E Shtunë, 31 Tetor 2026

Lutje të tjera Artemisës

Nga mijëra objektet e gërmimeve në vitet '70 në Durrës, misioni franko-shqiptar po nxjerr shenja të tjera që provojnë me siguri të plotë se ka ekzistuar një faltore e Artemisës ku femrat kanë besuar për short martesor dhe mëmësi

Ka pak vite që flitet për një kult të Artemisës, perëndesha e virgjër e gjuetisë dhe mbrojtëse e gruas në Dyrrah.


Nga mijëra objektet që gërmoi në vitet '70 në Kodrat e Dautes babai i arkeologjisë në Durrës, Vangjel Toçi, misioni franko-shqiptar po nxjerr shenja të tjera që provojnë me siguri të plotë tashmë se ka ekzistuar një faltore e Artemisës ku femrat i kanë besuar për momentet e vështira të kapërcimit: nga fëmijë vajzë, nga virgjëreshë grua dhe nënë.


U deshën mbi tridhjetë vjet pritje që lënda e gërmimeve të Vangjel Toçit të merrej për studim më 2003 kur nisi punën misioni arkeologjik franko-shqiptar në Durrës.


Kjo u arrit në kuadrin e një marrëveshje mes Institutit të Arkeologjisë në Tiranë, Shkollës Franceze të Athinës dhe Qendrës së Kërkimeve HALMA-IPEL, nën drejtimin e CNRS dhe të Universitetit të Lilës.


Qëllimi është botimi i gërmimeve të Vangjel Toçit në vitet 1970-1971. Misioni është vlerësuar me çmimin CLIO 2005 për kërkimet e huaja arkeologjike. Studimi i sanktuarit të Artemisës së Dyrrahut drejtohet nga arkeologu frëng Arthur Muller dhe ai shqiptar Fatos Tartari.


Gjetjet në këtë faltore janë cilësuar të jashtëzakonshme jo vetëm për Durrësin por në tërësi për arkeologjinë shqiptare. Aty u gjetën 1.8 ton fragmente terrakote, fare pak prej të cilave janë ekspozuar në muzeun arkeologjik të Durrësit.


Pas dyshimeve dhe hipotezave, u arrit në përfundimin se ai që mendohej herë si atelier qeramike, herë si tempull i Afërditës apo Demetrës, është një sanktuar i Artemisës dhe "është zbulimi më i rëndësishëm në kontekstin religjioz në territorin e Ilirisë antike".


Në repertorin e terrakotave dominon figurina femërore, karakteristika të blatimeve në një sanktuar perëndeshe, një pasuri që është grumbulluar në shekuj. Dhe doli në dritë në vitet '70.


Blatimet më të hershme që janë pak, i takojnë shek. VI. Të fundit, janë të shek. II para Krishtit.


Sanktuari është ngritur menjëherë me themelimin e kolonisë greke, më 627 para K. kur kolonët grekë vijnë nga Korinthi dhe Korkyra (Artemisa është perëndesha kryesore e Korkyrës) dhe themelojnë në territorin ilir të Taulantëve qytetin e Epidamnit.


Studiuesit e kësaj lënde theksojnë se tipi më i vjetër ikonografik e paraqet Artemisën në shek. VI-V në një pozicion autoritar, triumfues. Një tip tjetër më i ri e paraqet gjahtare me një dre ose një qen gjahu, në përmasat 25 cm po edhe deri në 60 cm.

Provat e shkruara që kemi të bëjmë me një sanktuar ku adhurohej Artemisa (apo Diana e latinëve) janë pak dhe po vazhdojnë të dalin të tjera. Frederik Stamati, shefi i Laboratorit të Restaurimit dhe Arkeometrisë flet në këtë intervistë për dy objekte në bronz, që mbajnë emrat e dy qytetarëve nga Dyrrahu të cilët i blatojnë nga një medaljon perëndeshës.


Ai shpjegon pse paraqesin interes.

Cila është historia e këtyre objekteve prej bronzi që u zbuluan në vitet 1970-'71?
Në vitin 1970, në Kodrat e Dautes (mbi Durrës që shtrihen deri në Fabrikën e Tullave) rastësisht Ilia Toçi zbuloi një fragment qeramike të cilën ia tregoi vëllait të vet Vangjel Toçi. Dihet që Vangjel Toçi është personi që udhëhoqi ekspeditat në Durrës pas viteve '50, ai themeloi Muzeun Arkeologjik.


