E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tirana përshëndet zgjedhjen e Presidentes kosovare

TIRANE-Menjëherë pas zgjedhjes së Presidentes së re nga Kuvendi i Kosovës, Tirana zyrtare nisi mesazhet përshëndetëse në adresë të kreut të ri të shtetit kosovar, njëkohësisht duke vlerësuar dhe figurën e Presidentes së re.

Topi
Presidenti i Republikës, Bamir Topi, nëpërmjet një mesazhi uroi sot znj.Atifete Jahjaga me rastin e zgjedhjes në detyrën e lartë të Presidentes së Republikës së Kosovës.
Në mesazhin e tij, Presidenti Topi shkruan “E nderuara Zonja Presidente, eshtë një nder dhe kënaqësi e veçantë t’Ju uroj për zgjedhjen Tuaj si Presidente e Republikës së Kosovës! Është një moment historik për Kosovën dhe gjithë kombin shqiptar që në krye të shtetit zgjidhet një grua me integritet të lartë profesional dhe tepër të respektuar. Në emrin tim dhe të gjithë popullit shqiptar, uroj që të keni sukses të plotë në detyrën tuaj të lartë për të përballuar të gjitha sfidat që ka Republika e Kosovës drejt rrugës së përbashkët të integrimit të plotë euroatlantik!
"Shpreh bindjen e plotë se marrëdhëniet e shkëlqyera midis dy shteteve tona do të zhvillohen e intensifikohen më tej në të gjitha drejtimet, në të mirë të kombit tonë dhe paqes e stabilitetit në rajon", theksohet në mesazhin e Presidentit Topi.

Topalli
Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, përshëndeti sot zgjedhjen e znj.Atifete Jahjaga, si Presidente e Republikës së Kosovës.
Në një mesazh urimi dërguar znj.Jahjaga, Kryetarja e Kuvendit, Topalli, shprehet se, “jam e lumtur që Kosova në shenjë të lartë emancipimi ka sot një president grua”.
“Në emrin tim dhe të deputetëve të Kuvendit të Republikës së Shqipërisë, Ju përcjell përshëndetjet më të përzemërta dhe urimet më të mira për zgjedhjen tuaj si Presidente e Republikës së Kosovës dhe si e para grua në këtë post të lartë dhe të nderuar. Unë gjej rastin të përgëzoj liderët politikë të Kosovës që treguan pjekuri dhe emancipim për të vënë interesat e vendit mbi çdo gjë dhe përballuan me sukses këtë sfidë në të mirë të popullit të Kosovës, për të vazhduar reformat dhe perspektivën evropiane te vendit tuaj. Por mbi të gjitha unë jam e lumtur që Kosova në shenjë të lartë emancipimi ka sot një presidente grua dhe gratë dinë të bëjnë më të mirën për vendin e tyre", shkruan në mesazhin e saj Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli.

(d.b/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›