E Diel, 1 Nëntor 2026

MASH: Zgjidhni kopshte e shkolla të licensuara për fëmijët tuaj

TIRANE- Në prag të fillimit të regjistrimit të nxënësve në kopshte dhe shkolla, Ministria e Arsimit dhe Shkencës i bën thirrje të gjithë prindërve të tregohen të kujdesshëm, në lidhje me përzgjedhjen e institucioneve të licensuara për fëmijët e tyre. 

Drejtoria e Zhvillimit të Arsimit Privat, rikujton se licenca është e vlefshme vetëm në rastet kur: Është lëshuar me Urdhër të Ministrit të Arsimit dhe Shkencës, është lëshuar nga Qendra Kombëtare e Liçencimit si dhe është lëshuar me Vendim të Këshillit të Ministrave. Kjo e fundit vetëm për institucionet arsimore jopublike ku zhvillohen lëndë fetare ose ku mësimi zhvillohet edhe në gjuhë të huaj. 

" Të nderuar prindër, ju bëjmë me dije se është jashtëzakonisht e rëndësishme që për fëmijët tuaj të përzgjidhni institucione arsimore të licencuara, në mënyrë të veçantë kopshte të licencuara. Në to fëmijët do të hedhin hapat e para, do të mësojnë shprehitë e para, do të edukojnë vullnetin dhe shpirtin krijues të tyre, do të marrin mësimet e para të etikës dhe sjelljes qytetare. Edukimi e arsimimi në këtë moshë është tepër delikat për të ardhmen e tyre, ndaj ju sjellim në vëmendje që të mos bini pre e mashtrimeve të disa bizneseve informale të ashtuquajtura "kopshte" ", - shpjegon MASH.
(m.a/GSH/BalkanWeb)

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›