Shkollat 9-vjeçare, këtë vit me praktikat e maturës
Sipas MASH-it në shkollat e mesme profesionale pranimet nuk do të bëhen më me konkurse por me notën mesatare
Vitin shkollor 2008-2009 të gjithë nxënësit në përfundim të arsimit bazë 9-vjeçar do t'i nënshtrohen provimeve të Lirimit me praktikat e Maturës. Kështu kanë deklaruar burime zyrtare të MASH-it duke shtuar se vitin shkollor të kaluar këto testime u pilotuan me sukses. Sipas specialistëve të arsimit, matura në shkollat 9-të vjeçare do të jetë shumë efikase dhe nxënësit do të parapërgatiten për provimet e maturës shtetërore, pasi për ta nuk do të jetë më e panjohur kjo praktikë. Ndërsa, sa i takon pranimeve në shkollat e mesme profesionale, të cilat deri tani i pranojnë nxënësit me konkurs, mendohet të bëhet duke u mbështetur në notat shkollore, notat e Provimeve të Lirimit dhe sistemin e koeficientëve sipas llojit të shkollës (e ngjashme me provimin e Maturës Shtetërore), me përjashtim të pjesës së konkursit që zhvillojnë posaçërisht shkollat e talenteve, si p.sh., shkolla e Arteve.