E Shtunë, 31 Tetor 2026

Lypja jo vetëm si problem, por edhe si skllavërim

Nga Sokol Paja

Festa e Fiter Bajramit, këtë vit, veç të tjerash kishte diçka më të veçantë se vitet e kaluara. Lypësit. Në çdo festë fetare sipas botëkuptimit të religjionit, çdo besimtar duhet të dhurojë të mira materiale dhe të bashkëndajë më të varfrit të mirat e tij. Të varfrit zbukurojnë festën, ata janë përkujtimi dhe prania e zotit në ta. Kush ndihmon të varfërit dhe nevojtarët, është shërbimi më i mirë që çdo besimtar i bën Zotit sipas botëkuptimit të religjionit. Dita e djeshme ishte një ditë shumë e veçantë për mua. Ishte hera e parë që e festoja Bajramin në shtëpi, në Tiranë. Mëngjesi i djeshëm kur dola për vrap ishte ndryshe. Ish-fusha e Aviacionit ishte mbushur me banda muzikore romësh që tërfëllonin e gëzonin pa pushim. Dajre, klarinetë, fizarmonikë, zimare, fyell gumëzhinin të gjitha bashkë të gërshetuara këto me zërin e hollë e timbrin e lartë. Më dukej vetja se sot kisha edhe kufje në vesh gjatë kohës që vrapoja. Këngë dasmash, veriore, jugore, dashurie, dhimbjeje, gëzimi të shoqëruara më bekime Perendie, si për festë.

Menjëherë pas kthimit në shtëpi nga vrapi i mëngjesit, disa fëmijë me qese plastmasi nëpër duar më shfaqen te porta.
-Gëzuar Bajramin, përshumvjet. Më fytyrat e tyre që shndrisnin si engjëj, jo karamele, por edhe shpirtin ua falje. Për fat keq, karamele nuk kisha, por disa çokollata më nxorën nga situata. Befas mua kujtua se kopshti im modest ka mollë, kumbulla, dardha e thashë me vete ti qeras. Përveç qeseve, disa që kishin xhepa të mëdhenj dolën më të kënaqur. Muzika fillon e depërton brenda rrugicave të lagjes. Ndërsa në TV shikoja faljen për Fiter Bajramin e shtypin e ditës, porta bie përsëri. Dal turravrap. -Përshumëvjet Bajrromin. Me zemër të mirë inshallah e një nuse të mirë. Të falemn nderes i thashë, me të parën dakord e të dytën kur ta ket shkru Zoti. Tndimoftë Zoti ishallah, qonke çun i mirë, të falem nderes për të parën i thashë, kjo e dyta u bëftë ashtu siç thua ti. Fal ni lek tnimoftë Zoti madh ishallah, tu plotësofshin dëshirat o Zot. Faleminderit i thashë dhe siç e do zakoni i festës, nuk e nisa pa gjë.

