Lutjet e rralla para vdekjes të Nënë Terezës për Shqipërinë
RIKTHIMET E NËNË TEREZËS, QORTIM QIELLOR DHE FRYMËZIME TOKSORE
Nga Visar ZHITI
15 vjet më parë në 5 shtator Nënë Tereza mbylli sytë përgjithmonë në Indinë e largët, ndërkohë qenia e saj e shenjtë sikur nuk pranonte të shplodhej, se edhe pas vdekjes ajo ndjehet dhe vepron si e gjallë duke i dhënë porosira botës, të vlefshme, nga ato që i duhen çdo ditë dhe përjetësisë së njerëzimit. Ajo vazhdimint rilind si frymë dashurie dhe duke qenë gruaja më e njohur e planetit, përsëri fama e saj rritet. Nuk është thjesht famë, por shenjtëri. Këto ditë në një anketë botërore, një revistë e madhe prestigjioze në SHBA jepte lajmin se Ajo futej në 100 njerëzit më të shquar të botës në të gjitha kohërat, e katërta pas Krishtit. Ajo ka aftësinë rilindjes kështu.
Dhe vërtet 10 ditë më parë ishte ditëlindja e saj reale dhe ndër shqiptarë sikur plotësohej dëshpërueshëm një nga kredot e saj, kur porosiste që të mos merreshin me të duke e lavdëruar, por të donin njëri-tjetrin siç dinte të donte dhe ajo pa dallim, të krishterë, myslimanë, induiste, etj. Dhe nuk u përkujtua nga ne si duhej, as nga institucionet dhe as nga media, 26 gushti shkoi si ditët e tjera të zakonshme. Por në Maqedoninë ngjitur, ku ata që nuk janë shqiptarë ngjanë si antishqiptarë ndonjëherë, e kujtuan Nënë Terezen, datëlindjen e 102-të të shkupianes së famshme, po kështu dhe India induiste, ku ajo punoi dhe shkriu jetën si një qiri, por dha dritë dhëmbshurie kundër gjithë errësirërave, sa do të largëta, natyrisht dhe të asaj që po davaritej mbi dheun amë. Por përse na ndodh të harrojmë çka nuk duhet harruar? Dihet dhe nuk dyshohet më kurrkund që Nënë Tereza është shqiptare, e ka thënë dhe ajo vetë me plot gojën, madje sa më shumë i rritej fama, aq më shumë e përsëriste, vëren shtypi i huaj, por më rëndësi ka se sa janë shqiptarët të Nënë Terezës, – shtoj unë, – të asaj dashurie qiellore, që kërkon të regullojë punët mbi tokë?
Nuk ka dyshim se Nënë Tereza u duhet shqiptarëve dhe e duan, por ne duhet të mësojmë të duam më mirë, veten dhe të tjerët, dashuri aktive dhe dinjitoze. Institucioni i kujtesës tonë kolektive nuk duhet ta lërë kalemdarin e vet që ta mbulojë pluhuri. Ne jemi ajo që kujtojmë, thotë një poet i madh europian. Por ne jemi dhe ajo që harrojmë, shtoj unë me dëshpërim. Të dijmë ta mbajmë Nënë Terezën. Asaj i mjafton bota, ku natyrisht i dhimbej dhe e donte veçmas dheun e saj. Atyre që u duket ndryshe le të kujtohen se ishte atdheu i saj që nuk ia hapi portat e bunkerta për një gjysmë shekulli, por ne duhet ta kuptojmë se nuk jemi aq të mjaftë pa Nënë Terezën, madje, duke e patur dhe duke e harruar, i krijojmë vetes një bosh të ndjeshëm ndërsa në imazh krijojmë një zbehje të panevojshme para botës. Nënë Tereza jep edhe duke mos qenë, por duhet të dish të marrësh prej saj dhe ne, bashkatdhetarëve të saj, na takon më shumë, me të drejtë.
SHENJTORJA MODERNE
Siç dukej Zoti ndjeu nevojën e përsëdytjes së Krishtit mbi tokë, na pëlqen të mendojmë dhe zgjodhi një grua për barazi. Caktoi një shqiptare, sdihet për çshpërblim ndaj kombit tonë të martirizuar dhe solli kështu në jetë Gonxhen e vogël më 26 Gusht 1910, ndoshta sërisht në kohë apokaliptike, pas të cilave Shqipëria do të ribëhej.
Familja e saj, Bojaxhinjtë, me tradita patriotike, kishin ikur nga Prizreni në Shkup. Thuhet se të parët e saj, më herët, kishin ardhur nga viset e Shkodrës. Mbase është dëshira që Nënë Tereza të jetë nga kudo, nga çdo copë e truallit shqiptar, nga çdo pjesë zemre.
Duke qenë e një atdheu të pushtuar, i parandolli vetes një mision kryqi. Duke parë mjerime, ideoi brenda vetes që jo vetëm ti dojë të nëpërkëmburit nga fati mbrapshtë, por dhe tu përkushtohet atyre me përdëllimin më të qashtër kudo në botë.
