MAGJIA E BUTRINTIT
Nga MIHO GJINI
Dhe magjia të mbërthen ende pa nisur shfaqja, tek e ndjen veten tremijë vjet më përpara i ulur në shkallaret e gurta, nën rrezatimin e zbehtë të hënës së plotë, kur, më përtej harqeve, flladitja që vjen nga deti krijon fëshfërimën e gjetheve të pyllit të lashtë, duke trazuar misteret!
Edhe pse nuk kam figuruar në axhendën e të ftuarve të këtij Festivali në të dymbëdhjetë edicionet e tij, këtë herë vendosa që ti bëj njëmijëdyqind kilometrat, nga Athina në Sarandë (dhe kthim), për tu ulur në këto shkallare, si një spektator i thjeshtë, bash për këtë magji që ofron misteri i tempullit të DEAS. Teatri, si institucioni më i lartë i dijes dhe kulturës së një populli, e ka me vete qytetërimin, forcën dhe këtë rrezatim magjepsës. Por, në këtë kthim tremijë vjeçar, te origjina e vet, magjia shndërrohet në marramendje. E vlente të bëhej rishtazi një Festival i tillë, pas ndërprerjes dy vjeçare, edhe kur thesaret e shtetit boshatisen. Se TEATRI është i vetmi TEMPULL ku nuk mund të vihet dora ndaluese dhe të konsiderohet i tepërt!
Mjaftonin edhe pesë trupa (nga Bullgaria, nga Spanja, nga SHBA, nga Ukraina dhe nga Italia), për ta ndjerë veten mirë në këtë performancë ditësh të vështira. Do të na i kishte ënda për të parë ca më shumë spektakle, që doemos ofrojnë eksperienca, modele e stile të veçanta, në sjelljen e botës që na rrethon në hapësirën e skenës, por, me sa shihet, lëvizja e trupave teatrore bëhet gjithmonë e më e pamundur në këtë mbërthim krize të gjithanshme. Veçse në u kthefshim përsëri tek Karroca e Molierit në MESJETË dhe te Teatri Shëtitës. Ndofta, mungesa e trupës vendase dhe ato të fqinjëve më të afërt (Kosovë, Maqedoni e Greqi), nuk mund të justifikohet dot nga askush…
Tonalitetin e lashtësisë e dhanë qysh në fillim artistët bullgarë më spektaklin Spiunazh në epokën e gurit në interpretimin e aktorëve të Teatrit Shtetëror të Satirës Aleko Kostandinov të Sofjes dhe të studentëve të Akademisë Kombëtare të Teatrit dhe Filmit në kryeqytetin bullgar. Duke sjellë atmosferën e asaj epoke primitive, me veshjet, veprimet dhe kërcimet, u përcoll edhe mesazhi i përjetshëm i vetësakrifikimit të njeriut për ti shërbyer njerëzimit, i cili do të merrte nuanca tragjike prej dyshimeve e mosmirënjohjes kolektive ndaj aktit të kryer! Trupa e Teatrit Tribuna të Madridit, me dramën Shtëpia e Bernarda Albës”, në një atmosferë të errët zije dhe me një mjeshtëri të lartë aktrimi, preku edhe gurët me dhimbjen e thellë që buronte nga tragjedia e Lorkës, nga ku erosi merrte flatra nëpër eterin e natës. Fryma despotike në familje dhe mbytja e lirisë individuale sjell gjithmonë një kundërshti, herë të fshehtë e herë të hapet, po gjithherë me një notë tragjike të pashmangshme… Në vazhdim, trupa e Teatrit Lit Moon, më regji të John Blondell, e ardhur nga Santa Barbara e Amerikës, në një skenë thuajse të zbrazët, luajti Shtrëngatën e Shekspirit, për tia lënë hapësirën artistëve virtuoz nga Ukraina, më një performancë të Dans Teatre, ku gëzimi i jetës dhe triumfi i dashurisë njerëzore, qenë të një shkallë superiore… Dhe mbyllja e Festivalit do të bëhej përsëri pa sipar, po jo më në Teatrin e Butrintit, por në rrugët e qytetit të Sarandës, prej trupës italiane të Loverës në Bergamo, si një alternativë e qëndresës së njerëzve midis qiellit dhe tokës
Në rrafshin artistik të metodologjisë dhe të estetikës, në etikën e përgjithshme të këtij Festivali Ndërkombëtar të Teatrit, edhe pse me mangësi e tkurrje të pjesëmarrjes, ky event e vlente, qoftë edhe për ato dy shfaqje që shkëlqenin në platformën e hapët të Teatrit të Butrintit: të artistëve nga Spanja dhe të artistëve nga Ukraina! Jo se të tjerët nuk patën prurje që tërhiqnin vëmendjen, porse këta artistë, mundën të arrinin një harmoni të përgjithshme të komponentëve që përcjell arti i tyre i bukur dhe i vështirë. Ajo porosi që u jepte Hamleti gaztorëve të mbretit që të loznin më natyrësi, duke harmonizuar fjalën me veprimin dhe veprimin me fjalën, pa dalë asnjëherë nga e natyrshmja, ka mbetur në themelet e artit të të gjitha kohërave… Që në Teatrin Shekspirian, në shfaqjet e famshme të Teatrit GLOBUS të Londrës, e lozte rolin kryesor vërtetësia, po edhe harmonia me muzikën, kur skenografia po merrte trajta konvencionale. Dhe aktori do të mbetej në epiqendër si figura qendrore interpretuese!
