E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pensionet e ushtarakëve, PD-LSI në prag të çarjes së tretë



Miratimi i Aktit Normativ për pensionet e ushtarakëve pritet të përbëjë përplasjen e radhës mes Partisë Demokratike dhe Lëvizjes Socialiste për Integrim. Burime nga LSI-ja kanë bërë të ditur se kjo parti është kundër projektit të ri të qeverisë për pensionet suplementare të ish-ushtarakëve, që është miratuar dje në Komisionin e Sigurisë Kombëtare. Sipas burimeve, deputetët e Lëvizjes Socialiste për Integrim ose pritet të mos marrin pjesë në procesin e votimit në seancë, ose të abstenojnë për këtë akt normativ. Ajo që është e sigurt është se LSI-ja nuk do t’i bashkojë votat e me Partinë Demokratike për të miratuar këtë draft. Kjo për faktin se Lëvizja Socialiste për Integrim e konsideron shtresën e ish-ushtarakëve si elektorat të majtë, pra mbështetës të kësaj partie dhe nuk mund të dalë kundër interesave të kësaj shtrese në prag të zgjedhjeve lokale. Në këto kushte, kryeministrit Berisha i duhet të negociojë për vota për të miratuar këtë projekt që kërkon shumicë të thjeshtë, pra 71 vota. Duket se Akti Normativ për pensionet e ish-ushtarakëve do të shënojë rrjedhjen e tretë të votave të koalicionit qeverisës.
Votat
Deputetët e Lëvizjes Socialiste për Integrim, gjatë këtij viti që kanë bashkëqeverisur me PD-në, nuk kanë bashkuar votat me aleatin e madh për ligjin për Shërbimin Informativ Kombëtar dhe për heqjen e mandatit të deputetit socialist Ilir Beqja. Pak muaj më parë, vetë kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta, deklaroi hapur se nuk do t’i votojë ndryshimet në ligjin për Shërbimin Informativ Shtetëror. Duke kundërshtuar qëndrimin e demokratëve, ai tha se konsultimet me NATO-n për këtë projektligj nuk kanë përfunduar dhe votimi i tij është i nxituar edhe për një arsye tjetër, atë të dhënies së qëndrimit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë për Kosovën. “Ky është një projektligj shumë i rëndësishëm, sikurse shumë të rëndësishme janë marrëdhëniet e Shqipërisë me NATO-n. Ne jemi anëtarë të Aleancës dhe çdo rishikim i këtij ligji, qoftë dhe një presje, duhet bërë në konsultim të ngushtë me NATO-n. Në dijeninë time, deri tani ky konsultim i ngushtë nuk ka përfunduar, kështu që do të ishte, mendoj, e panevojshme që kjo çështje të diskutohet sot. Së dyti, të mos harrojmë se kjo është një ditë që gjithë bota dhe gjithë partnerët i kanë sytë te vendimi që do të japë GJND-ja, e cila do të risjellë në vëmendje të gjithë botës dhe njëherë tjetër çështjen e Kosovës, ndaj mendoj që diskutimi i këtij projektligji është i nxituar”, - u shpreh kryetari i LSI-së, Ilir Meta. Po kështu, deputetët e LSI-së nuk votuan pro heqjes së mandatit të deputetit Beqja, të kërkuar nga Partia Demokratike. Përveç socialistëve, kundër maxhorancës votuan deputetët Paulin Sterkaj, Dritan Prifti, Shpëtim Idrizi dhe abstenuan Lefter Koka i LSI-së e Dashamir Tahiri i PDU-së.