Në rrugën e shenjtë që do të merrte, nuk e çoi ndonjë kompleks apo mangësi, përkundrazi. Gonxhja ishte e bukur si emri i saj, si fëminia, gjithmonë me libra në dorë apo me mandolinën, merrte pjesë në kor, në grupin e poezisë, të teatrit.
I ati, Kolë Bojaxhiu, ishte themeltar i teatrit të qytetit, të cilin do ta helmonin si veprimtar të çështjes kombëtare. Të mbetur jetimë, fëmijët do ti rriste dhe edukonte nëna Drande. Ajo, vërtet ajo, ishte e shenjtë, do të thoshte Nënë Tereza, që e frymëzoi në ardhmërinë e saj.
Studioi në Irlandë për tu bërë misionare, murgeshë. 18 vjeçare vete në Indi, ku dhe diplomohet në Universitetin e Kalkutës dhe do të punojë si mësuese dhe më pas si drejtoreshë e Shkollës Superiore e Bijave të Santa Anës. Zgjedh emrin Tereza në nderim të Terezës së vogël franceze dhe e shkruan emrin si të shenjtores së lavdishme të shekullit XVI, spanjolles Shën Tereza e Aviles dhe mbase vetëndjehej si rimishërim i tyre, sepse ngjante, me njërën nga shtati dhe me tjetrën nga dashuria e pafundme ndaj Krijuesit, në vetëflijimin absolut. Ndoshta në thellësi të qenies kishte dhe Rozafën, motrën e saj mitike të murosur në përjetësi. Plagët do të bëheshin atdheu i saj, nga që plagët që nuk kanë atdhe.
NATA E SHPIRTIT
Ndërkaq Ajo guxoi të futet thellë në atë që quhet nata e shpirtit dhe guxoi të tregojë për dyshimin e saj, sepse nuk e deshi dhuratë besimin te Zoti si pjesa më e madhe e njerëzimit që beson, por kërkoi ta zbulojë vetë dhe arriti përndritjen, duke mos u trembur, atje ku të tjerët druhen aq shumë. Nëse do të jem e shenjtë ndonjëherë, do të jem Shenjtore e errësirrës, thoshte Nënë Tereza. Pikërisht meditimi i thellë, stepjet dhe hovi, e bëjnë edhe më të çmuar personalitetin e saj, po aq sa siguria shenjtërore. Dhe kështu gruaja e brishtë, shqiptarja nga Shkupi, i përkushtohet vuajtjes, po ngrinte shtëpi të misionit të saj bamirës, në ndihmë të jetës, kudo nëpër botë, me qindra, si me magji. Do të kishte dashur të ngrinte shtëpi të së mirës edhe atje, në vendet e mbyllura, ende me diktaturë. Po dyert shapeshin ashtu si dikur në vendin e saj. Trokiste Ajo nëpër ambasadat e Shqipërisë komuniste, trokiste e trokiste, ashtu si zemra, por nuk i thanë: mirsevjen. Mbështeste mbi kangjella kokën e dëshpëruar. A do ta shihte dot nënën? Motrën? Ishin atje, në Tiranë. Në atdheun e saj, i vetmi në botë zyrtarisht ateist, kishin dënuar dhe Zotin.
Kur perandoria komuniste po binte, e lejuan të vijë. Vuri lule mbi varrin e nënës në Tiranë dhe të motrës Age aty pranë. Ajme, dhe mbi varrin e diktatorit lule! Që i bënin shumë më të pakuptimta ligësitë dhe mizorinë e tij. Ka që besojnë se ajo u thirr për ekzorcizëm, varri i Enverit dridhej dhe duhej larguar qoftëlargu nga ky vend. Dhe ajo erdhi.
Paqe tani dhe mëshirë, amen!
Ajo do ti gëzohej atdheut që po hapej, që e thirri prapë Zotin, që po ribënte ëndrrën, po kërkonte liri dhe po bëhej pjesë e Europës, po rimëkëmbte mirëqenien. Së pari atë shpirtërore.
* * *
Ka të tjerë që mendojnë se Nënë Tereza është përtej dhe jashtë kulturës shqiptare, pa një traditë paraprirëse. Madje e gjejnë si të pavemëndëshme ndaj Shqipërisë dhe shqiptarëve. Po ajo, duke qenë shpirt dhe mendje universale, është e pamundur që të mos ketë dhe vendin e saj në atë univers si pjesë të tij. Bota është atdheu i gjithë dhe atdheu është bota e përmbledhur, që janë dhe duhet të jenë në harmoni dhe dashuria e vërtetë nuk është alternativë e njërës apo tjetrës. Vendin tënd mund ta gjesh dhe në vendet e tjera dhe njerëzit e tu i sheh dhe në të tjerë.
Marrëdhëniet e Nënë Terezës me Shqipërinë nuk ka nevojë të trillohen, ato janë një realitet dhëmbshurie. Dhe është kënaqësi të dëshmohen dhe këtu.
Vërtet ka kultura që nxjerrin personalitete të pritshëm, por ka dhe personalitete që prijnë kultura dhe krijojnë traditë, atje ku dukej se nuk ishte. Këta janë gjenitë. E tillë është dhe Nënë Tereza.