E Shtunë, 31 Tetor 2026

Lushtakut nuk i luajnë paratë nga banka

I ka mbi 50 mijë euro të deklaruara si të hyra vjetore. Por, kryetarit të Komunës së Skenderajt, Sami Lushtakut nuk i është rritë as zvogëluar as një centë shuma e parave që mban në bankë, krahasuar me dy vitet paraprake. Ato janë fiks 4250 euro. Madje, ai nuk ka kursyer as shpenzuar asgjë as sa i përket pasurisë së paluajtshme.

Sami Lushtaku ka deklaruar të hyra vjetore në Agjencinë Kundër Korrupsionit fiks 51 mijë euro në vit. Pasuria e paluajtshme është deklaruar identik, sikurse vitin e kaluar. Ajo është mbi 1.5 milion.

Kreu i Skenderajt, nuk e ka deklaruar pasurin e të birit, Mërgim Lushtaku, i cili është drejtor në Ministrinë e Administratës Publike. Ai e ka deklaruar një biznes të fëmijëve, si të përbashkët, por jo edhe një biznes të cilin është pronë e Mergimit, të cilin ky i fundit thotë se nuk e ka aktiv.


Nga pozita e kryetarit të Komunës së Skenderajt ai merr pagë vjetore 12 mijë e 600 euro. Pagën vjetore të invaliditetit e ka 2400 euro, ndërsa, nga të hyrat vjetore të lokalit 'Shqiponja', të cilin thotë se e ka biznes të fëmijëve, i ka të deklaruar 36 mijë euro.

Sikurse viteve paraprake, edhe në formularin e këtij viti, Lushtaku i cili është duke u mbajtur në paraburgim i dyshuar për krime lufte, ka deklaruar vetëm një veturë, BMV X5, në vlerë prej 40 mijë euro.

Lushtaku është emëruar kryetar i Komunës së Skenderajt më 1.01. 2010.
Që nga ajo kohë, në bankë i kanë lëvizur vetëm 50 euro. Para të gatshme të mbajtura në NLB - Bank i ka deklaruar këto:

2010: 4300 euro
2011: 4250 euro
2012:4250 euro
2013: 4250 euro

 Nga ana tjetër Mergim Lushtaku, megjithëse i ati nuk ja ka deklaruar të hyrat që i merr në Ministri, vet ai ka deklaruar jo vetëm pagën e vet por edhe pasurinë e të atit, kryetar i Skenderajt.

Mergimi nuk ka asgjë të deklaruar nga patundshmëria, dhe para të gatshme në bankë, pos një Agjenci që merret me patundshmëri, “Virtyti”Shpk, të cilën e ka të themeluar në vitin 2011. Por, ai në deklarimin e pasurisë, thotë se ka kërkuar sqarim ligjor nga AKK-ja nëse pozita e tij në këtë biznes është në pajtim me ligjin. Sidoqoftë, ai në formularin e deklarimit të pasurisë thotë që Agjencia për Patundshmëri nuk është biznes aktiv. Këtë biznes e ka hapur në vitin 2011. /Indeksonline/

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›