Pas disa minutash bie prapë porta. Dal turravrap. Para meje një plak rom. Më uron Bajramin bashkë me fjalët e festës. Po tkesh ndoj lek më bën nderë, nëse ske ska gjë, shumë shpija smë kanë falë gjo, kriza paska bo të vetën më thotë. Po miku nuk niset pa gjë i thashë, jemi shpi robi, mirë se vjen e mirë se të ka pru festa. I fal pak lekë dhe e ftoj brenda, nuk huj tha, po rrimë në verandë më mirë. I jap një gotë raki dhe ia shtrojmë muhabetit. Më tregon se quhet Fiqiri 67 vjeç nga Fieri dhe se ka ardhur enkas për këtë festë në Tiranë. Nga kurioziteti dhe profesioni i bëj disa pyetje edhe të tepërta, mbase. Më thotë se lekët ia merr e shoqja, djali që ia lë në kazino e shpesh nipi për kokoshka. Unë vet pothuajse smarr gjë kur ia dorëzoj gruas, tha. Po si ty a ka të tjerë? Pothuajse si unë janë shumica, sidomos kalamajtë. Ne lypim, e lekët i merr i harxhojnë familjarët tanë. Skom as pension, as punë sna gjen shteti e veç lyp, edhe ato çka fitoj, prapë mi marrin, tregoi dëshpërimisht Fiqiriu. U pikëllova pa masë. Edhe pse ishte festë, trishtimi e mposhti gëzimin. Pasi në mend më erdhën tre histori të trishta. Te akullorja te Tuneli, ndërsa po mposhtnim vapën me akullore me një mikun tim, te hyrja një gjyshe rome po rrihte rëndshëm nipin e vet se ky i fundit nuk dilte të shiste bajame. Në fund, pas dajakut nazist e bindi. Nipi shiste bajame nëpër lokal e ajo e kontrollonte nga një cep duke i bërë edhe me hjeste sesi të ashpërsonte metodën e lënies në dorë të bajames. Dy ditë më pas në lokalet afër Muzeut Kombëtar, i gjendur bashkë me dy mikeshat e mia, një vajzë 4 vjeçare afrohet dhe na thotë: Hajde bajame, doni bajame? Të lutem merr një bajame se skam shitur fare tha me zë lutës vajza që ishte pak më e madhe se kaushi i bajames. I thamë nuk i hamë, por iu drejtova më dëgjo këtu zemër: Dua të bëj një pyetje, por nga sinqeriteti i pyetjes varet nëse do të fal lek apo jo. Lëre more më tha mikja ime se spo i bën intervistë, e trembe gocën, nëse ke të vogla jepja e lërë të ikë. Më trego pak e pyeta, kush të detyron të dalësh të shesësh? Babiiiii, më tha ajo. Me historinë e tretë u përballa sapo dola nga Biblioteka Kombëtare. Ishte ora 14.00. Temperatura pa frikë ishte afër 40 gradë celcius.

Tek një cep afër kryqëzimit qëndronte një lypës pa këmbë. Befas i afrohen dy policë të Bashkisë dhe i kërkuan me ngulm që të çohej e të ikte që aty. Njëri mbante një qëndrim alla Van Dam, ndërsa tjetri po negocionte me një gjestikulacion bindës… Po a mundet vallë të ngrihet në këmbë dhe të ecë një njeri pa këmbë, pyeta veten?! Jo vetëm për shkak të festës, por kudo nëpër rrugët e Tiranës sot stë zë syri tjetër veç lypës e daullexhinj.

Fenomeni i lypjes është kthyer jo vetëm në një problem por edhe në një fenomen skllavërues. As një iniciativë e Bashkisë për ti larguar nga qendra e qytetit, as dëshira jonë e madhe e mundësia e vogël për tiu falur lekë, as një protestë e shoqërisë civile nuk mund ta zgjidhë këtë problem. Vetëm shteti dhe institucionet e ndërvarësisë. Meqë Bashkia i kërkon me ngulm një lypësi pa këmbë të ikë sa më shpejt me këmbët e veta nga qendra e qytetit, pse nuk e ruan dhe dëbon atë që e sjell atë të shkretë mëngjeseve për të lypur apo në darkë kur e merr atë dhe fitimin e tij?

Po si mund ti kërkojë shteti një lypsari të gjymtuar të mos fitojë as bukën e gojës kur të ardhurat nga pagesa si paraplegjik, invalid stë mjaftojnë as për sallatë jeshile? Sa ia ka plotësuar shteti kushtet e jetesës kësaj shtrese në nevojë që ajo mos të lypë? Sa janë integruar romët në jetën publike, qytetare, sociale të vendit? Sa vende punë ofrohen për shtresat e caktuara dhe komunitete e veçanta nga Ministria e Punës? Uh sa pyetje. Lëre, lërë sot është festë, thashë me vete, nuk duhet të mërzitem. Lypja zhduket me punë…

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›