E Shtunë, 31 Tetor 2026

Lushnja, sot përballë provës të së vërtetës

Nga Julian Kasapi

Sulmuesi Sefa do të jetë në stol i dëmtuar, ashtu si mesfushori Çela, por besimi për fitore është i madh

Lushnjarët do të luajnë sot ndeshjen e javës së 5-të dhe të parën nga ato që quhen përplasje direkte rivalësh. Në stadiumin Roza Haxhiu vjen sot Besëlidhja e vendit të parë dhe lushnjarët kanë rastin të tregojnë sa vlejnë realisht. Një fitore e mundshme ndaj një skuadre, që ka hedhur themele të forta për një vend në superligë sezonin e ardhshëm, mund të rikthente besimin te Lushnja, që ka lënë jo pak pikë këto javë të para.

Pikët e lëna në transfertë, por edhe në shtëpi, kanë bërë që Lushnja të devijojë disi nga kreu i tabelës së klasifikimit, që mbahet nga kundërshtari i sotëm, Besëlidhja. Në Lushnjë të gjithë besojnë për kthesën shkëndijat e para të së cilës janë dhënë që në Skrapar, edhe pse verdhejeshilët nuk morën më shumë se një pikë.

Historiku i ndeshjeve me lezhjanët është në favor të lushnjarëve, ndërkohë që edhe në miqësoren e verës kanë fituar këta të fundit. Gjithsesi, kanë ndryshuar shumë gjëra. Lushnjarët kanë vetëm një fitore, atë të javës së parë me Mamurrasin, kurse kundërshtarët vijnë me synime të qarta si pretendentë.

Gjendja e skuadrës Lushnja do të ketë sot në stol të dëmtuar disa nga titullarët e saj, me në krye fantazistin Çela, për të vazhduar me sulmuesin Sefa dhe mbrojtësin Dhima. Kësaj radhe, trajneri Ramadan Baballëku do të ketë në portë Bejten, në mbrojtje Mërtirin, Sulon, Bufasin dhe Erjon Sulën, në mesfushë do të jenë Byzhyti, Dervishi, Topit dhe Renato Sula, ndërsa në sulm do të jenë të rinjtë Canka dhe Allkanjari.

Canka do të jetë për herë të parë titullar këtë sezon, ndërkohë që stoli është i pasur me futbollistë të përvojës dhe me të rinj. Është stafi teknik që do të vendosë se cili e meriton të luajë.

Tifozëria Të gjithë faktorët dhe aktorët në Lushnjë presin një tripikësh nga benjaminët e tyre pas disa zhgënjimeve radhazi, pavarësisht se përballë janë lezhjanët me shumë pretendime. Hyrja në stadium do të jetë me pagesë, ndryshe nga takimi i parë i sezonit, që ishte falas.

Megjithatë, pritet të ketë mbështetje totale për shkak edhe të vështirësisë së sfidës së sotme. Pikërisht në të tilla ndeshje futbollistët lushnjarë e kanë treguar veten si fitues. Megjithatë, gjithçka do ta tregojë tapeti i Roza Haxhiut.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›