Mamurrasit i mjafton 1 gol për të mbijetuar
Lezhjanët nuk rrezikojnë, duke menduar më shumë për ndeshjes shtesë që do të zhvillojnë për të siguruar superligën
Mamurrasi Besëlidhja 1-0
Shënues: Fuçia 55
Mamurrasi: Aga, Shima, Bega, Demaj, Gecaj, Selaci, Hysa (Hasani 70), Lleshaj (Cara 57), Dhëmbi, Shushku (Kaziu 63), Fuçia. Trajner: B. Malaj.
Besëlidhja: R. Danaj, Shuli, Gruda, Stojçkoviç (Peqini 46), Shytani, K. Dibra, Noka, Çutra, Beqiri, Xhorxheviç (Miliç 63), S. Danaj. Trajner: R. Kulli.
Gjyqtarë: A.Beqiri, F.Mataj, B.Mesi (Tiranë)
Kartonë të verdhë: Shima, R.Danaj
Mamurrasi ka marrë tri pikë në ndeshjen me një kundërshtar të fortë si Besëlidhja, duke garantuar edhe një vit tjetër kategorinë e parë. Një ndeshje e fortë, me luftë sportive me grintë, e cila ka penalizuar edhe futbollistët e dy ekipeve që të mos shënonin në portat respektive. Besëlidhja e sigurt në ndeshjen shtesë për të kërkuar superligën, duket se ka menduar më shumë pikërisht për këtë sesa për ndeshjen me Mamurrasin, kjo shihej edhe nga formacioni.
Nga ana tjetër, ekipi vendës kërkoi me insistim golin, pasi matematikisht nuk e kishte siguruar akoma qëndrimin në kategorinë e parë, pasi rrezikonte play-out-in për të diskutuar qëndrimin në kategorinë e parë. Edhe përse takimi ka qenë i fortë, loja është zhvilluar në mesin e fushës, pasi sulmuesit kanë hasur në barrikadën e mbrojtjeve respektive dhe nuk kanë mundur të vënë në shënjestër portat.
Gjatë gjithë takimit janë shënuar shtatë gjuajtje në portat respetive, ku njëra prej tyre ka përfunduar në rrjetë. Mamurrasi ka rrezikuar gjashtë herë, ku vetëm dy prej tyre kanë përfunduar në kuadratin e portës mike dhe njëri hyri në rrjetër. Ndërsa ekipi mik ka rrezikuar në një rast të vetëm, ku edhe Aga ka pritur i sigurt.
Pjesa e parë ka nisur e shpejt, ku vendësit kanë kërkuar që të ushtrojnë presion ndaj ekipit kundërshtar, duke kërkuar zhvendosjen e lojës në gjysëmfushën mike. Ndërsa Besëlidhja e merr vetën shumë shpejt, arrin të mbrohet mirë dhe organizohet, por me shumë pasime, duke bërë që aksionet përmbylles të saja të mos ishin efikas. E kundërta ndodhi në pjesën e dytë, ku trajneri Besnik Malaj u kërkoi djemve të tij të zbllokonin rezultatin.
Dhe pa kaluar as dhjetë minuta, është Lleshaj, që nga e djathta e sulmit vendës, ekzekuton një goditje dënimi, duke kaluar topin në hyrje të zonës rreptësisë dhe aty është sulmuesi Fuçia, që gjuan bukur me kokë dhe arrin të dërgojë topin në rrjetën e portës lezhjane. Pas shënimit të golit, vendësit fitojnë qetësinë, qarkullojnë mirë topin, duke mos lënë lezhjanët të organizoheshin.
Ndërsa rasti më i bukur për miqtë ka qenë në të 87-ën minutë, ku Beqiri për lezhjanët ka gjuajtur bukur në hyrje të zonës, por portieri Aga është treguar i gatshëm, duke pritur topin. Një fitore e merituar e Mamurrasit, i cili do të luajë ndeshjen e fundit me kampionët e kategorisë së parë, Luftëtarin, në Gjirokastër.
Trajnerët
Besnik Malaj, trajner i Mamurrasit: Një fitore e arritur me shumë skakrificë, ndaj Besëlidhjes e cila ishte mjaft e motivuar dhe na vuri në vështirësi. Ishim nën presion, pasi kërkonim me çdo kusht garantimin e qëndrimit matematikisht në kategorinë e parë. Arritëm të merrnin një tripikësh me shumë vlera, duke pritur të qetë ndeshjen e fundit në Gjirokastër. Mamurrasi ka zhvilluar ndeshje mjaftë të mira në fundin kampionatit dhe mendoj se e meriton qëndrimin në kategorinë e parë. Për këtë falënderoj të gjithë futbollistët për kontributin që ata kanë dhënë në fushën e lojës.
Ridvan Kulli, trajner i Besëlidhjes: Kemi siguruar ndeshjen shtesë për të marrë pjesë në superligë dhe për këtë menduam të aktivizonin në këtë takim futbollistët që kanë luajtur më pak në kamjonat. Kjo edhe për shkak dëmtimesh, për të ruajtur futbollistët për ndeshjen tonë më të rëndësishme. Kishim mundësi edhe të merrnin një pikë, por u ndëshkuam nga një mungesë e vetme përqendrimi. Megjithatë, ky është futbolli. Ne do të bëjmë të pamundurën në ndeshjen play-off-it për të kaluar në superligë, pasi e meritojmë.
