Lushnja kalon pengesën e Velipojës, vendos java e fundit
Në një ndeshje mjaft korrekte skuadra e drejtuar nga tajneri Malko ka treguar vlerat e saj dhe ka arritur të marrë 3 pikët ndaj Adës
Ada-Lushnja 2-1
Shënues: Hotaj 77/ Metushi 66, Sefa 69
Ada: Dervishaj, Tota, Arra, Hotaj, Gogaj, Puka, Ferlushkaj, Pllumbaj, Rustja (Nika 72), Murati, Perfati (Lifja 65). Trajner: E.Nika.
Lushnja: Bejte, E.Sula, Sulo (Pernezha 46), Xhafa, Bufasi, Hasalla, Ikonomi (Gjoni 46), (Metushi 65), Topi, R.Sula, Sefa, Canka.
Trajner: S.Malko.
Gjyqtarë: E.Jorgji, R.Gançi, A.Preca (Elbasan)
Kartonë të verdhë: Ferlushkaj, Tota, Puka, Dervishaj, Canka
Ndryshe nga sa u tha gjatë javës, me deklarata provokuese, ndeshja mes Adës dhe Lushnjës ka qenë mëse korrekte. Nuk ka patur nevojë as për forca speciale policie dhe as për gjëra të tjera.
Ka qenë një 90-minutësh korrekt, në fund të të cilit Lushnja ka marrë 3 pikët. Ekipi i drejtuar nga trajneri Malko ka fituar me shifrat 1-2, pas një loje më bindëse. Me këtë fitore dhe pas barazimit mes Kukësit dhe Luftëtarit, Lushnja ka hyrë në garë për kalimin në superligë pas pasur nevojë për ndeshje shtesë.
Loja nis mirë për Adën, që e kërkon që nga minuta e parë të rrezikojë portën mike. Në minutën e 4-t Tota gjuan me kokë, por jashtë. Në të 18-tën Lushnja kundërpërgjigjet rrezikshëm me anë të E.Sulës, i cili gjuan fort nga rreth 30 metra, por jashtë. Rastin më të mirë për miqtë në këtë pjesë e ka sulmuesi Sefa, që shumë pranë portierit Dervishaj e kalon topin mbi traversë.
Në të 30-tën është Gogaj, i cili gjuan jashtë. Në të 38-ën dhe të 41-ën Lushnja ka dy mundësi të mira me Cankën dhe Sulon. I pari gjuan jashtë, ndërsa në rastin e dytë mesfushori pretendon për një 11-metërsh. Pjesa e dytë është më e mirë për miqtë, të cilët kërkojnë fitoren. Ata luajnë mjaft mirë dhe në harkun kohor të 3 minutave shënojnë dy gola.
Që në fillim të kësaj pjese Canka rrezikon, por gjuajtja e tij nuk është e saktë. Pas një lëmshi në portën mike, Ada mund të kishte shënuar me Pukën në minutën e 58-të. Në minutën e 66-të, i sapofuturi Metushi mposht Dervishajn me një gjuajtje të bukur. Pa kaluar 270 sekonda, Sefa lëshon një silurë dhe dyfishon rezultatin. Rezultati u shkon për shtat lushnjarëve, por ndeshjen e hap Tota, që, pas një harkimi në zonë, shënon me kokë dhe 1-2.
Minutat në vijim janë të ndezura dhe në të 75-ën trajner-lojtar Entrit Nika rrezikon seriozisht. Më pas është Puka që humbet një rast të artë shënimi. I gjendur në pozicion të volitshëm, me kokë ai e kalon topin mbi traversë. Në minutat e fundit Sefa mund ti kishte mbyllur llogaritë, por nuk arrin të shënojë golin e tretë. Një fitore e merituar e Lushnjës, ndërsa velipojakët mbajtën premtimin për të luajtur ndershëm deri në fund. Këtë e treguan edhe dje.
Trajnerët
Etrit Nika, trajner i Adës: Ekipi u mundua shumë për të arritur një rezultat pozitiv. Mendoj se patëm mundësi të mira për të marrë pikë, por përsëri loja individuale e lojtarëve tanë po na penalizon. Ada luftoi shumë dhe më vjen keq, që nuk arriti të marrë më të mirën.
Sajmir Malko, trajner i Lushnjës: Jam i kënaqur me mikpritjen që na ka afruar kjo fushë. Më vjen keq që gjithçka në prag të takimi ka qenë e nxitur më shumë mediatikisht. Kam gjetur si trajner dhe skuadër një mikpritje të ngrohtë. Jam i kënaqur që kam arritur të marrim 3 pikë, që na mbajnë ende në lojë për të kaluar direkt në superligë. Shpresoj që në përballjen direkte me Kukësin të bëjmë më të mirën.
