Lumi i Bunës, Shqipëria dhe Mali i Zi projekt të përbashkët për thellimin
Ervin KOÇI
Situata e përmbytjeve të herëpashershme në zonën e Shkodrës duket se vitin që vjen do të gjejë një zgjidhje. Lumi Buna që është dhe kolektori natyror i liqenit të Shkodrës dhe lumit Drin, do të nisë nga thellimi dhe pastrimi i shtratit të tij në pranverën e vitit 2011. Kjo gjë do të realizohet falë një marrëveshjeje dypalëshe midis Shqipërisë dhe Malit të Zi, të cilët do të angazhohen në rregullimin e shtratit të këtij lumi. Sipas marrëveshjes puna për thellimin e shtratit të lumit Buna, do të fillojë brenda muajit mars ku grupet e ekspertëve të të dyja vendeve do të fillojnë punën. Ministri i Mjedisit, Fatmir Mediu, nënshkroi dje marrëveshjen për këtë çështje me homologun e tij në Malin e Zi, Milutin Simovic. Lumi Buna, gjatë këtyre viteve është mbushur me prurje të shumta lymore, inerte dhe gurë. Pamundësia e Bunës për të tërhequr ujin çoi edhe në rritjen e nivelit të liqenit dhe përmbytjen dramatike të qytetit të Shkodrës. “Duhet të nisim me disa ndërhyrje të emergjencës që janë riparime të disa dëmeve dhe me projekte konkrete që do të sjellin zgjidhje afatmesme dhe afatgjata. Emergjenca kërkon që ne të ndërhyjmë për të shmangur sadopak pasojat e përmbytjeve, ndërsa perspektiva kërkon impenjime të thella”,- tha Mediu.
Projekti
Ministri Mediu informoi se dje kishte nisur puna në grykëderdhjen e Bunës dhe se brenda muajit mars do të paraqesim projekte afatmesme për ndërhyrjen në Bunë që të minimizohet rreziku i përmbytjeve. Ky projekt i cili është mbështetur nga pala malazeze, do t’i shërbejë të dyja vendeve për mbrojtjen nga përmbytjet. Projekti synon pastrimin e shtratit dhe largimin e të gjitha pengesave artificiale si: mbeturinave të urave të shkatërruara, anijeve të mbytura, mbetjeve nga drunjtë etj. Pastrimin e shtratit rreth urave ekzistuese për të parandaluar ngadalësimin e rrjedhshmërisë përgjatë lumit të Bunës; thellimin, zgjerimin (ku është e mundur) dhe rehabilitimin e shtratit të lumit të Bunës; pastrimin e grykëderdhjes së lumit të Bunës në det; rishqyrtimin e kuotave të argjinaturës, etj.
Bashkëpunimi
Sipas ministrit të Mjedisit, Mediu, projektet do të jenë të përbashkëta dhe çdo ndërhyrje në Bunë do të bëhet me miratimin e të dyja palëve. Ministri malazez, tha se ky projekt do të shërbejë edhe si një urë bashkëpunimi mes dy vende fqinje që aspirojnë të jenë pjesë e Bashkimit Europian. “Shtabi i Emergjencës e ka arritur qëllimin, janë ruajtur jetët e njerëzve, është arritur qëllimi kryesor. Në të dy palët kemi pasur kontakte çdo dy orë, dhe themi që është një hap i mirë dhe një hap që do të çojë në realizimin e projekteve afatgjate. Rregulli i kësaj çështjeje kërkon kohë por tregon se projekti është kompleks dhe do të punojnë për realizimin e tij. Pala malazeze dhe shqiptare janë gati për realizimin e këtij projekti”,- tha ministri malazez Simovic. Mbi 10 mijë ha në Shkodër vazhdojnë të jenë të përmbytura, dhe shumë komuna e bashki janë të bllokuara.
