Lunaçek: Ndërkombëtarët t`i hapin rrugë integrimit të Kosovës

Raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Ulrike Lunaçek, ka përshëndetur vendimin për përfundimin e mbikëqyrjes së pavarësisë së Kosovës, proces që do të realizohet të hënën në Prishtinë. Ajo u shpreh se kjo do të jetë një ditë historike për Kosovën dhe qytetarët e saj dhe se tani katër vjet e gjysmë pas shpalljes së pavarësisë kjo fazë po përmbyllet dhe, sipas saj, Kosova do të jetë tërësisht e pavarur.
Lunaçek tha gjithashtu se bashkësia ndërkombëtare duhet t`i mundësojë Kosovës integrimin në strukturat ndërkombëtare, qoftë keto sportive, kulturore apo politike. Nder te tjera Lunaçek theksoi se duhet të vazhdojë procesi i njohjeve të pavarësisë së Kosovës, në mënyrë që Kosova të sigurojë edhe përfaqësim të duhur ndërkombëtar.
Në këtë kontekst, sipas saj, pesë vendet anëtare të Bashkimit Evropian, të cilat nuk e kanë njohur Kosovën, duhet ta njohin sa më shpejt që të jetë e mundur. Ulrike Lunaçek vlerësoi edhe deklaratën e fundit të kryetarit të Parlamentit Evropian, Martin Shulz, i cili tha se në një afat të gjatë si kusht për t`u integruar në Bashkimi Evropian, Serbia dhe Kosova duhet ta njohin njëra-tjetrën.
Lunaçek tha më tej se Kosova, edhe pas përmbylljes së kësaj faze do të përballet me shumë sfida, ndërsa u bëri ftesë autoriteteve të Kosovës që të bëjnë më shumë në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit.
Edhe pse EULEX-i do të ketë një rol në këtë fushë, ajo vlerësoi se përgjegjësia kryesore bie mbi autoritetet e Kosovës. Po ashtu,
Lunaçek ka porositur edhe serbët e Kosovës se nuk kanë nevojë t`i frikësohen pavarësisë së plotë të Kosovës, sepse Kosova ka dëshmuar deri më tani se dëshiron t`i integrojë edhe serbët si qytetarë të saj të plotë.
Lunacek i bëri thirrje Beogradit që sa më shpejt të zbatojë të gjitha marrëveshjet, të cilat janë arritur deri më tani në dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe ka shprehur shpresën se Kosova, në raportet me Bashkimin Evropian do të arrijë përparim sa më të shpejtë edhe në procesin e liberalizimit të vizave, ashtu dhe mundësinë e lidhjeve të kontratave, përfshirë edhe një Marrëveshje të Stabilizim-Asociimit, për të cilën pritet studimi i Fizibilitetit së shpejti.