përsëriti se ai do të ulë taksa nga 2 deri në 5 herë. Banorët kanë shprehur besimin se Basha do ta shndërrojë në realitet programin e tij siç shndërroi në realitet ëndrrat e shqiptarëve. “Ti do fitosh se ke punuar. Shkoi në Ministrinë e Transportit lidhi kombin, shkoj në Ministrinë e Brendshme bashkoi zemrat e nënave me fëmijët e tyre. Ky është një falenderim”, tha një e moshuar. Me njësinë nr 7 në Kryeqytet, Basha ka përfunduar mbrëmë turin e dëgjimit në të gjithë gjitha njësitë bashkiake të Tiranës.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›