E Diel, 1 Nëntor 2026

Edvan Bakaj: Nëse Besa nuk kthehet në superligë, shkoj më këmbë në Tiranë

Nga Andi Matraxhiu

Portieri i Besës bën betimin përpara tifozërisë kavajase, duke u dhënë zemër shokëve të skuadrës

Edvan Bakaj është një nga pikat e forta të Besës të këtij sezoni. Pavarësisht problemeve në javët e para, ai ka besim se Besa do të ngjitet në superligë, sido që të shkojnë punët. Ata që e njohin nga afër Edvanin, e njohin mirë se pa pikën e dyshimit ai është gjithnjë humoristi i skuadrave me batutat e vazhdueshme.

Edhë në intervistat e tij ai lëshon një batutë, duke bërë një premtim që ka brenda edhe seriozitetin, por edhe humorin deri diku: Kthehem më këmbë në Tiranë, nëse nuk dalim në superligë. Është batuta e futbollistit tiranas, i cili është formuar në radhët e Partizanit dhe më pas është aktivizuar në ekipe si Luftëtari, Laçi, Dinamo dhe Besa, me të cilën bëri një paraqitje të shkëlqyer në gjysmën e kampionatit një vit më parë.

Edvan një start i vështirë për ju, për më tepër humbja ndaj Mamurrasit vazhdon të ul moralin e skuadrës suaj?

Çdo humbje ndikon në moralin dhe ecurinë e ekipit kur më tepër ne jemi pretendentë kryesorë, sepse jemi Besa, por duhet të gjejmë forca për të fituar. Futbolli sot nuk fitohet vetëm me emër dhe këtë e dinë shumë mirë të gjithë futbollistët e Besës, gjithashtu edhe unë.

Çfarë çalon më shume në skuadrën tuaj? Përse nuk ecin gjërat siç duhet, sipas këndvështrimit tuaj?

Çalon te fakti se ne menduam se jemi Besa dhe vetëm me emër do të dalim në superligë, por mendoj se duhet shumë sakrificë, shumë mund për të arritur objektivin. Por tani më mirë në njërin krah që kemi gabuar që në fillimet tona, sepse është koha e përshtatshme për të reaguar.

Ndeshja e radhës është me Vlorën, ku s’ju lejohen hapa falsë në asnjë mënyrë?

Jo vetëm ndeshja me Vlorën, por për ne të gjitha ndeshjet tani e tutje janë si një finale, ku sduhet të gabojmë me. Kundërshtari është tepër i vlerësuar nga ana jonë. Jam i bindur që lojtarët tanë do të japing më të mirën në këtë sfidë.

Në golat e pësuar deri tani sa % fajësoni mbrojtjen dhe sa % veten tuaj?

Them se mund ta ndihmoja skuadrën më shumë, po mendoj se mosaktivizimi 6 muaj te Dinamo më ka penalizuar shumë dhe forma ime nuk është akoma ajo qe kisha kur isha te Besa. Sa për shokët e skuadrës, nuk e kam në zanat ti fajësoj ata, sdo ta bëj asnjëherë diçka të tillë.

Në fund, a keni një mesazh për shokët e skuadrës dhe tifozerinë verdhezi?

Duhet të kenë më shumë besim te vetja dhe ka ardhur momenti të japim maksimumin tonë. Tifozët të jenë të sigurt që Besa do të shkojë aty ku e meriton. N.q.s. nuk dalim në superligë, do iki më këmbë në Tiranë.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›