Lustracioni/ Grupi parlamentar demokrat depoziton nismën ligjore në Kuvend

Deputetët të Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike Kreshnik Çollaku dhe Andia Ulliri depozituan sot në Kuvend nismën ligjore per Lustracionin. Sipas tyre ky propozim ligjor do të bëjë të mundur shkëputjen nga sistemi diktatorial. Në një dalje për mediat Çollaku shprehu keqardhje që akoma sot në Shqipëri vazhdon diskutimi për anëtarët, drejtuesit, bashkëpunëtorët e strukturave të larta drejtuese të regjimit totalitar komunist apo ish-Sigurimit të Shtetit, të cilët, si rezultat i dështimit të procesit të dekomunistizimit dhe lustracionit, ia kanë dalë të promovohen në nivelet më të larta të hierarkisë shtetërore në Shqipërinë post-komuniste.
Çollaku shton se paketat ligjore janë përgatitur pikërisht për të mbyllur një kapitull aspak të lavdishëm të Shqipërisë postkomuniste.
“Është për keqardhje, që akoma sot në Shqipëri vazhdon diskutimi për anëtarët, drejtuesit, bashkëpunëtorët e strukturave të larta drejtuese të regjimit totalitar komunist apo ish-Sigurimit të Shtetit, të cilët, si rezultat i dështimit të procesit të dekomunistizimit dhe lustracionit, ia kanë dalë të promovohen në nivelet më të larta të hierarkisë shtetërore në Shqipërinë post-komuniste. Persona dhe ngjarje të tilla, jo vetëm fyejnë kujtimin dhe lëndojnë plagët e mijëra të vrarëve, të burgosurve, të internuarve në burgjet dhe kampet komuniste, por gjatë viteve të tranzicionit u shndërruan në një pengesë reale për progresin e proceseve demokratike në vendin tonë.
Pikërisht, për t’i dhënë fund njëherë e mirë këtij debati, dhe për të mbyllur një kapitull aspak të lavdishëm të Shqipërisë postkomuniste, Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike, së bashku me ekspertët e saj, ka përgatitur një paketë ligjore për drejtësinë tranzitore, të materializuar në katër nisma ligjore, përkatësisht: (i) Projektligji për shpalljen muze kombëtar të Spacit dhe kampit të Tepelenës; (ii) Projektligji për hapjen e plotë të dosjeve të ish-Sigurimit të Shtetit: (iii) Projektligji për ndërgjegjësimin, kujtesën kolektive, ekspozimin dhe ndëshkimin publik të regjimit totalitar komunist; dhe (iv) Projektligji për lustracionin.
Tre projektligjet e para janë depozituar tashmë në Kuvendin e Shqipërisë, ndërsa projektligji i lustracionit është depozituar sot.
Projektligji i propozuar reflekton standardet më të larta kushtetuese dhe ndërkombëtare lidhur me legjislacionin për pastërtinë e figurës (lustracionin). Qëllimi i këtij projektligji nuk është aspak hakmarrja, nxitja e urrejtjes, konfliktit apo përcarjes sociale, por nëpërmjet një kuadri ligjor të detajuar synon që të mbrojë institucionet e brishta shqiptare nga individë, të cilët në të kaluarën e tyre kanë qenë të angazhuar në strukturat e larta drejtuese të regjimit totalitar komunist apo ish-Sigurimin e Shtetit“, tha Çullaku.
/rtsh.al/