Shkodër, nën ujë janë akoma 10.800 ha tokë
Në ditën e 15-të të përmbytjeve uji në Shkodër vazhdon tërheqjen e tij duke nxjerrë në sipërfaqe objektet e përmbytura. Për një përmirësim të situatës mund të flitet për hyrjen e qytetit dhe lagjet Perash e Xhabije, ku niveli i ujit ka rënë, por nuk mund të thuhet e njëjta gjë për komunat e Nën-Shkodrës. Komunat Bushat, Velipojë, Dajç dhe fshati Obot vazhdojnë të mbeten të izoluar nga uji. Në këto komuna niveli i ujit arrin deri në dy metra, ndonëse gjatë këtyre ditëve ka pasur rënie të nivelit të ujit. Në ditët e para të përmbytjes niveli i ujit arrinte deri në 4 metra. Mungesa e reshjeve të shiut në tre ditët e fundit dhe ulja e nivelit të liqenit të Shkodrës ka ndikuar në tërheqjen e ndjeshme të ujit në hyrje të qytetit, ku tashmë është i mundshëm kalimi dhe me mjete të vogla. Mbetet prezent uji në lagjet Perash dhe Xhabije. Statistikat e fundit të raportuara nga Shtabi i Emergjencave raportojnë për 10.800 ha tokë nën ujë, nga 11.440 ha tokë e raportuar dy ditë më parë. Gjatë 24 orëve të fundit ka vazhduar tërheqja e ujit dhe dalja e objekteve në sipërfaqe. Aktualisht, në qytetin e Shkodrës dhe rrethinat janë nën ujë 1200 objekte, shumica e të cilave shtëpi banimi. Ulja e nivelit të ujit ka shtuar dhe numrin e qytetarëve që rikthehen në shtëpitë e tyre, të braktisura në ditën e parë të përmbytjes masive. Numri i të kthyerve në shtëpitë e tyre deri në orët e vona të ditës së djeshme ishte 3.335 persona.
Shkurt
Mediu: “Vendorët, kujdes me administrimin e pyjeve”
Ministri i Mjedisit, Fatmir Mediu, ju ka kërkuar të gjitha strukturave të pushtetit vendor që të merren me administrimin e sipërfaqeve pyjore. Gjatë një takimi me përfaqësues të bashkive dhe komunave, por edhe specialistë të mjedisit, ministri Mediu u shpreh se mbrojtja e pyjeve nuk është kompetencë vetëm e pushtetit qendror, por dhe atij vendor. Sipas tij, do të ndëshkohet jo vetëm çdo person që shkel ligjin duke shpërdoruar hapësirat e pyjeve, por edhe inspektorët të cilët lejojnë këto abuzime. “Gjithë kjo pasuri e madhe kombëtare është pasuri e shqiptarëve, nuk është thjesht pasuri e ministrisë së Mjedisit. Ministria e Mjedisit i administron ato, por pushteti lokal i cili është administrator i territorit ka autoritetin e plotë edhe mbi pyjet shtetërorë edhe mbi pyjet lokalë për t’i vlerësuar ato si pjesë e tyre, për të ndërhyrë dhe për të ndaluar çdo lloj veprimtarie të paligjshme që ndodh në atë territor. Ta konceptojmë si një marrëdhënie të përbashkët, të mirëadministrimit dhe menaxhimit të kësaj pasurie kombëtare brenda kritereve ligjore”,- tha Mediu. Ndërkohë, ministri i Mjedisit, tha se gjatë këtij muaji do t’i kushtohet një rëndësi e veçantë nismave që duhet të ndërmerren në të ardhmen, për shtimin e hapësirave të gjelbra.
Meta në Kosovë: “T’i heqim barrierat ekonomike mes dy vendeve”
Shkëmbimet ekonomike dhe tregtare mes Kosovës dhe Shqipërisë këtë vit është rritur në 50 për qind krahasim me vitin e kaluar. Në tryezën e organizuar nga Oda Ekonomike e Kosovës dhe ajo e Shqipërisë për bashkëpunimin ekonomik në mes të dy vendeve tona, ku ishin të pranishëm edhe përfaqësuesit e biznesit nga të dy vendet, ministri shqiptar i Ekonomisë, Ilir Meta, tha se një ndër prioritetet e bashkëpunimit në mes të dy vendeve është krijimi i një sistemi të përbashkët energjetik. "Investim madhor i cili do të filloj me linjën e transmetimit midis Shqipërisë dhe Kosovës në fillim të vitit të ardhshëm i financuar nga Banka Gjermane për Zhvillim do të jetë një instrument shumë i fuqishëm për integrimin e dy sistemeve tona energjetike”,- tha Ilir Meta, Zëvendëskryeministër i Shqipërisë. Ndërsa ministri në dorëheqje për Integrime Evropiane i Kosovës, Besim Beqaj tha se, të dy qeveritë kanë gatishmëri për të tejkaluar disa barriera ekonomike që janë paraqitur deri tash në bashkëpunimin tregtar midis dy vendeve. Në këtë takim zëvendëskryeministri Ilir Meta ka falënderuar Qeverinë dhe popullin e Kosovës për ndihmën që kanë dhënë për tejkalimin e situatës së rënduar në Shkodër pas përmbytjeve.
15 Dhjetor 2010