Box
Akti Normativ, opozita braktis Komisionin e Sigurisë, PD-ja voton e vetme

Deputetët e Partisë Socialiste braktisën dje mbledhjen e Komisionit Parlamentar të Sigurisë, ku u diskutua dhe u miratua vetëm me votat e deputetëve të maxhorancës Akti Normativ për pensionet e parakohshme të ish-ushtarakëve. Pavarësisht qëndrimit kundër të deputetëve socialistë, maxhoranca e miratoi e vetme draftin. Përfaqësuesit opozitarë në Komision e cilësuan Aktin Normativ antikushtetues dhe antisocial. Në emër të PS-së, socialisti Ilir Gjoni kërkoi në Komision shtyrjen e diskutimit dhe shqyrtimin e projektit në prani të grupeve të interesit, ndërsa argumentoi se me këtë ligj cenohen të drejtat ligjore të ushtarakëve, të fituara me një vendim të Gjykatës Kushtetuese. Por, anëtari i djathtë, kryetar i Komisionit të Sigurisë, Leonard Demi, theksoi se ushtarakët nuk janë përjashtuar nga e drejta e shqyrtimit të ligjit. Sipas tij, mbledhja është e hapur dhe ata mund të vijnë të sjellin argumentet e tyre. Sipas deputetëve demokratë, për shkak të vendimit të Gjykatës Kushtetuese të 26 prillit 2010 është krijuar një efekt financiar i konsiderueshëm, i cili nuk mund të përballohet dhe sjell efekte financiare të papërballueshme. Ndaj dhe ky akt, sipas tyre, rivendos një balancë ndërmjet përfituesve.
Deri sot, ushtarakët, policët, punonjësit e Policisë së Burgjeve, Punonjësit e Gardës, të SHISH-it apo të Policisë së Mbrojtjes nga Zjarri, përveç sigurimit shoqëror të përgjithshëm prej 11.2% të pagës bruto, paguanin një kontribut shtesë prej 2% të pagës bruto. Me miratimin e Aktit Normativ, ky kontribut shtesë tani rritet në 5%. Kjo bëhet për të përballuar koston financiare të pensioneve të parakohshme, që mund të vijë si pasojë e lirimit nga detyra e ushtarakut. Me Aktin e ri Normativ dhe formulën e përllogaritjes së pensioneve të parakohshme, ato nuk mund të jenë më të vegjël se pensioni minimal në Republikën e Shqipërisë, por nuk rriten dot as më shumë se 21 380 lekë. Kësaj i shtohet kompensimi për energjinë elektrike dhe e drejta për të punuar në një punë tjetër, pa e humbur pensionin e parakohshëm. Mirëpo shoqatat e ish-ushtarakëve protestojnë. Një vendim i Gjykatës Kushtetuese i qershorit të këtij viti ka hequr tavanet për pensionet e parakohshme. Por, po të zbatohej formula pa tavan, një pension i parakohshëm maksimal i një gjenerali me 27 vjet karrierë mund të kapte 107 300 lekë, pra thuajse sa rroga neto e sekretarit të Përgjithshëm në ministrinë e linjës. Veç kësaj, impakti financiar i pensioneve të parakohshme në Buxhetin e Shtetit do të ishte 1.2 miliardë lekë në vit. “Gjendemi përballë të drejtës dhe pamundësisë për të plotësuar këtë të drejtë, për shkak se përllogaritja nuk referohet në një ligj, po në një vendim të Gjykatës Kushtetuese”, - tha Lindita Rusmali, drejtoreshë juridike në Ministrinë e Financave. Ish-ushtarakët protestojnë dhe vënë në dukje plot kontradikta që sipas tyre ka kuadri ligjor. Në një letër dërguar Komisionit ata kërkojnë moskrijimin e kufizimeve artificiale.

Shkurt
Rama në Durrës: “Protestat do të intensifikohen në ditët në vijim”

Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, ka deklaruar se opozita do të intensifikojë protestën në rrugët e Shqipërisë. Gjatë fjalës së tij ai ka theksuar se qeveria i ka lënë në baltë shqiptarët, ndërkohë që vendi sa vjen dhe varfërohet. “Kërkojmë transparencën e zgjedhjeve dhe nuk heqim dorë nga transparenca. Jemi të vendosur për të vazhduar betejën. Do të intensifikojmë protestën tonë në çdo rrugë të Shqipërisë”, - tha Rama. “Qeveria i ka lënë në baltë shqiptarët, ndërkohë që sot Shqipëria është më e varfër. Jemi këtu të çlirohen zgjedhjet e ardhshme, ndërsa Berisha bën çmos të na ndajë për të sunduar”, u shpreh Rama. “Ne i ofruam tre zgjidhje për përmbytjet që u refuzuan si herezi. Berisha të heqë dorë nga shiritat elektoralë dhe të diskutojë me opozitën”, - shtoi ai.

