E Shtunë, 31 Tetor 2026

Këshilli Europian, realizim të 12 kushteve, pastaj statusi për Shqipërinë



BRUKSEL – “Pa realizuar 12 kushtet nuk do të merret statusi i vendit kandidat për anëtarësim në BE”.Ky është kushtëzimi që bëri dje Këshilli Europian për Shqipërinë në deklaratën e miratuar për strategjinë e Zgjerimit. Në trajtimin e rastit të Shqipërisë, krerët e qeverive të Bashkimit Europian i kërkuan Komisionit që të ndjekë zbatimin e kritereve të përcaktuara në Opinionin e nëntorit dhe të përgatitet një opinion tjetër gjatë vitit 2011. “Këshilli thekson se hapja e negociatave për anëtarësim do të shqyrtohet nga Këshilli Evropian, në përputhje me praktikën e vendosur, pasi Komisioni të vlerësojë se Shqipëria ka arritur shkallën e nevojshme, në përputhje me kriteret e anëtarësimit dhe në mënyrë të veçantë të përmbushë 12 prioritetet kryesore të përcaktuara në Opinionin e Komisionit Europian për vendin”, - thuhet në deklaratën e miratuar të martën në Bruksel. Këshilli fton Komisionin të fokusohet në raportin e progresit të vitit 2011 për Shqipërinë, në veçanti, në zbatimin e atyre prioriteteve kryesore të cilat duhet të adresohen dhe do të kthehet në ato çështje, kur Komisioni të vlerësojë se këto kushte janë plotësuar. Struktura më e lartë e BE-së vlerësoi se Shqipërisë do ti duhet një periudhë afatmesme për të plotësuar detyrimet që rrjedhin nga anëtarësimi pasi nuk janë realizuar shumica e fushave të përcaktuara në të ashtuquajturin “Acquis”.
Deklarata përfundimtare bën të ditur se “këto prioritete kryesore përqendrohen në stabilitetin e institucioneve që garantojnë demokracinë, sundimin e ligjit, reformat gjyqësore, luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, reformën zgjedhore, reformat në administratën publike dhe mbrojtjen e të drejtave të njeriut, duke përfshirë edhe të drejtat mbi pronësinë”. Po ashtu, “Këshilli Europian inkurajon partitë politike për tejkalimin e konfliktit të tanishëm politik, duke vendosur një dialog politik të qëndrueshëm dhe konstruktiv për të siguruar funksionimin e duhur të Kuvendit.
Ditën e djeshme Këshilli i krerëve të qeverive të vendeve anëtare të BE-së miratoi strategjinë e përgatitur nga Komisioni Europian për Zgjerimin. Në raport përcaktohen hapat që do të ndiqen për Turqinë, Malin e Zi, Serbinë, Maqedoninë dhe Bosnjën.

A. Gjoka

15 Dhjetor 2010

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›