E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

MEDIA – Italpress i referohet ATSH-së: Rama njofton bllokimin e TikTok-ut për një vit

TIRANË, 21 dhjetor /ATSH/ – Shqipëria do të bllokojë aksesin në TikTok për një vit.

Kështu ka bërë të ditur kryeministri Edi Rama gjatë një takimi me përfaqësues të prindërve dhe mësuesve, shkruan italpress.com, që i referohet Agjencisë Telegrafike Shqiptare.

”Sipas Agjencisë Telegrafike Shqiptare, kreu i qeverisë shqiptare ka sqaruar se aksesi në platformën e rrjeteve sociale do të bllokohet për të gjithë dhe se vendimi vjen pas konsultimit me ekspertë të arsimit dhe sigurisë së fëmijëve. Vendimi rrjedh nga shqetësimet për sigurinë e të miturve në internet, kryesisht të lidhura me bullizmin kibernetik dhe ekspozimin ndaj përmbajtjeve të papërshtatshme. Tema kishte qenë në qendër të vëmendjes prej javësh pasi një 14-vjeçar në Tiranë u godit me thikë nga një bashkëmoshatar i tij, pak hapa larg një shkolle, pas një debati të nisur në rrjetet sociale”, shkruan italpress.

”TikTok nuk do të jetë i disponueshëm në Republikën e Shqipërisë”, tha Rama, duke shtuar se qeveria do të ndjekë edhe veprimet e planifikuara nga vendet e tjera në lidhje me këtë platformë.

Kryeministri raportoi se TikTok do të bllokohet në vitin 2025 dhe se koha teknike për të filluar këtë ndalim kërkon gjashtë deri në tetë javë.

”Gjatë këtij viti do të zbulojmë se si do të sillen vendet e tjera dhe vetë TikTok. Kompania është e vendosur në Kinë, por ky vend ndalon përmbajtjet e dëmshme, duke përfshirë shthurjen, perversitetin, dhunën, bullizmin dhe krimin”, tha Rama, duke shpjeguar se qeveria do të vazhdojë të monitorojë situatën dhe do të kërkojë edhe mënyra të tjera për të përmirësuar sigurinë e të miturve online’’, shkruan italpress, që i referohet Agjencisë Telegrafike Shqiptare./  a.jor.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›