E Hënë, 2 Nëntor 2026

Lumi Vjosa ndotet me hidrokarbure, Albpetrol: Njollë e vjetër që aktivizohet nga temperaturat e larta, do pastrohet

Kompania shtetërore e naftës, Albpetrol, njoftoi të shtunën se një vendburim i vjetër nafte është shkaku i ndotjes së lumit të Vjosës, i denoncuar së fundi nga organizatat mjedisore.

Lumi Vjosa konsiderohet si lumi i fundit i egër në Europë, ndaj ka edhe statusin e një Parku Kombëtar, por drejtuesi i organizatës europiane për mbrojtjen e lumenjve “River Watch”, Ulrich Eichelmann, publikoi pak ditë më parë një video nga terreni se si ujërat në një segment të tij ishin nxirë nga hidrokarburet, që notonin mbi sipërfaqe, si dhe gjallesa të ngordhura. Ai kërkoi nga qeveria që të ndërhyjë për situatën.

Sipas Albpetrolit, mbetjet vijnë nga vendburimi i Gorisht-Koculit, një vendburim 60-vjeçar si pjesë e industrisë së nxjerrjes së naftës në këtë zonë, dhe nuk janë derdhje të reja, siç pretendohet.

“Fatkeqësisht kjo njollë aktivizohet në temperatura të larta, pasi gjatë pjesës tjetër të vitit nuk ka rrjedhje të këtyre mbetjeve, dhe ky është një fakt tjetër që mund të provohet lehtësisht edhe nga ekspertët e mbrojtjes së mjedisit dhe raportimet e medieve,” thuhet në njoftimin e kompanisë.

Kompania shtetërore siguroi se mbrojtja e mjedisit është prioritet për të, ndaj është e angazhuar plotësisht për të rehabilituar pjesën e lumit të ndërlidhur me zonën naftëmbajtës.

“Gjatë aktivitetit të kësaj zone për 6 dekada me radhë, ky vendburim ka prodhuar mbetje të shumta, të cilat deri para pak vitesh nuk janë trajtuar sipas protokolleve teknike, të cilat ne zbatojmë rigorozisht sot për eliminimin e tyre.

Kompania Albpetrol do të vijojë me një plan masash të përcaktuar qartë, të pastrojë zonat e ndotura për dhjetëra vite me radhë, duke i kushtuar kujdes të veçantë mbrojtjes dhe rehabilitimit të mjedisit, sidomos në mbrojtje të pasurisë tonë natyrore kombëtare, Lumit Vjosë,” njoftoi Albpetrol.

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›