E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mbyllet “Teatri ndryshe”

Një ambient, ndryshe nga ato të zakonshmet, e aq më shumë ndryshe për natën përmbyllëse të një festivali teatror. Në hapësirën buzë liqenit të Batllavës, të enjten u bë mbyllja e edicionit të dytë të festivalit “ Teatri ndryshe” në Podujevë.

Përveç çmimeve të dhëna, nata finale dha dhe shfaqjen mysafire, jashtë konkurrencës, “ Një përkujtim në kafe teatër” e regjisorit Haqif Mulliqi.

“Festivali ka shkuar shumë mire, ashtu si është paraparë, kemi pasur problem pak me repertuarin, kishim dëshirë të na vijë edhe një shfaqje nga Austria, ashtu si e kishim marrëveshjen, por ata në fund nuk erdhën dhe ky ndoshta ishte i vetmi problem, të paraparat të ndodhin gjatë festivalit kanë ndodhur të gjitha, hapësirat të cilat kemi dashur ti pushtojmë, gjatë festivalit i kemi pushtuar dhe festivali ka dhënë një kontribut për zhvillimin e teatrit”, u shpreh drejtuesi i festivalit, Agron Gërguri.

Sipas tij, kishte spektator që rastisnin të qëndrojnë në ambientet e restorant “Adriatikut”, buzë liqenit të Batllavës, dhe shihnin shfaqjet ndoshta pa e ditur që kishte festival, por shfaqja i zinte aty dhe pastaj ata bëheshin pjesë e festivalit, duke arsyetuar në këtë mënyrë idenë që ky festival të mbahet në ambient.

Gjithsej u ndan pesë çmime.

Çmimi, “Skena ndryshe” iu dha shfaqjes nga Tuzlla ( Bosnja) “Nuk është gjithçka në kokë ka edhe diçka n녔; “Interpretimi ndryshe”, apo çmimin për aktorin më të mirë të festivalit, e mori aktori Mentor Zymberaj me monodramën “Aktori në kuti”; “Interpretimi ndryshe” femër ishte për Johana Popovska me shfaqjen “Karriget” të Joneskos;“Regjisori më inventiv” ishte për Alfred Trebickën me shfaqjen “ANA” (Shqipëri); çmimi i festivalit, “Teatri ndryshe” iu dha shfaqjes “Dardha pas bunarit” e regjisores Ilirjana Arifit.

Në këtë edicion, festivalit iu shtua edhe një çmim, mirëpo jashtë konkurrence, çmimi Avdush Hasani për kontribut të zhvillimit të artit teatror, e që i vlerësuar për këtë meritë ishte regjisori, Haqif Mulliqi.

Sipas Gërgurit, ky çmim është për herë të pare, dhe jepet me arsyetimin, për kontribuuesit e jashtëzakonshëm të zhvillimit të teatror, dhe për të nderuar figurën e artistit Avdush Hasani.

“Ky çmim ka një domethënie shumë të veçantë për mua sepse është një prej aktorëve më të mëdhenj që janë ngjitur ndonjëherë në skenën e teatrit në Kosovë, kjo është e para, e dyta, pasi që Avdushi ka qenë dhe një mik i imi shumë i mire, e treta them që ndoshta përmes emrit më është ndarë një çmim për kontributin tim të rëndomtë, modest në zhvillimin e jetës teatrore në Kosovë, e fundit, e them me përgjegjësinë më të madhe se po të mos ishte prapa këtij çmimi emiri i një aktori, një artisti të madh siç ishte Avdush Hasani, do të mëdyshja se a do të pranoja apo jo!”, tha Haqif Mulliqi.

Juria Profesionale e thirrur për të ndarë këto çmime përbëhej prej: Milto Kutali, regjisor nga Shqipëria, Ismet Azemi, aktor nga Kosova dhe Elmaze Nura, regjisore nga Kosova.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›