E Diel, 1 Nëntor 2026

Lushnja hyn në javën e zhvillimeve për futbollin

Nga Julian Kasapi

Këto ditë pritet të zhvillohet analiza e paralajmëruar nga drejtuesit e klubit dhe më pas pritet të bëhen edhe lëvizje të tjera

Pas disa kohësh pushimi absolut, pritet që kjo javë të sjellë diçka të re në futbollin lushnjar. Eshtë premtuar më parë nga drejtuesit e klubit se do të analizohet paraqitja e skuadrës në përgjithësi dhe e secilit futbollist në veçanti, analizë që mund të zhvillohet pikërisht këtë javë. Ky lajm vjen edhe nga burime pranë stafit të kryebashkiakut Fatos Tushe, njëkohësisht edhe president i Lushnjës.

Eshtë pikërisht kjo analizë, që do tu hapë rrugë zhvillimeve në kampin lushnjar, konkretisht organizimit të skuadrës për sezonin e ardhshëm. Futbollistët nga ana e tyre janë mjaft të qetë dhe po shijojnë pushimet, edhe pse për shumë prej tyre kanë ardhur edhe ofertat e para, madje edhe nga skuadra të Superligës.

Lushnja ka në gjirin e saj shumë futbollistë cilësorë, por të gjithë e kanë theksuar pas përfundimit të kampionatit se nuk do të marrin asnjë vendim para se të bëhet analiza dhe ata të mësojnë strategjinë e skuadrës së qytetit për sezonin e ri. Kampionati i fundit konsiderohet i dështuar, edhe pse verdhejeshilët u renditën në vend të tretë dhe shkuan në play-off, por vetëm kaq, sepse aty u mundën thellë nga Apolonia.

Fundi i kampionatit la një shije shumë të hidhur, sidomos dy ndeshjet e fundit, me Kukësin dhe me Apoloninë, që skuadra myzeqare i humbi me aq lehtësi. Presidenti Fatos Tushe ka bërë të ditur se do të vazhdojë ta mbështesë futbollin dhe për sezonin e ri mendohet të jetë i njëjti buxhet me atë që u akordua sezonin që lamë pas.

Nga ana tjetër, nga premtimet për një tapet të ri për stadiumin Roza Haxhiu, nuk ka asnjë konfirmim, edhe pse shumë është folur për ndërrimin e tij, sepse është degraduar në masën mbi 70 %. Klubit lushnjar i duhet të merret edhe me ambientet sportive përreth këtij stadiumi, kryesisht me anekset, ku stërviten ekipet e moshave, ambiente që lënë shumë për të dëshiruar dhe duhet vënë dorë për rregullimin e tyre.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›