E Diel, 1 Nëntor 2026

Lunaçek ndër 13 kandidatët për kreun e BE në Kosovë

BRUKSEL-Përfaqësuesja e lartë e Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Catherine Ashton, do ta zgjedhë në mesin e 13 kandidatëve shefin e ardhshëm të Zyrës së BE-së në Kosovë, ndonëse ende nuk dihet si do të quhet saktësisht kjo zyrë.

Deri më tani BE-ja në Kosovë ka pasur Zyrën Ndërlidhëse të Komisionit Evropian dhe Zyrën e Përfaqësuesit të Posaçëm të BE-së në Kosovë, EUSR. Aktualisht, duke reflektuar hyrjen në fuqi të Traktatit të Lisbonës dhe krijimin e Shërbimit të Veprimit të Jashtëm Evropian EEAS, BE-ja gjithkund ku ka përfaqësues të posaçëm dhe delegacione të komisionit do t’i bashkojë ato nën një kulm dhe me një shef.
Në konkursin për shefin e Zyrës së BE-së në Kosovë, i cili sipas të gjitha gjasave do të bëhet më vonë edhe EUSR, janë lajmëruar 13 kandidatë. Ndër emrat e vetëm që janë përmendur janë Urlike Lunacek, deputete austriake në Parlamentin Evropian dhe raportuese për Kosovën, dhe Janina Hrebickova, ish-shefe e Zyrës Çeke në Kosovë. Mësohet se ka edhe kandidatë nga Sllovenia. Diplomatët pranojnë se nuk ka pasur ndonjë interesim të madh për këtë post, dhe madje disa edhe e kanë refuzuar ofertën për të kandiduar.

Në BE sqarojnë se ky konkurs nuk ka qenë formalisht për EUSR-in, pra për personin që do ta zëvendësojë Peter Feithin, të cilit tashmë i ka skaduar ky mandat dhe i ka mbetur vetëm ai i ICR-së, por për shef të Zyrës së Komisionit Evropian. Por, të njëjtat burime pohojnë se në praktikë pritet që ai i cili do të zgjidhet në këtë post, do të bëhet edhe EUSR, nëse për një gjë të tillë pajtohet Këshilli i BE-së, pra vendet anëtare. Diskutimet mes vendeve anëtare tashmë janë duke u zhvilluar.

(d.b/KohaDitore/BalkanWeb)

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›