Pronat, mbyllet hetimi për drejtuesin e hipotekës
Organi i akuzës përfundoi mbledhjen e fakteve për ish- kryeregjistruesin e Hipotekës së Tiranës, i akuzuar për shitjen e një prone
Vlerësimi minimal i pronës shtetërore, sipas hetimit i shkaktoi shtetit një dëm prej 500 mijë eurosh
TIRANË- Prokuroria mbylli fazën hetimore dhe dorëzoi pranë togave të zeza dosjen penale në ngarkim të ish-drejtorit të Zyrës së Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme në Tiranë, të pandehurit Gazmend Zeneli, i akuzuar për kryerjen e veprës penale të "shpërdorimit të detyrës".
Lajmi konfirmohet nga burimet zyrtare të institucionit të akuzës, që theksuan se vendimi i dërgimit të dosjes në gjyq është firmosur nga shefi i Task-Forcës së prokurorisë së Tiranë, prokuror Dritan Rreshka dhe prokurorit të çështjes, Gentian Osmani.
Sipas kërkesës për gjykim, mësohet se ish-kryeregjistruesi i Hipotekës së Tiranës, me kërkesë të Bashkisë e ka vlerësuar pronën që ndodhet tek ish-parku i autobusëve (në vendin ku qëndronin autobusët e linjave të jugut) me një shumë qesharake, duke favorizuar blerësin.
"Trualli kishte një sipërfaqe prej 6 mijë metra katrorë dhe në të tashmë kanë filluar ndërtimet e një sërë pallatesh nga një kompani private. Por, para se të privatizohet, vlerësimi i kësaj prone është kryer nga Hipoteka e Tiranës, me firmën e kryeregjistruesit tashmë i pandehur Zeneli"-thuhet në kërkesën për gjykim.
Sipas këtyre burimeve, mësohet se të pandehurit Zeneli i është kërkuar nga Bashkia e Tiranës me dy shkresa, një në vitin 2004 dhe tjetra në 2005, duke i kërkuar referencat e çmimit për atë zonë në atë kohë. "Dy shkresat e Bashkisë janë sekuestruar dhe ndodhen në dosje.
Në shkresën e parë të dërguar në vitin 2004, Bashkia i ka kërkuar Hiptekës së kryeqytetit, referencat e çmimit për metër katror në afërsi të sheshit "Ataturku" (21 dhjetori) ku ndodhej parku i autobusëve.
Kjo shkresë ka mbetur pa përgjigje dhe në vitin 2005 Bashkia sërish i është drejtuar Hipotekës për referencat e çmimit për shitjen e pronës shtetërore. Këtë radhë, me firmën e kryeregjistruesit Zeneli, institucioni i ka kthyer përgjigje shkresës së parë të vitit 2004, duke i dhënë referencat e çmimit për vitin 2003"-thuhet në dosje.
Sipas indeksit të kohës, vlerësimi në atë zonë në vitin 2005 ka qenë për 120 euro për metër katror, ndërsa në referencën e firmosur nga Zeneli ajo është vlerësuar me 30-35 euro për një metër katror, duke iu referuar çmimeve minimale të vitit 2003.
"Sapo është shitur kjo pronë nga Bashkia, Hipoteka nën drejtimin e të pandehurit Zeneli e ka regjistruar këtë pronë brenda 10 ditësh, ndërsa praktikat e tjera që janë sekuestruar si shembuj, zgjasnin nga 1 deri 2 muaj për regjistrim",-thuhet në dosje, duke hedhur dyshime të arsyeshme ndaj Zenelit për afera korruptive për shkak të regjistrimit të shpejtë të kësaj prone.
Hetimi nisi pas denoncimit të një pretenduesi për pronën
Hetimi i prokurorisë nisi pas kallëzimit të një qytetari, i cili ka pretenduar pjesë në pronën e shitur, por, duke qenë se pretendimet e tija nuk janë gjetur të bazuara, procedimi ka filluar kryesisht nga njësia e Task-Forcës ndaj ish-kryeregjistruesit Gazmend Zeneli, pasi nga shqyrtimi i dokumenteve ka rezultuar se çmimi i caktuar nga Hipteka e kryeqytetit e firmosur nga i pandehuri Zeneli ka qenë i paligjshëm.
Vetë ish-kryeregjistruesi i pyetur nga prokuroria me cilësinë e të pandehurit, pas komunikimit të akuzës së "shpërdorimit të detyrës", ka mohuar akuzat, duke u shprehur ndër të tjera se "vlerësimin e çmimeve të referencës nuk e bënte kryeregjistruesi por një grup personash dhe më pas firmoset nga drejtuesi".
Një javë më parë, policia arrestoi dy sekserë në hipotekë
Operacioni i një jave më parë, i koduar "Sporteli i hapur" i realizuar nga zyra e Antikorrupsionit të Policisë së Tiranës, vuri në pranga Shkëlqim Levanajn, 45 vjeç, dhe Orion Kolezi, 29 vjeç, të dy me banim në Tiranë. Ata u arrestuan pranë gjykatës së kryeqytetit, me akuzën e ushtrimit të ndikimit të paligjshëm.
Ndaj tyre njësia e Task- forcës së Prokurorisë së Tiranës, kishte nisur hetimin për akuzën e falsifikimit të dokumenteve dhe ushtrimit të ndikimit të paligjshëm, pas denoncimit të një personi i cili kishte kishte një shtëpi në fshatin Ibë. Për të marrë një vërtetim se banesa ishte e këtij personi, dyshohet se dy të arrestuarit dhe zëvendës regjistruesi i Tiranës, i kishin kërkuar para.
Sipas burimeve, denoncuesi me origjinë nga Vlora, në mënyrë të herë pas hershme kishte kërkuar të merrte vërtetimin, por nuk kishte arritur. Ndërkaq, dy personat e arrestuar të dyshuar si sekserë, i kishin ofruar dhënien e dokumentit në dorë nëpërmjet një procedure të përshpejtuar.
E gjithë kjo në këmbim të një shume prej 500 mijë lekësh të vjetra, relativisht të konsiderueshme për një dokument tepër të thjeshtë. Pas ofertës, personi nga Vlora, pronar i shtëpisë në Ibë të Tiranës, njoftoi policinë e cila nisi menjëherë hetimet në bashkëpunim me njësinë e Task- Forces së Prokurorisë së Tiranës.