E Hënë, 2 Nëntor 2026

MAROK – Të paktën 37 të vdekur nga përmbytjet dhe stuhitë

SAFI, 15 dhjetor /ATSH-AA/ – Është rritur në 37 numri i viktimave nga përmbytjet dhe stuhitë e forta që goditën qytetin Safi të Marokut.

Kushtet e pafavorshme të motit shkaktuan dëme të konsiderueshme, humbje jetësh dhe ndërprerje të transportit në pjesë të ndryshme të vendit. Disa zona bregdetare janë të përmbytura ndërsa reshjet e dendura të dëborës në rajonet e brendshme dhe më të larta ndërprenë përkohësisht qarkullimin në shumë vendbanime.

Sipas agjencisë zyrtare marokene të lajmeve MAP, autoritetet lokale publikuan një vlerësim të azhurnuar lidhur me kushtet e rënda të motit dhe përmbytjet masive që goditën rajonin vonë mbrëmjen e djeshme.

Në deklaratë theksohet se deri më tani janë regjistruar 37 humbje jete.

Autoritetet deklaruan se operacionet e kërkim-shpëtimit vazhdojnë pa ndërprerje dhe se janë marrë masat e nevojshme për sigurinë në zonat e prekura dhe se vazhdon mobilizimi me qëllim për të ofruar mbështetje dhe ndihmë për qytetarët e prekur nga katastrofa.

Më tej thuhet se zonat bregdetare po përjetojnë përmbytje dhe vërshime nga uji ndërsa zonat e brendshme dhe më të larta reshje të dendura dëbore. Gjithsej 37persona kanë humbur jetën për shkak të përmbytjeve dhe kushteve të motit të ftohtë.   /os/

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›