E Diel, 1 Nëntor 2026

Lushtaku, Hoti dhe të tjerët shpallen të pafajshëm

Nga: Valdrin Krasniqi

Sami Lushtaku, Rexhep Hoti, Avni Azemi, Qani Mehmedi dhe Riza Hajdari, janë liruar sot nga Gjykata Themelore e Prishtinë në të gjitha pikat e aktakuzës për të cilat akuzoheshin në rastin e BIRN-it.

Të gjithë në grup, akuzoheshin se gjatë muajit maj-qershor 2009, kishin organizuar një fushatë mediale kundër drejtoreshës së BRIN-it, Jeta Xharres, në gazetën e përditshme “Infopress”.

Xharra ka pretenduar se Lushtaku, Hoti, Azemi, Mehmedi e Hajdari, kanë kryer vepër penale shkelje e statusit të barabartë të banorëve të Kosovës dhe kanosje.

Mirëpo gjykatësi i Gjykatës Themelore të Prishtinës, Vladimir Mikulla, nuk ka gjetur asnjë provë që të pandehurit kishin kryer këto vepra.

Qani Mehmedi, njëri ndër të akuzuarit menjëherë pas dhënies së aktvendimit, ka deklaruar se, ky ka qenë procesi gjyqësor më i madhi në gazetarinë e Kosovës.

“Unë sot jam shumë i lumtur për shkak se drejtësia ka shkuar në vend. Në këtë rast Prokuroria e EULEX-it ka treguar një papërgjegjësi totale, ndërkaq gjykata e EULEX-it ka treguar një përgjegjësi totale, duke i shqyrtuar provat dhe argumentet një nga një dhe ka ardhur në përfundim se të gjithë ne jemi të pafajshëm”, ka deklaruar Mehmedi.

Avokati i kryetarit të komunës së Skenderajt, Sami Lushtaku, vendimin e gjykatës e konsideron të drejtë dhe thotë se u vërtetua se klienti i tij nuk ka kryer vepër penale.

“Ishte një vendim i drejtë dhe i ligjshëm, ishte një betejë juridike profesionale. Prokuroria speciale e EULEX-it, Maria Bamieh është profesionaliste, por argumentet tona ishin më të forta dhe u vërtetua se Sami Lushtaku nuk e ka kërcënuar Jeta Xharrën”, ka thënë mbrojtësi i Lushtakut, Arianit Koci.

Ndërsa EULEX-i, përmes një komunikatë përkitazi me rastin thotë se, një trup gjykues i përbërë prej gjyqtarëve të EULEX-it dhe gjyqtarëve kosovarë i liroi të pesë të pandehurit në rastin BIRN, pasi që u vërtetua se aktet për të cilat ata akuzoheshin nuk përbëjnë vepra penale.

Sipas EULEX-it, në aktakuzë, Sami Lushtaku, Rexhep Hoti, Avni Azemi, Rizah Hajdari dhe Qani Mehmedi, akuzoheshin për veprën penale të shkeljes së statusit të barabartë të banorëve të Kosovës dhe për veprën penale të kërcënimeve.

“Rasti ka të bëjë me një fushatë të pretenduar të kërcënimeve kundër gazetares Jeta Xharra dhe një punonjëse të saj në Rrjetin Ballkanik për Gazetari Hulumtuese (BIRN) prej anës së gazetës Infopress në qershor të vitit 2009 pas transmetimit të një programi televiziv (të drejtuar nga Jeta Xharra) që gjoja e kishte kritikuar kryetarin e Skenderajt dhe rajonin e Drenicës”, thuhet në komunikatën e EULEX-it./Indeksonline/

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›