E Shtunë, 31 Tetor 2026

Lumi e dërgon Kanunin në Sarajevë

Shfaqja “Këmisha e gjakut”, me motive nga Kanuni i Lekë Dukagjinit dhe tragjeditë e dramaturgut anglez William Shakespeare, me regji të Bekim Lumit, prodhim i Teatrit Laborator Loja, është ftuar në Festivalin Ndërkombëtar të Teatrit MESS, i cili mbahet në Sarajevë prej datës 28 shtator deri më 7 tetor.

Në këtë festival shfaqja kosovare është pjesë e programit zyrtar “Mittel Europe” dhe, si e tillë, para publikut sarajevas do të jepet më 4 tetor, në orën 22:00, në ambientet e një shtëpie tradicionale muzeale boshnjake, e njohur si “Svrzina kuća” (Shtëpia e Svërzës). Ky është edicioni i 52-të i këtij festivali, në të cilin krahas Kosovës, me produksionet e tyre teatrore, marrin pjesë dhe paraqiten vende të shumta të botës, të tilla si: Anglia (Mbretëria e Bashkuar), Austria, Brazili, Bullgaria, Bosnja e Hercegovina, Çekia, Franca, Gjermania, Hungaria, Italia, Kili, Kroacia, Maqedonia, Polonia, Rusia, Serbia, Spanja, SHBA, Shqipëria dhe Zvicra.

“Këmisha e gjakut” është një krijim artistik eksperimental i ndërtuar mbi motivet dhe fragmentet e tragjedive “Makbethi”, “Rikardi III” dhe “Hamleti” të Shakespeare-it dhe mbi disa nga motivet e kodit zakonor shqiptar “Kanuni i Lekë Dukagjinit”, i cili ngërthen në vetvete shumë nga traditat, doket, zakonet dhe ritualet e vjetra shqiptare. Kësisoj, kjo shfaqje, përmes gërshetimit të motiveve shekspiriane dhe motiveve të kodit zakonor shqiptar, përmes lojës dhe kreacionit aktoresk, përmes asociacioneve, inicialeve, simboleve dhe metaforave të ndryshme skenike, duke tejkaluar qëllimshëm çdo lexim, interpretim dhe trajtim regjisorial konvencional të tragjedive të Shakespeare-it, në rrafshin artistik vjen në formën e një akti krijues eksperimental, gjatë të cilit publiku bën zbërthimin, transkriptimin dhe interpretimin e tri “përrallave” të ndryshme, të cilat në këtë shfaqje, të ngjizura në “gjakun” e njëra tjetrës, vijnë si një “përrallë” e vetme.

Shfaqja “Këmisha e gjakut” është realizuar nga Teatri Laborator Loja në Muzeun Etnologjik të Kosovës, në Prishtinë, si rezultat i një procesi kërkimor – kreativ eksperimental njëvjeçar (shtator 2009 – shtator 2010). Premiera e kësaj shfaqjeje, për të cilën bileta kishte kushtuar 100 (njëqind) Euro, është mbajtur më 27 shtator të vitit 2010. Për dy vjet me radhë, prej vitit 2010 e këndej, shfaqja “Këmisha e gjakut” është luajtur gjatë disa sezoneve teatrore dhe, si e tillë, ajo është paraqitur më shumë se 50 (pesëdhjetë) herë para publikut vendor dhe atij ndërkombëtar në Kosovë. Regjinë e shfaqjes “Këmisha e gjakut” e ka bërë regjisori Bekim Lumi. Në këtë shfaqje luajnë aktorët: Melehate Qena, Adriana Matoshi, Afrim Muçaj, Astrit Geci, Bujar Ahmeti, Ermal Rexha e Kastriot Grajçevci. Pjesë e kësaj shfaqjeje, me vokalin e tyre, janë edhe solokëngëtarët Riad Ymeri (tenor) e Besa Llugiqi (soprano). Kostumografinë e shfaqjes e ka bërë Samka Ferri, skenografinë Mentor Berisha, ndërkaq mjeshtër ndriçimi është Skender Latifi.

Kritika teatrore vendore dhe ajo e huaj e ka vlerësuar shfaqjen me tone të larta, duke e cilësuar atë si një prurje e re, në të cilën “është investuar jo vetëm mundi fizik njëvjeçar, por edhe çdo lloj mundi – intelektual, konceptual, regjisorial dhe aktoresk” dhe e cila, “si një shfaqje e teatrit fizik, deri në detajet më të imëta, është konceptuar dhe realizuar në stilin e magut të këtij zhanri, Jerzy Grotowski.”

Përndryshe, kjo shfaqje, përveç në kuadër të repertorit vendor, në formën e videoprojeksionit është paraqitur edhe në Teatrin Lalish në Vjenë (Austri) dhe në Shkollën Verore të Teatrologëve në Universitetin e Mainz-it (Gjermani). Pjesëmarrja e tanishme në Festivalin Ndërkombëtar të Teatrit MESS, në Sarajevë, është paraqitja e parë e Teatrit Laborator Loja dhe e shfaqjes “Këmisha e gjakut” në një festival teatror me karakter ndërkombëtar jashtë Kosovës. Pjesëmarrja e shfaqjes në këtë festival është mbështetur nga Ministria e Punëve të Jashtme e Kosovës dhe nga Drejtoria për Kulturë e Komunës së Prishtinës.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›