Ai ndërmori kërkime me pak punëtorë. Prej tyre rezultoi që kishte një sanktuar i cili u quajt sanktuari i Afërditës në atë kohë kur ndodhi zbulimi i bujshëm i 14 mijë objekteve, kryesisht terakota, 675 monedha dhe rreth 200 objekte të tjera prej bronzi, hekuri.Vetëm në vitin 2003 nisi studimi i materialeve të gjetura nga këto gërmime.


Cilat janë objektet më të rëndësishme që u zbuluan?


Lënda është akoma në studim dhe nuk dihet se çfarë do të dalë. Ndër objektet me vlerë ishte zbulimi i një bizhuje, një gjysmë kali prej ari.


Është botuar tashmë studimi mbi 140 monedha nga Halil Myrtoja, monedha të cilat ishin në njëfarë mase të lexueshme, të tjerat nuk janë botuar.


Dyzetë vjet pa u marrë kush me këtë material?


35 vjet, sepse ka 5 vjet që ka filluar studimi. Dikur u bë një bujë e madhe kur u gjetën mijëra objektet, por nuk u studiua. Para 6 viteve filloi bashkëpunimi midis Institutit të Arkeologjisë i përfaqësuar në këtë projekt nga Fatos Tartari dhe nga prof.


Arthur Muller nga Universiteti i Lilës në Francë. Filloi puna në të gjitha drejtimet, në restaurimin e qeramikës, monedhave dhe objekteve të tjera. Para dy viteve u hodh mendimi që ky nuk është më sanktuari i Afërditës, por i Artemisës.


Kulti i Venusit ka qenë i rëndësishëm në Dyrrah. Nga gërmimet u gjendën figurina të perëndeshës së dashurisë. Ishin gjetur në këtë objekt me dhjetëra fragmente qeramike që paraqesin Artemisën, vazo të periudhës klasike dhe helenistike, të importuar apo prodhim lokal.


Cilat objekte e ndryshuan mendimin?


Ishte një shkrim që u gjet në një terakotë.
Gjatë kësaj kohe ka përfunduar restaurimi i të gjithë monedhave nga të cilat vetëm 3-4 copë doli që ishin të lara me argjend të tjerat ishin thjesht prej bronzi.


Çfarë informacioni japin?


Ato janë objekt studimi i Shpresa Gjongecajt. Kryesisht janë monedha të prera në Durrës me simbolet e mitit të Herakliut. Përgjithësisht nuk janë fort të qarta.


Ata që ia blatonin sanktuarit të Artemisës blatonin monedha të konsumuara. Veç kësaj, gjatë dyzet vjetëve pas zbulimit ato nuk u restauruan, pësuan dëmtime dhe një pjesë e sipërfaqes së tyre u transformua në pluhur.


Kur u zbuluan shkrimet në objektet që keni restauruar ju?


Këtë vit filloi trajtimi i objekteve të tjera metalike që janë të plota ose copa enësh. Por më interesante ndër 55 objektet metalike që kemi trajtuar këtë vit - ka akoma të tjera - janë disa tip medaljonesh në formën e "mburojës maqedonase".


Këto medaljone mbërtheheshin me një gozhdë në një dërrasë diku në sanktuar. Disa janë fare të thjeshta, disa kanë zbukurime. Dy prej tyre kanë shkrime të realizuara me pikëzim. Në njërën shiheshin disa gërma, në tjetrën nuk dallohej gjë. Gjatë punëve paraprake përpara se të bëhej restaurimi, nga radiografitë doli fare i qartë shkrimi.


Çfarë të dhënash japin shkrimet?


Emrat e dy qytetarëve të Durrësit që ia dedikojnë medaljonet Artemisës. Edhe me këto dy shkrime, vërtetohet që ky është sanktuari i Artemisës. Ato përbëjnë edhe një fenomen shumë të rrallë.


Gjithësej, që nga koha e gërmimeve të Leon Reyt dhe Ugolinit, janë gjetur tri shkrime në metal. Një shkrim në topuz, një pllakë prej bronzi dhe një në përkrenaren e Belshit. Disa prej këtyre informacioneve nuk janë botuar.


