“Lutuni për mua”, Papa mesazh besimtarëve nga spitali

Papa Françesku i shtruar në spital prej 14 shkurtit është duke marrë oksigjen, por nuk ka pësuar ndonjë komplikim të mëtejshëm, tha Vatikani të dielën.
Papa po ha normalisht dhe testet klinike po vazhdojnë, sipas Skyneës. 88-vjeçari është shtruar në spitalin Gemelli të Romës prej më shumë se një jave, teksa po trajtohet për pneumoni të dyfishtë dhe bronkit kronik.
Papa, i cili ka udhëhequr Kishën Katolike që nga viti 2013, përgatiti një mesazh për t’u lexuar në Angelus të së dielës, duke i kërkuar botës që të lutet për të.
“Po vazhdoj me besim shtrimin në spitalin Gemelli, po vazhdoj me trajtimin e nevojshëm dhe pjesë e trajtimit është edhe pushimi! Falënderoj sinqerisht mjekët dhe punonjësit shëndetësorë të këtij spitali për vëmendjen që më tregojnë dhe përkushtimin me të cilin ofrojnë shërbimin e tyre për pacientët”, tha ai në mesazhin e tij.
“Ditët e fundit kam marrë shumë mesazhe dashurie dhe më kanë bërë përshtypje të veçantë letrat dhe vizatimet e fëmijëve. Faleminderit për këtë afërsi dhe për lutjet e ngushëllimit që mora nga e gjithë bota! “Unë ju besoj të gjithëve në ndërmjetësimin e Marisë dhe ju kërkoj të luteni për mua”, vazhdoi ai.
Të shtunën në mbrëmje, u njoftua se Papa ishte në gjendje kritike pas një “krize të zgjatur të frymëmarrjes” që kërkonte fluks të lartë oksigjeni.
Ai iu nënshtrua edhe transfuzionit të gjakut pasi analizat zbuluan trombocitopeni, e cila lidhet me aneminë.
Miliona njerëz në mbarë botën kanë qenë të shqetësuar për shëndetin gjithnjë e më të dobët të Papës, dhe gjendja e tij ka ngritur spekulime për një dorëheqje të mundshme, të cilën Vatikani nuk e ka komentuar./vizionplus.tv