Haxhinasto merr pjesë sot në takimin e Kartës Adriatik 5

Ministri i Punëve të Jashtme, Edmond Haxhinasto, do të marrë pjesë sot në Takimin e Komisionit të Partneritetit të Kartës së Adriatikut (A5), që zhvillohet në Shkup, në kuadër të kryesisë maqedonase të Kartës së Adriatikut. Në këtë takim pritet të marrin pjesë ministrat e Punëve të Jashtme të Shqipërisë, Kroacisë, Maqedonisë, Malit të Zi, si dhe zëvendësministri i Punëve të Jashtme i Bosnjë-Hercegovinës dhe zyrtarë të lartë të SHBA-ve. Në takim do të marrë gjithashtu pjesë ministrja e Punëve të Jashtme e Kosovës. Gjatë takimit vendet anëtare të iniciativës A5-SHBA do të diskutojnë mbi perspektivën e integrimit euroatlantik të Europës Juglindore pas Samitit të NATO-s në Lisbonë dhe vazhdimin e angazhimit dhe kontributet e vendeve të Kartës së Adriatikut për Sigurinë dhe stabilitetin në Afganistan. Në përfundim të takimit vendet anëtare të Kartës së Adriatikut do të miratojnë edhe një komunikatë finale. Gjatë vizitës së tij, ministri i Punëve të Jashtme, Edmond Haxhinasto, do të zhvillojë takime me homologët e tij dhe me përfaqësuesit e faktorit politik shqiptar në Maqedoni.

Berisha në 20-vjetorin e PD-së: “Kemi realizuar ëndrrat e të rinjve të vitit ‘90”

Partia Demokratike ka festuar dje 20-vjetorin e krijimit të Partisë Demokratike. Gjatë fjalës së mbajtur në ceremoninë festive Berisha theksoi se qeveria e tij tashmë ka realizuar ëndrrat e atyre të rinjve që thërrisnin për Shqipërinë si gjithë Europa. “Në datën 8 dhjetor, në darkë, studentët e universiteteve në Tiranë, të udhëhequr nga Azem Hajdari, do të mbushnin rrugët e kryeqytetit në një betejë që detyroi klikën në pushtet të firmoste kapitullimin e saj dhe të pranonte pluralizmin me Partinë e parë, atë Demokratike”, - është shprehur Berisha. “Sot kemi arsye të festojmë Shqipërinë 20-vjeçare dhe shqiptarët 20-vjeçarë me lirinë dhe dinjitetin e tyre. Ne, duke shfrytëzuar lirinë, jemi 20 vjet larg nga skëterra i diktaturës që lamë pas. Sot jemi vendi frymëzues i lirive dhe tolerancës fetare. Vendi që nuk ka asnjë proces ndaj fjalës së lirë dhe mediave të lira. Duhet të ndihemi më krenarë se kurrë se Kosova është e pavarur dhe Europa ka hedhur poshtë traktatet për coptimin e territoreve të Shqipërisë”, - tha Berisha. “Shqipëria në Europë dhe në NATO ishte thirrja që buronte nga shpirti i studentëve të Dhjetorit ‘90. Sot Shqipëria është anëtare e NATO-s, shqiptarët nesër do të lëvizin të lirë në mbarë Europën. Shqiptarët ecin të sigurt në rrugën e integrimit të tyre në BE. Shqipëria që 20 vjet më parë kishte ekonominë më varfër në Europë, sot është vendi që ka lënë mbrapa edhe ndonjë vend anëtar të BE-së. Është vendi më i preferuar për investime në mbarë botën”, - shtoi Berisha.

15 Dhjetor 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›