Kështu që edhe këto raste të cilat i kam restauruar hyjnë tek shkrimet e rralla në metal.
Shqetësimi që doja të ngrija me këtë rast është gjendja e objekteve, ruajtja e tyre. Në metale është ndërhyrë përfundimisht, po për terakotën jo.


Është bërë një trajtim i pjesshëm për t'i hequr baltën që të bëhet i studiueshëm materiali. Terrakotat nuk janë të pjekura mirë, sepse nuk ishin utilitare. Ato kanë filluar të thërrmohen.


Madje edhe disa që janë të ekspozuara në vitrinë në Muzeun Arkeologjik të Durrësit rrjedhin pluhur. Lind nevoja e një trajtimi tepër serioz i objekteve të këtij sanktuari në mënyrë që këto të mos fshihen qoftë edhe nëpër duar.


Ka gjurmë të faltores në Kodrat e Dautes?


Objketi është shembur krejt. Nuk ekziston.


Çfarë blatonin njerëzit në këtë sanktuar?


Terrakota kryesisht, pastaj monedha. Ai që donte të bënte një blatim për Artemisën, vendoste një terakotë dhe kur mbusheshin sallat ato hidheshin në një gropë.
Artemisa kishte baba Zeusin, nënë Latonen dhe vëlla Apollonin. Ishte perëndeshë e gjuetisë, e pjellorisë, mbrojtëse e grave nga dhimbjet e shtatzënisë etj.


Kur kulti i saj u përhap te grekët, roli që i mbetej të merrte qe ai i vajzës së re e shqetësuar për virgjërinë e saj. Në mitin e Artemisës thuhet se ajo nuk i duron dot burrat dhe mendimi i martesës e tmerron.


Po në kultin fetar çfarë përmasash merr miti i saj, për të kuptuar "rolin" e faltores që pati në Durrësin e lashtë? Për çfarë i drejtohen Artemisës gratë e Durrësit?


Blatimi i objekteve të këtij lloji, vazo, poçe të vogla, figura femërore, tipe të ndryshme ikonografike të Artemisës, ishin një gjë krejt e zakonshme në faltoret e botës antike greke. Ato shpesh mbanin kushtime nga vetë ai ose ajo bënte blatimin.


Duke blatuar këtë perëndeshë femrat kërkonin të fitonin mbrojtjen e saj për momentet e rëndësishme të jetës, kur bëheshin gra, bashkëshorte, nëna. Bashkë me perëndesha të tjera si Hera, Nimfat, Afërdita etj, iu vishej kjo mbrojtje në shoqëritë e vjetra.


Thatë se keni gjetur edhe objekte mallkimi?


Ne mësuam se si blatonte Durrësi falë shkrimeve në greqishten e vjetër. Po përgatitet ndërkaq një botim me rezultatet e reja.


Aktualisht kam në duar zbërthimin e spiraleve prej plumbi, po të këtij koleksioni. Dihet nga literatura që në plumb shkruheshin mallkimet.


Ne kemi dy të tilla. Në njërin prej tyre që është zbërthyer pjesërisht, kanë dalë tri gërma të gërvishtura në plumb. Tjetri nuk është zbërthyer sepse ka shumë vështirësi.


Diçiturë:


"Artemisa", pikturë e artistit zviceran Charles Gleyre (1806- 1874). Edhe në figurinat e perëndeshës gjetur në sanktuarin e Durrësit, ka raste kur Artemisa paraqitet nudo, gjysmë e ulur, me një diademë në flokë. Këto lloje, thonë studiuesit, kushtoheshin nga vajza të reja në prag të martesës. Nëpërmjet këtyre dhuratave ato i kërkonin mbrojtje perëndeshës.

Herostrati i Artemisës në Efes


Faltorja e madhe e Artemisës në Efes, një nga shtatë mrekullitë e botës antike, u ndërtua pas djegies së ndërtesës së mëparshme më 356 para K. Një i ri i quajtur Herostrat donte të bëhej i famshëm dhe i vuri flakën faltores më të bukur të perëndeshës ndërtuar në mermer.


Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›