E Diel, 1 Nëntor 2026

MADRID – Kongresi spanjoll rrëzon dekretin për masat ndaj krizës së strehimit

MADRID, 4 tetor /ATSH – ANSA/ – Kongresi i Deputetëve në Spanjë ka rrëzuar dekretin e qeverisë për masat kundër krizës së strehimit, pasi mori 172 vota pro dhe 178 kundër. Kundër votuan Partia Popullore (PP), Vox, Junts per Catalunya dhe UPN. Shtatë deputetët e Junts dhanë votat që kontribuuan në rrëzimin e dekretit.

Dekreti parashikonte, ndër të tjera, zgjatjen e mbrojtjes nga dëbimet për familjet vulnerabël, zgjatjen e disa kontratave të qirasë, kufizime për blerjet spekulative të banesave nga fondet e investimeve, si dhe masa për rregullimin e qirave sezonale dhe të dhomave.

Menjëherë pas votimit, protestues të sindikatave të qiramarrësve dhe qytetarë që prej ditësh ishin mbledhur në Puerta del Sol, dolën në protestë pranë Parlamentit, në rrugën Carrera de San Jerónimo.

Sipas raportimeve, nga turma u dëgjuan thirrje si “Fitimet tuaja, mjerimi ynë!” dhe “Menjëherë grevë e përgjithshme!”.

Kongresi rrëzoi po atë ditë edhe një dekret të dytë për strehimin, me 166 vota pro dhe 184 kundër.   /os/

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›