Nëqoftëse Teatri i Madridit, në trajta thuajse skulpturale dha disa murgesha manastiri që kishin në brendësi të shpirtit etjen për jetën, si një ndjenjë erotike përvëlonjëse, duke e shprehur këtë në një kapërcim gradual mjeshtëror, nga murrosja përbrenda dyerve të rënda, deri në ekstazën e ndjenjës së ndrydhur të dashurisë, si në hovet e vrullshme të valleve të Kastanjetave; në Teatrin Ukrainës patëm një aureolë të së jashtëzakonshmes që fal jeta dhe dashuria njerëzore! Mbështetur në komedinë e artë të Rilindjes italiane, në Maskat e Karnavaleve dhe në Teatrin e Pantomimës së francezit Marsel Marso, regjisori ukrainas Bielskyi, diti të gërshetojë me finesë një subjekt dashurie e tradhtie artistësh, ku në epiqendër është treshja e famshme Arlekin-Izabela-Columbina, të cilët enden nëpër sheshet e rrugëve të qyteteve e të fshatrave italianë gëzueshëm, nën tingujt e muzikës së Vivaldit, Bachut dhe të Schnittkes. Që të tre këta personazhe, të interpretuar me një plastikë të mrekullueshme, si balerinë virtuoz, përbrenda një ansambli kërcimtaresh të vërtetë, i dhanë Butrintit tonë një mbivlerë. U duk sikur edhe ajri vallëzonte mbi gurët shekullor, tok me fëshfërimën misterioze të mesnatës! E njëjta tabllo e mistershme do të ndodhte me trupën spanjolle, ku regjisorja Irina Kouberskaya, i shndërroi harqet e gurta në dyer manastiresh të zymtë, ku vajzat e veshur në të zeza, lëviznin si hije të lemerishme, për të shqyer nga kraharori brengën sfilitëse të virgjërisë, në një kohë kur tradita zakonore, paragjykimi dhe kryqi kthehen në armë për të vrarë dashurin e tyre të varrosur para kohe!
Do të mjaftonin kështu vetëm këto dy shfaqje për tu rrëfyer aktorëve, regjisorëve, pedagogëve, drejtorëve të teatrove dhe pushtetarëve që drejtojnë jetën e vendit së ÇDO TË THOTË TEATËR dhe se, sikundër bënin këtu, tremijë vjet më përpara, le të mendojmë një çast se përse u duhej atyre njerëzve ky tempull, diku, dikur, pas shkatërrimeve që sillnin luftëra si ajo e Trojës apo rrënimet e tërmeteve?! Le të vijnë këtu drejtuesit e shkollave të Artit Shqiptar (sidomos ata që bëjnë aktrim e regji) për të parë disnivelin e tmerrshëm që ekziston me shfaqjet analoge të mysafirëve artistë Se, kur miku dhe kolegu im, prof.dr. Josif Papagjoni, i tha njërës prej aktorëve të reja shqiptare që shihte aty një rol analog me të sajin, për të parë ndryshimin, ajo rrudhi buzët! Atëherë unë do të kuptoja rishtazi humnerën që ishte krijuar (paralelisht me shkollat e huaja të aktrimit) në Shkollën tonë të Aktrimit e të Regjisë, ku niveli i mësimdhënies dhe i interesit për nivel bashkëkohor nga të dy krahët, ka rënë përtokë! Si ish nxënës i vitit të parë të kësaj shkolle, më 1959,-ën (më pas edhe si pedagog për 12 vjet më radhë), kam qenë dëshmitar i ushtrimit rigoroz në shkollë i disa disiplinave artistike profesionale, sikundër ishin, krahas Mjeshtërisë së Aktorit (që udhëhiqej nga një pedagoge e shquar e Institutit Teatral të Moskës) edhe Edukimi Muzikor (drejtuar nga kompozitori Çesk Zadeja), Plastika dhe Lëvizja Skenike (drejtuar nga Baletmaestri Skënder Selimi), pa përmendur këtu mësimdhëniet nga pedagog të shquar të Artit Pamor, të Vokalit dhe të Teknikës së të folurit… Pas 34 vjetësh rikthehem më dëshirën për të dhënë mësim në po këtë shkollë dhe largohem i deziluzionuar fill pas një viti, duke vënë re humbjen e të tëra këtyre disiplinave të rrepta në formimin e studentëve, si edhe (për tu habitur!), çeljen e një Dege për Regji Te