E Shtunë, 31 Tetor 2026

SHQIPËRIA DIXHITALE JOFUNKSIONALE

Nga ERION KRISTO    

Kam qenë një partizan i hershëm i kompjuterizimit të jetës sonë. Në shumë shkrime, emisione televizive e kudo ku njerëzit e mendjes japin mend, jam shprehur se shumë nga streset që shteti na ka futur në deje në mënyrë të organizuar (kjo nuk ka ngjashmëri me krimin e organizuar, se ky i fundit i zgjedh viktimat e veta me shumë kujdes), mund të zhdukeshin me një të rënë të lapsit. Po ja që kur bën dasmë fukarai çahet daullja, dhe zanati i të menduarit përsëri shfaqet si mëkatar.
Aparati shtetëror ruan me konservatorizëm apo kokëfortësi të habitshme mundësinë e përdorimit të stilolapsit, si një shpikje që të paktën te ne nuk po tregon gjasa se mund të mënjanohet lehtë dhe pa shkaktuar dëme. Një nga dëmet e mëdha të shtetit në 100 vjetor është mungesa e shtetit. Shteti e detyron vetë qytetarin ti largohet shtetit. Së pari, po heqim elementin kohë. Në këtë vend respektimi i kohës së tjetrit është një mëkat i përmasave biblike. Koha e tjetrit ska vlerë dhe këtë ska zot që e ndreq. Moisiu ynë, në rast se do të ekzistonte, do të duhej ta formulonte kështu një nga Urdhërimet e para: MOS përdhuno kohën e tjetrit! Po ne nuk e kemi këtë shans, jo për shkak se nuk kemi mendje, po për shkak se ndoshta nuk kemi lidhje me racën hebraike. Shteti ose më mirë të themi burokracia, përpiqet përditë e më shumë se si ta nëpërkëmbë qytetarin, se si ta zhvatë financiarisht dhe se si ta keqtrajtojë zyrtarisht. Kjo është aksiomë e nivelit dogmatik. Kjo duket kudo. Sot që flasim, për të marrë një certifikatë në zyrat e gjendjes civile duhet të lësh një ditë pune, ose të zgjohesh si në kohën e radhës së qumështit, të cilën të gjithë e shajnë, po me sa duket të gjithë paskan nostalgji për atë kohë, përderisa koha ka ndryshuar, po zakonet jo. Po ka edhe më tepër. Pa folur për organet gangrenore tatimore, po marrim rastin e kolaudimit të automjeteve.
Le ta zbresim mendimin në tokë dhe ta bëjmë të prekshëm nga ana financiare. Për të shkuar te vendi i caktuar për kolaudimin duhet të kesh navigator, dhe këtë të fundit qeveria nuk ta rimburson. Për të hyrë brenda objektit të përcaktuar duhet të rrezikosh jetën në një rrugë të përcaktuar për të vrarë njeriun. Po edhe kjo kapërdihet nëse zoti nuk ta ka shkurtuar ditën me qëllim. Dhe pasi hyn dhe vihesh në radhë, ku ka një përpjekje serioze për të vendosur rend, fillon shakaja. Punonjësja simpatike që punon te pjesa shtetërore, me një sjellje të sigurt në vetvete dhe duke kërkuar ndjesë për shqetësimin të thotë se: Ke një problem! Taksat e paguara nuk janë hedhur në sistem. Prandaj duhet të bësh fotokopje të një flete paçavure ku shkruhen të dhënat e taksës së paguar, pastaj dhe dy kopje të fotokopjuara të taksave. Po zyra vetë nuk ka fotokopje, prandaj duhet të bësh te dera ngjitur, dhe zonja aty, po me buzëqeshje të merr 50 lekë. Më pas duhet të vish pas 10 ditësh që të pyesësh nëse taksa jote është hedhur në sistem, që të bësh veprimet e tjera. Ky ishte komunikimi, të cilin e mbajta në nivel qytetarie sepse mendova se nuk kishte arsye të prishja veprimtarinë normale të tëmthit qysh herët në mëngjes. I zhgënjyer për standardet e mia mendore amerikane dhe ca më tepër nga propaganda qeveritare për këtë çështje, me mendimin diabolik në mendje se mos taksat e mia dhe të 20 000 personave të tjerë që nuk janë hedhur në sistem mund të jenë vjedhur njëlloj siç u vodh Taksa e Solidaritetit për të cilën askush nuk u dënua, bëj prapakthehu në Tiranë pa mbaruar punë, duke kujtuar se kisha paguar 500 lekë për të pastruar makinën, 50 lekë për të fryrë gomat dhe benzinën shumë më të shtrenjtë se sa qumështin që hedhim në serbator dhe që aparatit matës të nivelit të karburantit i duhen të paktën 30 minuta për të ta treguar se në serbator ka karburant aq sa tregon fatura që ke në dorë. Dhe i mbledh të gjitha me vete paratë e harxhuara dhe ato janë për fotokopje, për pastrim makine, për të udhëtuar, etj., ndërsa puna ende nuk ka mbaruar. Pra, pritet një shpenzim i dyfishtë, madje i trefishtë po nuk pate fat.
Ndërsa vlera e faturës që duhej paguar ishte 200 lekë. Por mendja e kthjellët që nuk e do dhe nuk e pranon ligësinë njerëzore, e hedh poshtë menjëherë idenë se taksat tona mund të jenë vjedhur. Ata që i kanë mbledhur thjesht nuk kanë dokumentacion, sepse po ta kishin, ata nuk do kishin nevojë fare për mua që të rregulloj hesapet me shtetin dy herë. Do mjaftonte të hapnin letrat e tyre të shkruara me stilolaps dhe gjithçka do rregullohej. Tekefundit, gjithmonë jemi vonuar në kohë dhe nerva për kolaudimin, përse të mos vonohemi përsëri. Unë urrej kur njerëzit e shtetit të kthyer në robotë për rroga qesharake përdorin stilolapsin. Po kjo urrejtje e imja mund ti bëjë dëm vetëm tëmthit tim, siç kam shkruar më lart. Prandaj, paracetamoli qetësues i tipit, akoma ti me këto budallallëqe, duket se funksionon. E di që askujt nuk do ti dridhet qerpiku për këtë përdhunim që më kanë bërë. Gjene kush ka kohë të merret me mua, kur fëmija përdhunon nënën e vet. Këto që them unë duken qiqra në hell. Edhe pse njerëzit janë të shqetësuar për rrëmbimet e varëseve, edhe ato kanë adrenalinën e tyre. Në këtë rast grabitqari është i ulur në një zyrë me kondicioner, i identifikuar deri në detaj, krenar deri në detaj. E di që askush nuk do dorëhiqet apo askush nuk do ndëshkohet për këtë përdhunim kohor dhe financiar që më kanë bërë mua dhe 20 000 qytetarëve të tjerë. Po sikur të kisha mundësi ti mblidhja këta 20 mijë në një vend në të njëjtën kohë, nuk e di nëse fjala ime nuk do merrej në konsideratë, nuk e di nëse shteti nuk do reflektonte, nuk e di nëse dikush do mbahej përgjegjës apo jo. Ajo që di është se tallja shekullore me shqiptarin mjeran vazhdon dhe poezia e bukur se çkërkonte shqiptari në shekuj, ndoshta mund të zgjidhej duke thënë: një kompjuter që punon dhe një mendje që e lodron.

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›