Ramadani: Luftëtari, favorit absolut për superioren
Futbollisti shkodran, Behar Ramadani, nuk e vë në diskutim suksesin këtë sezon
Dhe ndërsa 14 ekipe të kategorisë së parë sot përplasen për ti rrëmbyer pikët njëri-tjetrit, Luftëtari dhe Elbasani do të presin me qetësi rezultatet e tyre, që me siguri dëshirojnë që të përputhen me interesat e tyre, për të kaluar peripeci të tjera deri në kryqëzimin e armëve direkt më 16 nëntor, në Gjirokastër. Kjo ndërprerje nuk mendohet të sjellë ndonjë avantazh për Luftëtarin, që ka të angazhuar me kombëtaren Shpresa Alis Bacin.
Përkundrazi, përkohësisht mund ta nxjerrë më poshtë në renditjen provizore, por që krijon njëfarë ankthi, edhe pse do të jetë me 1 ndeshje më pak, sikundër edhe Elbasani. Efektet pamore të shkallëve të renditjes, aq më tepër kur shikohen shkarazi, kanë në njëfarë mase efekt psikologjik më shumë negativ. Zakonisht, kur ka ndërprerje në kalendar, ekziston mundësia për të bërë një bilanc të asaj që është realizuar.
Kështu, Luftëtari në 4 ndeshjet e zhvilluara ka arritur 3 fitore me diferenca të 1 goli, dhe ka pësuar një humbje minimale në Lezhë, 0-1. Ka shënuar 4 gola dhe ka pësuar 2. Duke marrë parasysh lojtarët që disponon, nuk mund të pranohet veçanërisht sasia e golave të shënuar, aq më tepër që në ndeshjen me Besëlidhjen nuk u realizua asnjë dhe nga të shënuarit dy mbajnë firmën e mesfushorit Mersini dhe një të mbrojtësit Sinani.
Është e qartë se më shumë vlejnë 3-pikëshat, edhe pse 4-2, që është golaverazhi i përgjithshëm i Luftëtarit në 4 ndeshje, është edhe rezultat i një ndeshjeje të vetme. Pra, ky ekip, për të treguar fytyrën e tij të vërtetë duhet të rritë forcën goditëse, pasi rezultatet me 1 gol diferencë janë tepër të brishta.
Ramadani Behar Ramadani, mesfushori shkodran që ka ndikuar për ardhjen edhe të 4 të tjerëve nga vatra e futbollit kombëtar dhe që ka qenë edhe në fazën e dytë të kampionatit të kaluar me Luftëtarin, shprehet:
Deri tani them se Luftëtari ka ecur pothuajse sipas paarshikimeve, ku do të ishte plotësisht kështu, nëse në Lezhë do të kishte marrë barazimin, por këto tani janë hipotekuar dhe ne duhet të përgatitemi për të marrë rezultate sa më të mira në vazhdim, duke nisur që në ndeshjen me Lushnjën. Nëse kjo e fundit fiton me Besëlidhjen, do të ketë vetëm 1 pikë më pak se Luftëtari.
Përgatitjet tona vazhdojnë me intensitet dhe po punohet për të eliminuar defektet e konstatuara deri tani, veçanërisht në ndeshjen në transfertë me Besëlidhjen. Unë isha dhe fazën e dytë të sezonit të kaluar, por evindentoj se kemi një ndryshim si nata me ditën, ndaj Luftëtarin e shikoj si një ndër favoritët kryesorë për ngjitjen në superligë, gjithmonë me mendimin se loja jonë do të vijë në rritje dhe në përputhje me potencialin që ka. Na duhet përqendrim dhe luftë me top e pa top, duke bërë sa më pak gabime në zbatimin e detyrave që na jepen.
