Dinamo e mbyll vitin në krye të Superiores, Laçi fiton 3-1 ndaj Tiranës

TIRANË, 21 dhjetor /ATSH/ Dinamo triumfoi sot me rezultatin 2-1 ndaj Egnatias, në ndeshjen e vlefshme për javën e 19-të në Superligë. Kjo është një fitore e rëndësishme për ekipin e Ilir Dajës, që e mbyll vitin 2024 në krye të renditjes, me 34 pikë të grumbulluara.
Sfida u zhbllokua në minutën e 25-të, teksa Mandela i dha avantazhin dinamovitëve, duke shënuar pas dy gjuajtjeve, me të parën që u ndal nga portieri Dobjani.
Egnatia provoi të reagojë, por pjesa e parë nuk prodhoi gola të tjerë.
Në fraksionin e dytë, Dinamo u shfaq kërkuese në fillim dhe u shpërblye me një tjetër gol.
Në minutën e 58-të, ishte Zabërgja i cili me një shpërthim nga e majta, kaloi dy lojtarë dhe asistoi për Nanin në zonë, me portugezin që nuk e kishte të vështirë të shënonte, pak metra larg portës.
9 minuta më vonë, Egnatia gjeti golin që rihapi takimin. Ndreca me një gjuajtje fluturimthi pas asistit të marrë nga Kasa, ngushtoi diferencat në 2-1.
Ky gol i dha besim rrogozhinasve, që u hodhën totalisht në sulm, në kërkim të barazimit, por pa sukses.
Me këtë humbje, Egnatia e mbyll vitin 2024 në vendin e katërt me 30 pikë të grumbulluara.
Laçi fiton 3-1 ndaj Tiranës
Në ndeshjen tjetër të vlefshme për javën e 19-të në Superligë, Laçi mposhti Tiranën me përmbysje me rezultatin 3-1.
Ky ishte një sukses i rëndësishëm për kurbinasit që ngjiten në vendin e shtatë me 20 pikë, duke parakaluar bardheblutë, të cilët tani zbresin në vendin e tetë me 18 pikë.
Kryeqytetasit e mbyllën pjesën e parë në avantazh minimal, pas golit të shënuar nga Ndreca në minutën e 40-të.
Megjithatë, pjesa e dytë e lojës, ishte tjetër histori. Cordeiro Melo, me dy gola të shpejtë për Laçin, në minutat 47 dhe 51 përmbysi rezultatin, duke kaluar festën te vendasit.
Takimin e vulosi Traore, që shënoi të tretin në minutën e 60-të, duke i dhënë goditjen përfundimtare Tiranës.
/r.e/